Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Serbs reject the Board connecting the south and north of Mitrovica

mitrovice

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është duke hasur në refuzimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, për funksionalizimin e Bordit të Përbashkët. Derisa kryetari i komunës së Mitrovicës Jugore, Faton Peci, thotë se funksionalizimi i bordit do të ishte në interes të qytetarëve, ai i veriut nuk ka pranuar t’iu përgjigjet pyetjeve të KOHËS

Rreth 800 metra distancë tokësore, që mund të përshkohet përafërsisht për 10 minuta në këmbë, i ndajnë zyrat e dy kryetarëve të Mitrovicës, të vendosura në të dyja anët e lumit Ibër. 

Por, kryetari i komunës së Jugut, Faton Peci, e ai i Veriut, Milan Radojeviq, janë larg uljes në një tavolinë. Organi që i obligon ata të bashkëpunojnë, Bordi i Përbashkët të Mitrovicës, nuk është funksional.

Formimi i këtij bordi, parashihet me Ligjin për Kufijtë Administrativë, derisa ai është konstituar në qershor të vitit të shkuar, kohë kur komuna e veriut udhëhiqej nga Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje.

Pas zgjedhjeve lokale, të mbajtura në tetor të vitit 2025, funksionalizimi i Bordit ka mbetur peng i mosemërimit të anëtarëve nga kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Radojeviq. 

Sipas Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), derisa Peci ka caktuar pesë përfaqësuesit në këtë organ, kryetari i Mitrovicës së Veriut ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë. 

“Edhe përkundër refuzimit të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, që të i emërojnë përfaqësuesit e komunës së Mitrovicës së Veriut, MAPL-ja në ditët në vazhdim do të shohë alternativat e mundshme që ky bord i përbashkët të arrijë qëllimin për të cilin është krijuar, pasi që përmes tij është synuar që së bashku me përfaqësuesit e këtyre komunave të vazhdojmë bashkëpunimin tonë, gjithnjë në funksion të avancimit të vetëqeverisjes lokale, ofrimit të shërbimeve më të mira dhe rritjen e kualitetit të jetës së qytetarëve të këtyre komunave”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga MAPL-ja.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka thënë se komuna veriore i është drejtuar gjykatës me pretendimin se qeveria, me funksionalizimin e këtij bordi, ka ndërhyrë në kompetencat e komunës. Andaj edhe sipas tij, veprimet për funksionalizimin e tij, janë pezulluar.

“Jam i bindur që institucionet e drejtësisë kanë me dhënë një përgjigje meritore që do t`i japin dritën jeshile funksionalizimit të këtij bordi dhe mundësisë së diskutimit të shumë projekteve, të cilat edhe ne i kemi si propozime qysh tash për fazën e më vonshme. E rrjedhimisht edhe tek ideja dhe mundësia që përveç qeverisë e participimit të komunave veç e veç me pas edhe përkrahjen ndërkombëtare për implementimin e këtyre projekteve”, ka thënë ai.

Peci ka vlerësuar se Bordi i Përbashkët i Mitrovicës do të ndikonte në zbatimin e projekteve të ndryshme në interes të gjithë qytetarëve të këtij qyteti, i ndarë që nga përfundimi i luftës. 

“Ka projekte që e lehtësojnë jetën e qytetarëve dhe projektet e tjera zhvillimore të cilat themelimi i bordit do t`i lehtësonte, edhe përfitues do të jenë vetëm qytetarët, shqiptarë serbë”, ka thënë Peci.

Në mesin e tyre, ai përmend zgjidhjen e telasheve me ujëra të zeza, themelimin e ndërmarrjes së transportit publik, trajtimin e mbetjeve industriale e të tjera.

“Ta zëmë ne e kemi trajtimin e qeneve endacakë, kemi kontratë, gjendja është dukshëm më e mirë se që ka qenë në qytet para 4-5 muajsh, por megjithatë kontrata ime përfundon deri në urë dhe nuk shkon në pjesën veriore, ka një mori… shumë projekte që kanë efekt. Mitrovica ka problem edhe me mbetjet industriale, mbetjet industriale menaxhohen nga ndërmarrja ‘Trepça’...”, është shprehur ai.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka deklaruar po ashtu se me kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, nuk ka asnjë komunikim, por se është i gatshëm të bashkëpunojë me të për çështjet që prekin qytetarët. 

“Unë jam i përkushtuar dhe kam vullnet që çdo iniciativë që është në interes qytetar t`i bashkëngjitëm dhe të jap kontributin me aq sa e di e mundem....”, ka thënë Peci.

E, sipas Pecit, Radojeviq ka anuluar pjesëmarrjen e tij në disa aktivitete, pasi ka kuptuar se prezentë do të jetë edhe ai. 

