Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Pacolli warns of suspension of competencies of municipalities that fail in waste management

Victory Pacolli

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka paralajmëruar se me ndryshimin që do t`i bëhet ligjit për menaxhimin e mbeturinave, do të krijohen kushtet për intervenimin e institucioneve qendrore. Në konferencën për media, ministrja Pacolli ka folur edhe për gjobitjen e komunave dhe kompanive rajonale si dhe për situatën me mbeturina në kryeqytet

Prishtina u prin komunave të cilat nuk janë duke menaxhuar situatën me mbeturinat, ashtu siç e kanë për obligim, ka thënë të mërkurën ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli.

Në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë, ajo ka thënë se gjendja me mbeturina është e rëndë dhe e papranueshme.

Sipas Pacollit, qeveria nuk ka kompetenca të merret me mbledhjen e mbeturinave nëpër komuna, andaj do të intervenohet me ndryshimin e ligjit për menaxhimin e mbeturinave.

“Ligji i ri do të ketë një nen të veçantë, i cili do ta lejojë Ministrinë që t’i pezullojë kompetencat e komunave në rastet kur kemi dështim të detyrave që i takojnë komunave. Në rastin e Prishtinës, sikurse ne do të kishim kapacitete, tani ne nuk do të kishim pritur këtë gjendje të tillë, siç është sot, do të ndërhynim menjëherë. Mirëpo ligji nuk na lejon fillimisht, ne do ta ndryshojmë ligjin”, ka thënë Pacolli.

Përveç Prishtinës, Pacolli ka thënë se kanë gjobitur edhe komunën e Istogut, kompanitë rajonale: “Pastrimi” në kryeqytet, “Ambienti” në Pejë, “Higjiena” në Deçan”, e kompani private e qytetarë.

Situatë edhe më e vështirë me mbeturina, sipas ministres, është në komunat veriore për shkak të deponisë ilegale të Zveçanit.

“Për veriun është përcaktuar lokacioni dhe falë investimit të BE-së, është përgatitur deponia e re me standardet më të larta në Kosovë. Pas takimeve me Zyrën e BE-së jemi pajtuar në parim që ajo të hapet së shpejti dhe Ministria të eliminojë deponinë aktuale ilegale dhe në atë zonë ta ndërtojmë një park”.

Paraprakisht, kabineti qeveritar ka miratuar draftraportin vjetor për Gjendjen e Mjedisit në Kosovë, për vitin e shkuar.

Qeveria ka miratuar edhe Projektligjet për ratifikimin e tri marrëveshjeve që prekin çështje të drejtësisë mes Kosovës dehe Suedisë, si dhe një me Belgjikën.

Miratimin e kanë marrë edhe vendimet për shpronësim të pronave në Prizren, Klinë e Lipjan, derisa janë ndarë edhe mbi 1 milion e 489 mijë euro për realizimin e projektit “Efiçienca e Energjisë në Ndërtesa Publike në Prizren”.