Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

New government in Serbia with old approach towards Kosovo

Radomir Saicic

Radomir Saicic

Photo: Associated Press

Kandidati për president të Serbisë nga Lista Studentore, Radomir Saiçiq, ka të arkivuara qëndrime të forta kundër Kosovës, të cilën e ka quajtur edhe tokë të okupuar përkohësisht. E, gjatë luftës në Kosovë, ai ka qenë i mobilizuar në ushtri. Profesori Mazllum Baraliu thotë se Kisha Ortodokse, Akademia e Shkencave dhe politika serbe për dekada janë shquar me retorikë ekstreme nacionaliste e shoviniste ndaj Kosovës dhe popujve të tjerë të Ballkanit

Pushteti i ri në Serbi udhëhiqet nga diskurs i moçëm në raport me Kosovën.

“Lista Studentore” që i fitoi zgjedhjet ka nominuar si kandidat për president akademikun Radomir Saiçiq, i cili gjatë luftës në Kosovë ka qenë i mobilizuar në ushtrinë serbe.

Me këtë është krenuar pretendenti për ta pasuar në postin kryesor shtetëror Aleksandër Vuçiqin.

“Gjithmonë kam qenë i mobilizuar sa herë që ka pasur ndonjë situatë të tensionuar. Kam qenë edhe komandant i togës së qitësve në frontin e luftës, si dhe i një kompanie këmbësorie. E tani dikush më quan ustash. Flasin për Kosovën. Kam qenë i mobilizuar edhe gjatë bombardimeve të NATO-s, kur bëja pjesë në batalionin për operacione speciale”, ka thënë Saiçiq.

Ai është profesor i Kimisë dhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Serbisë. Në deklaratat e tij publike ka këmbëngulur se Kosova duhet të konsiderohet pjesë e Serbisë. Shtetin e ri ai e quan tokë të pushtuar përkohësisht.

“Kjo për ne është një fakt dhe kështu do të mbetet derisa, eventualisht, të merret një vendim ndryshe në mënyrën e parashikuar nga Kushtetuta dhe ligji, gjë që, sinqerisht, besoj se nuk do të ndodhë kurrë. Deri atëherë, për mua, ai është një territor përkohësisht i okupuar dhe ne duhet të përpiqemi që, përmes negociatave me faktorët relevantë ndërkombëtarë, të sigurojmë kushte që njerëzit tanë atje të kenë një jetë cilësore”, ka thënë Saiçiq në paraqitje publike.

Në Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe as në Ministrinë e Punëve të Jashtme nuk treguan se cilat janë pritjet për rrjedhën e dialogut dhe normalizimin e raporteve, në situatën kur pretendenti kryesor për president të Serbisë mban këtë qëndrim për Kosovën.

E, profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, thotë se Kisha Ortodokse, Akademia e Shkencave dhe politika serbe për dekada janë shquar me retorikë ekstreme nacional-shoviniste ndaj Kosovës dhe popujve të tjerë të Ballkanit.

“S’është çudi që në po atë vazhdë, një produkt i kësaj akademie, tani në cilësi të një eksponenti potencial më të rëndësishëm politik të vendit, pra në këtë rast kandidat për president, trumbeton të njëjtën melodi që është fatale, hegjemone për vetë popullin serb, por e dëmshme dhe me pasoja edhe për ne dhe popujt e tjerë të Ballkanit”, ka thënë Baraliu.

Ai ka theksuar se ndaj kësaj qasje të Serbisë ndaj Kosovës, Bashkimi Evropian qëndron jo vetëm indiferent, por edhe në pozicione negative. Ai ka thënë se për aq kohë sa është kjo qasje, nuk duhet humbur kohë as me procesin e dialogut.

“Është imperativ që ne të përmbushim obligimet tona ndaj Bashkimit Evropian e Serbia të qëndrojë në pozicionet në çfarë është dhe ato pozicione janë të tilla, të palëkundura, të akullta janë në relacion me Kosovën”, ka theksuar Baraliu.

Edhe eksponentë të tjerë të Listës Studentore nuk kanë treguar qasje të re ndaj Kosovës, krahasuar me atë të pushtetit të Vuçiqit.