“Unë nuk e kam vullnetin me taku kryetarin e Mitrovicës së Veriut për me diskutu tema nacionale për shkak se cilido me qenë raporti mes Kosovës dhe Serbisë ose negociatat për fushat specifike, Kosova e ka Albinin, serbët në Kosovë ose tash në Beograd kanë një tranzicion, përcaktohet mes institucionet qendrore, por për të diskutuar për çështjen e ujërave të zeza, për të diskutuar për furnizimin me ujë, për të diskutuar për çështje ambientale, për të diskutuar për transportin, për parkingjet, për aktivitete të përbashkëta potenciale kulturore ose sportive”, ka deklaruar Peci.

Lidhur me funksionalizimin e këtij bordi, KOHA ka kërkuar sqarime nga komuna e Veriut, por kryetari Radojeviq e nënkryetarja Adrijana Hoxhiq, nuk u janë përgjigjur pyetjeve të adresuara. Se në çfarë faze është trajtimi i lëndës, që Peci thotë se Radojeviq e ka adresuar, përgjigje nuk kanë dhanë as nga Gjykata Administrative.

Ndërkohë kritikë ndaj kryetarit, janë dy asamblistët në komunën e Mitrovicës së Veriut, Aida Ferati e Emir Azemi.

Ferati ka thënë se kryetari do të duhej t`i emëronte anëtarët e bordit, pasi funksionalizimi i tij, sipas saj, ka përfitime të shumta për qytetarët e të dy pjesëve të Mitrovicës. Si shembull ajo ka marrë projektet infrastrukturore, për të cilat kryetarët në kuadër të bordit do të mund të bashkëpunonin. 

“Si institucion unë besoj që duhet të funksionalizohet dhe nuk duhet më që politikat të cilat i ka ndjekur më herët dhe vazhdojnë t`i ndjekin të Beogradit t`i bëjnë edhe këtu në veriun e Mitrovicës për shkak se rrethanat të cilat jetojmë ne qytetarët këtu janë ndryshe nga atje”, ka thënë ajo.

Kurse asamblisti Azemi, ka theksuar se bordi i përbashkët do të ishte në shërbim të qytetit e të qytetarëve. Sipas tij, serbët me qeverisjen e komunës janë duke vazhduar me tendencën që Mitrovica të paraqitet e ndarë.

"Veprimet janë tërësisht politike dhe kanë karakter politik dhe etnik, vetë fakti që ata refuzojnë tash e sa muaj, flet se ka një tendencë politike karshi kësaj situate”, ka thënë ai.

Skeptik për funksionalizimin e këtij bordi në të ardhmen është Miodrag Miliceniq nga organizata “Aktiv”, me seli në veri të vendit. Ai nuk pret që ndonjëra prej komunave të lëvizë para pa presion ndërkombëtar.

“Pres mohim të mëtejshëm nga të dyja palët, në thelb, ose disa prej tyre më shumë, disa prej tyre më pak, dhe anasjelltas. Por për sa kohë që ato vazhdojnë dhe pa presionin e BE-së për të krijuar një organ të tillë, kjo çështje do të mbetet pezull dhe e pazgjidhur”, ka thënë ai.

Ndërkaq, avokati Avdi Ademi, ka vlerësuar se në rast të refuzimit të mëtutjeshëm të kryetarit serb, Ministria duhet ta paditë atë në gjykatë. 

“Në rast se nuk e zbatojnë as vendimin e Ministrisë, Ministria duhet me dërgu rastin në gjykatë që me nxjerrë një akt administrativ përmes vendimit gjyqësor, e mosrespektimi i vendimit gjyqësor atëherë paraqet rast për kallëzim penal ndaj kryetarit të komunës në këtë rast ose cilit do kryetar që konsideron që nuk e zbaton vendimin gjyqësor”, ka thënë avokati Ademi.

Bordi i Përbashkët i Mitrovicës, u pat formuar katër muaj para mbajtjes së zgjedhjeve lokale, që përmbysën qeverisjen e shqiptarëve në katër komunat e banuara me shumicë serbe.

Ligji për kufijtë administrativë të komunave, parasheh që Bordi i Mitrovicës të përbëhet nga 11 anëtarë. Nga pesë anëtarë do të jenë nga dy komunat dhe një nga ekzekutivi.

Bordi, sipas ligjit, konstituohet brenda një afati të caktuar kohor pas konstituimit të kuvendeve komunale të komunave përkatëse.

Kurse, udhëzimi administrativ për Organizimin dhe Funksionimin e Bordit të Përbashkët të Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut, i publikuar në Gazetën Zyrtare në prill të këtij viti, ka obliguar kryetarët e komunave që brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e tij të emërojnë anëtarët e bordit.

Sipas këtij udhëzimi, bordi ka përgjegjësi që të koordinojë ushtrimin e kompetencave vetanake të komunave, në veçanti në fushat si: zhvillimi ekonomik lokal, planifikimi urban dhe rural, mbrojtja e mjedisit dhe ofrimi i shërbimeve publike. Mes tjerash, bordi për përgjegjësi ka edhe shqyrtimin dhe propozimin e iniciativave të përbashkëta, lehtësimin e bashkëpunimit ndërkomunal, e dhënien e rekomandimeve për zgjidhjen e çështjeve me interes të përbashkët.