Shoferët në Gjermani do ta mund ta kenë patentë shoferin vetëm në telefon deri në fund të nëntorit dhe, gjatë kontrolleve, të paraqesin patentën digjitale në vend të patentës fizike, ka konfirmuar Ministria Federale e Transportit e Gjermanisë (BMV).
Ministria i ka thënë gazetës “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” se data e saktë ende nuk është përcaktuar, por funksioni pritet të jetë në dispozicion brenda katër javëve të ardhshme. Deri tani, ministria kishte bërë të ditur vetëm se patenta digjitale do të bëhej e disponueshme deri në fund të vitit.
Nuk do të ketë aplikacion të veçantë për patentën digjitale. Ajo do të ruhet në aplikacionin shtetëror i-Kfz, i zhvilluar nga Zyra Federale e Automjeteve (KBA) dhe Bundesdruckerei me kërkesë të ministrisë. Në këtë aplikacion, patentat digjitale janë të disponueshme që nga nëntori i vitit 2025, ndërsa sipas të dhënave të KBA-së, deri në gusht të vitit 2026 aplikacioni ishte instaluar në më shumë se dy milionë telefona.
Patenta digjitale do të jetë plotësuese dhe jo zëvendësuese e patentës fizike. Personat që e kanë në telefon nuk do të kenë nevojë ta mbajnë me vete kartelën fizike gjatë vozitjes në Gjermani. Megjithatë, patenta fizike do të jetë e detyrueshme gjatë vozitjes jashtë vendit, pasi versioni digjital aktualisht vlen vetëm në Gjermani.
Në nivel të Bashkimit Evropian, patenta digjitale e shoferit pritet të prezantohet deri në vitin 2030.
Për ta shkarkuar patentën në aplikacion, nevojitet një letërnjoftim elektronik me funksionin e identifikimit online të aktivizuar. Sipas KBA-së, aplikacioni i-Kfz funksionon në iPhone me iOS 17 ose më të ri, si dhe në pajisjet Android me versionin 12 ose më të ri. Aplikacioni nuk funksionon në telefonat Huawei dhe në disa modele më të vjetra Motorola.