Support TIME. Preserve the truth.
basketball

The 223-centimeter giant plays against American basketball players

Zhang Ziyu

Në Berlin të premten ka nisur Kampionati Botëror në basketboll për femra. Në ditën e parë vëmendja ishte te ndeshja e SHBA-së me Kinën. Gjithë sytë ishin kah basketbollistja 19-vjeçare e Kinës, Zhang Ziyu. Bëhet fjalë për lojtaren me gjatësi prej plot 223 centimetra. Me gjatësi, ajo rivalizon edhe basketbollistët më të gjatë në NBA. Te basketbollistet nuk ka konkurrencë.

Dhe gjatësia e saj është vërejtur më së miri në përballje me amerikanet, që janë më të mirat në botë. Aliyah Boston, qendra amerikane me gjatësi prej 196 centimetra, është kujdesur në mbrojtje për gjiganten kineze. 

Ajo vlerësohet për fizikun dhe konsiderohet prej lojtareve më të forta në WNBA. Por afër Zhangut është dukur shumë e vogël. Ndërkohë në luftë për pozicionim është dashur ta shfrytëzojë gjithë trupin, në mënyrë që basketbollisten kineze ta largojë nga koshi.

Përparësia e kinezes së re vjen në shprehje sidomos kur e merr topin në afërsi të koshit. Ajo i përfundon aksionet mbi duart e lojtareve kundërshtare, pa pasur nevojë të kërcejë. Dhe me vendosjen në mbrojtje shkakton telashe për rivalet.

Por në përgjithësi amerikanet kanë tjetër nivel të basketbollit. Ato fituan me rezultat bindës, 94:61. Dallimin e bënë që në pjesën e parë. Çerekun e parë e fituan 27:14, kurse të dytin me rezultat 22:15. Më pas e kontrolluan ndeshjen deri në fund.

Zhang Ziyu luajti 18 minuta. I realizoi 13 pikë, ndërsa i shtoi gjashtë kërcime.

Amerikanet tashmë i kanë 31 fitore rresht në Kampionate Botërore. Së fundi kanë humbur në gjysmëfinale, në vitin 2006.

Kina më 6 shtator luan me Çekinë, ndërsa më 7 shtator ndaj Italisë. Do të jenë raste të tjera për gjiganten Zhang Ziyu për të shkëlqyer në skenën më të madhe të basketbollit.

SHBA-ja ka fituar katër Botërorët e fundit të basketbollisteve dhe vlerësohet favorite e madhe.

Dominimi i amerikaneve ka nisur në vitin 1979. Prej atëherë vetëm në një rast janë mposhtur në finale, ndërsa dy herë përfunduan në vendin e tretë.