Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Shala: The issue of the KFOR mission must be reviewed, we are 18 years after the declaration of independence

Ibrahim Shala

Ish-zëdhënësi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Ibrahim Shala, ka thënë se duhet të rishikohet çështja e misionit të KFOR-it në Kosovë, pasi, sipas tij, kanë kaluar 18 vjet nga shpallja e pavarësisë dhe 26 vjet nga çlirimi.

Shala i ka bërë këto komente duke folur për takimin e KFOR-it me përfaqësues të ushtrisë serbe në Prishtinë, duke thënë se vizita të tilla ndërmjet palëve janë zhvilluar edhe më herët dhe se KFOR-i i konsideron ato vizita rutinore e kalendarike.

Megjithatë, ai ka thënë se ardhja e komandantit të ushtrisë serbe në Kosovë nuk është e pranueshme për qytetarët.

“Që nga themelimi i KFOR-it janë shkëmbyer këso vizita. Janë vizita kalendarike, rutinore, që ata i arsyetojnë për shkëmbimet e veta. Neve nuk na pëlqen ardhja e komandantit të ushtrisë serbe në Kosovë sepse përfaqëson vazhdimësinë e një ushtrie gjenocidale e cila ka kryer krime në Kosovë”, ka thënë Shala në “60 Minuta” të KTV-së. 

Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës nuk kanë autoritet t’ia ndalojnë KFOR-it se me kë do të takohet, pasi misioni i tij buron nga NATO-ja, por ka thënë se mospajtimi duhet të shprehet.

“Por nuk është në autoritetin tonë t’ia ndalojmë KFOR-it se kë do ta ftojë dhe me kë do të takohet sepse i ka këto kompetenca nga NATO-ja. Por ne duhet të shprehim mospajtimin tonë, ashtu siç e ka shprehur Bajqinovci dhe të gjithë ne, si qytetarë dhe si funksionarë të shtetit sepse duhet edhe çështja e misionit të KFOR-it duhet të rishikohet sepse jemi 26 pas çlirimit dhe 18 vjet pas shpalljes së pavarësisë”, ka deklaruar Shala.

Duke folur për komandantin e ri të FSK-së, Shala ka thënë se nëse respektohet rendi atëherë do të jetë Enver Cikaqi. 

“Zëvendëskomandanti është Enver Cikaqi. Komandanti është gjeneral me tri yje, ndërsa zëvendësi është me dy yje. Të tjerë gjeneralë janë me nga një yll. Logjikshëm, nëse respektohet ky rend, atëherë Cikaqi do të jetë komandanti i ri i FSK-së”, ka thënë Shala.

Komandantit aktual të FSK-së, Bashkim Jasharit, i skadon mandati më 30 nëntor. Sipas Ligjit për FSK-në, ai nuk ka të drejtë për një mandat tjetër.