Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Rrmoku: Artificial intelligence makes cyberattacks easier for malicious groups

Korab Rrmoku

Profesori i shkencave kompjuterike në Fakultetin e Shkencave Matematikore dhe Natyrore, Korab Rrmoku, ka deklaruar se inteligjenca artificiale po ua lehtëson grupeve keqdashëse përgatitjen dhe realizimin e sulmeve kibernetike, duke u mundësuar të përvetësojnë më shpejt njohuritë dhe të shfrytëzojnë dobësitë e sistemeve.

Të enjten ne “60 Minuta” të KTV-së, Rrmoku ka theksuar se ndikimi i inteligjencës artificiale në përshpejtimin dhe lehtësimin e sulmeve kibernetike është çështje që kërkon vëmendje dhe analizë të mëtejshme.

Sipas tij, sulmet kibernetike zakonisht nuk ndodhin në mënyrë të rastësishme, por paraprihen nga një fazë e analizës dhe planifikimit.

Megjithatë, profesori ka bërë të ditur se ende nuk ka konfirmim se ndërprerjet e shërbimeve të gjigantëve teknologjikë, përfshirë Microsoftin, kanë qenë rezultat i sulmeve kibernetike.

“Ende nuk e kemi të konfirmuar që ka qenë sulm kibernetik. Raportet fillestare janë që në përgjithësi kanë qenë dështime të brendshme të sistemit, por jo raport i konfirmuar që ka qenë sulm kibernetik”, ka deklaruar ai.

Rrmoku ka thënë se vetë organizatat që përballen me incidente të tilla janë shumë të kujdesshme në identifikimin e sulmuesve, prandaj, sipas tij, nevojiten analiza të thella para se të përcaktohet natyra e incidentit dhe përgjegjësia për të.

Ai ka theksuar se inteligjenca artificiale po përdoret edhe për qëllime mbrojtëse, pasi shumë organizata dhe institucione tashmë janë përfshirë në aktivitete që synojnë shfrytëzimin e kësaj teknologjie për sigurinë kibernetike.

Duke folur për motivet e sulmeve, Rrmoku ka shpjeguar se ato mund të organizohen për përfitime financiare, por edhe kundër institucioneve dhe shteteve, me qëllim spiunazhin.

Sipas tij, shpesh cak i sulmeve bëhen edhe qytetarët me më pak njohuri për sigurinë digjitale, të cilët mund të mashtrohen për të dhënë informacione personale apo të dhëna bankare.

Rrmoku ka paralajmëruar se asnjë organizatë nuk është plotësisht e mbrojtur nga sulmet kibernetike dhe se eliminimi i tyre në tërësi nuk është i mundur.

“Parandalimi i plotë, ndalja është e pamundur”, ka përfunduar ai.