31 persona kanë humbur jetën dhe 21 të tjerë janë lënduar nga një zjarr i madh në një autostradë të frekuentuar në Kajro, pasi një cisternë me karburant u përfshi në një aksident, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e Egjiptit, transmeton "BBC".
Spitalet në afërsi kanë trajtuar pacientët që kanë pësuar djegie dhe që kanë thithur tym pas incidentit, i cili ndodhi të mërkurën në mbrëmje, në një pjesë të unazës së autostradës në lagjen Warraq, në veri të qendrës së vjetër të qytetit.
Zyrtarët nuk kanë dhënë ende një shpjegim se si shpërtheu zjarri, por mediat shtetërore raportojnë se cisterna ishte përmbysur, duke derdhur benzinë mbi automjetet përreth.
Prokurori i Përgjithshëm i rajonit ka nisur një hetim për incidentin dhe ka kërkuar që nga trupat e viktimave të merren mostra të ADN-së.
Cisterna, në pronësi të një kompanie private kontraktuese, po udhëtonte në autostradë kur një kabllo e tensionit të lartë ra para saj, duke bërë që shoferi ta humbiste kontrollin, raporton gazeta Al-Ahram, duke cituar burime që kanë njohuri për hetimin.
Më pas, cisterna kaloi përtej ndarëses qendrore të rrugës, u përmbys dhe mori flakë, raporton gazeta.
Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se në vendngjarje ishin dërguar 39 autoambulanca për t'u përballur me situatën.
VIDEO