Problemet në Qendrat për Punë Sociale në Kosovë karakterizohen me mungesë stafi e kushte jo të përshtatshme të punës. Pas raportimit të KOHËS për gjendjen në QPS-në e Fushë-Kosovës, edhe vetë Komuna i ka konfirmuar këto probleme. Madje sipas komunës, kjo qendër funksionon “si një ishull”, pasi objekti nuk ka qasje as në rrugë
“Si një ishull” funksionon Qendra për Punë Sociale në Fushë-Kosovë, thuhet në një përgjigje me shkrim të komunës dhënë për KOHË-n.
Javë më parë, KOHA ka raportuar për problemet me të cilat përballet Qendra për Punë Sociale në Fushë-Kosovë.
Pa qasje rrugore, me mungesë të stafit profesional, të automjeteve për punë në terren dhe pa kompjuter, QPS-ja në Fushë-Kosovë vijon punën për ofrimin e shërbimeve sociale dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës.
Pas raportimit të KOHËS, Komuna e Fushë-Kosovës ka thënë se kjo Qendër, përveç mungesave të shumta, përballet edhe me probleme në organizimin institucional, pasi i mungojnë dokumentet bazë të themelimit.
“Sot, Qendra funksionon praktikisht si një ishull. Ne jemi duke shqyrtuar mundësitë ligjore për t’i siguruar objektit qasje të përshtatshme. Ne kuptuam gjithashtu se mungonin akti i themelimit dhe dokumentet e tjera bazë të themelimit të Qendrës. Kjo është një çështje institucionale që, krahas mungesave në staf dhe në kushtet e punës, është lënë e pazgjidhur”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Fushë-Kosovës.
Për këto probleme, Komuna ia ka lënë përgjegjësinë qeverisjes së kaluar.
Ndërkaq, ka bërë të ditur se, për të mbuluar një pjesë të mungesës së stafit, ka angazhuar personel përmes kontratave për shërbime, dhe ka ndryshuar Rregulloren e Punës së Kuvendit Komunal, duke ndarë fushën e mirëqenies sociale nga ajo e shëndetësisë.
Sociologu Genc Xerxa ka vlerësuar se mungesa e stafit dhe e kushteve të përshtatshme të punës në QPS, pamundëson një qasje profesionale në trajtimin e problemeve sociale.
“Mungesa e stafit apo e kushteve në Qendrat për Punë Sociale është më se e keqe, sepse bëhet fjalë për një mekanizëm, i cili merret me trajtimin e problemeve të ndryshme sociale, sidomos me dhunën që shpërfaqet në hapësira të ndryshme publike, por edhe në ato shtëpiake apo brenda familjes. Nëse nuk ka një qasje profesionale ndaj këtyre problematikave, atëherë edhe mënyra se si ato shqyrtohen, raportohen, përshkruhen dhe rekomandohen te mekanizmat e mëtejmë bëhet problematike. Kjo për shkak se që në fillim kemi mangësi në trajtimin e problemit dhe në zgjidhjen e tij në mënyrën e duhur, duke mos e adresuar siç duhet te mekanizmat përkatës”, ka thënë ai.
Sipas Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare, punët profesionale në QPS duhet të kryhen nga punonjës socialë, juristë, psikologë dhe profesionistë të tjerë.
Por pa kushte pune dhe mungesë të stafit janë edhe shumë Qendra për Punë Sociale në Kosovë, si në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Gjakovë, Mitrovicë të Jugut dhe Ferizaj.