Gazetarja Saranda Ramaj ka thënë se ndryshimet e bëra në Njësinë e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës nuk kanë sjellë rezultatet e pritshme në luftën kundër korrupsionit.
Ramaj ka thënë se shumica e hetuesve që ishin pjesë e kësaj njësie para katër vjetësh janë shpërndarë në drejtori dhe stacione të tjera policore. Sipas saj, ndryshimi i strukturës ishte bërë me pritjen që një organizim i ri do të sillte më shumë efikasitet, por rezultatet aktuale, siç tha ajo, nuk janë as të përafërta në nivelin e atyre të mëparshme.
“Ndryshimet që janë bërë në Krimet Ekonomike, shumica e hetuesve që kanë qenë para katër vjetësh nuk janë në Krime Ekonomike, janë në drejtori të ndryshme, stacione të ndryshme, sepse ideja me ndryshu strukturë është pritur që do të vijë me një zëvendësim të një strukture që të jetë më efektive, por nëse i shohim cilat rezultate janë sot të Policisë Ekonomike, as përafërt nuk e kanë rezultatin e atyre paraprak”, ka deklaruar Ramaj në “Konfront” të KTV-së.
Ramaj ka thënë se nuk ka prova që ndryshimet në këtë njësi janë ndikuar nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, por është shprehur e bindur se ai ka qenë në dijeni për zhvillimet.
Ajo ka theksuar se institucionet e drejtësisë duhet të vlerësohen në bazë të rezultateve në trajtimin e rasteve të mëdha të korrupsionit.
“Institucionet e drejtësisë, ato të cilat janë të pavarura, absolutisht duhet me u mat me rastet e mëdha. Për një pjesë të madhe të rasteve të korrupsionit ose ka vendim shfajësues, ose ndoshta tashmë më pak parashkrime shkaku i ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale që e kanë rrit periudhën për sa mundet me u ba parashkrimi”, shtoi Ramaj.
Ajo gjithashtu ka kritikuar gjithashtu qasjen e ekzekutivit ndaj raporteve që matin nivelin e korrupsionit, duke thënë se Qeveria merr meritat kur vlerësimet janë pozitive, ndërsa kur raportet janë negative, përgjegjësia u atribuohet institucioneve të pavarura.