Protesta e studentëve dhe të rinjve në Shqipëri po vazhdon ende prej disa orësh nën tensione dhe përplasje mes tyre dhe Policisë.
Protestuesit janë mbledhur para Ministrisë së Arsimit, ku situata është përshkallëzuar pas hedhjes së gurëve në drejtim të zyrtarëve policorë dhe objektit të ministrisë. Policia ka ndërhyrë duke përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë turmën dhe për të vënë situatën nën kontroll, ndërkohë disa protestues janë shoqëruar nga Policia.
Protesta nuk është kufizuar vetëm në kryeqytet, pasi nxënës dhe studentë kanë bojkotuar mësimin dhe kanë dalë në rrugë edhe në Shkodër, Korçë, Durrës e vende të tjera.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka akuzuar sërish opozitën se qëndron prapa protestave të dhunshme në Tiranë. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve për durim, ndërsa ka pretenduar se protestat në këtë kohë lidhen edhe me faktorë që nuk e duan përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.