Civilët në rajonin juglindor të Khersonit në Ukrainë janë përgatitur të dielën për përfundimin e një armëpushimi lokal, i cili shënoi marrëveshjen më të rëndësishme për ndalimin e luftimeve mes Kievit dhe Moskës që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia, katër vjet e gjysmë më parë.
Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se zonja e parë e SHBA-së, Melania Trump, ka ndihmuar në ndërmjetësimin e armëpushimit të kufizuar, i cili ka nisur në orët e para të së martës dhe pritej të përfundonte të dielën në mbrëmje. Ndalimi i përkohshëm i luftimeve ka mundësuar evakuimin e banorëve të bllokuar në qytetin e vijës së frontit, Oleshky, përmes një operacioni të rrallë të përbashkët, i cili ka përfunduar të shtunën.
Kur ka hyrë në fuqi armëpushimi i përkohshëm, në Oleshky ndodheshin rreth 2.000 civilë. Atyre iu ofrua mundësia të evakuoheshin drejt territoreve të kontrolluara nga Ukraina ose Rusia, ose të qëndronin në qytet, ku u furnizuan sërish me ushqime dhe materiale mjekësore. Për arsye sigurie për banorët që kanë qëndruar atje, nuk u publikua numri i saktë i personave të evakuuar.
Të shtunën, në kufirin ukrainas, familjarët prisnin të shihnin të afërmit e tyre, ndërsa banorët e fshatrave përreth kishin dalë përgjatë autostradës, duke valëvitur flamuj dhe duke ndezur elektrikë dore për të përshëndetur kolonën humanitare.
Megjithatë, Moska dhe Kievi kanë vazhduar sulmet ajrore në zona të tjera. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar të dielën se Rusia po vazhdon të godasë sistemet energjetike të Ukrainës, në prag të dimrit.
Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky ka thënë se qindra mijëra familje kishin mbetur pa energji elektrike gjatë natës, ndërsa Moska po përpiqej të shfrytëzonte mungesën e sistemeve ukrainase të mbrojtjes ajrore.
“Intensiteti i sulmeve është jashtëzakonisht i lartë dhe rusët po përpiqen të përfitojnë sa më shumë nga mungesa e raketave interceptuese kundër raketave balistike”, ka shkruar ai në një postim në platformën X.
Ndërkohë, banorët e qytetit ukrainas të Khersonit kanë qëndruar të qetë të dielën, pavarësisht faktit se e dinin që qetësia e krijuar nga armëpushimi lokal do të merrte fund së shpejti.
Sulmet ruse me dronë kanë vazhduar të godasin rajonin e Kievit për të dytën ditë radhazi, duke plagosur një grua dhe duke dëmtuar banesa, infrastrukturën energjetike dhe një objekt tregtar, kanë njoftuar autoritetet rajonale.
Në raportin e saj të përditshëm të së dielës, Forcat Ajrore të Ukrainës kanë bërë të ditur se forcat e Moskës kishin sulmuar vendin gjatë natës me 433 dronë, prej të cilëve 371 janë shkatërruar ose neutralizuar.
Ndërkohë, më shumë se 100 dronë ukrainas janë rrëzuar në hapësirën ajrore të rajonit të Nizhny Novgorodit në Rusi, në lindje të Moskës, ka deklaruar të dielën guvernatori lokal, Gleb Nikitin.