Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Without new promotions, the police operate with acting officers in several positions

Kosovo Police

Policia e Kosovës tash e disa kohë po funksionon me ushtrues detyre në një numër të pozitave për togerë dhe rreshterë. Nga Sindikata e Policisë thonë se procedurat e gradimit duhet të fillojnë menjëherë, ndërsa njohësit e çështjes thonë se situata e tillë cenon dhe demotivon punën e zyrtarëve policorë

Në mungesë të gradimeve, Policia e Kosovës ka mbetur në disa pozita të togerëve dhe rreshterëve në strukturën organizative të funksionojnë me ushtrues detyre.

Për KOHËN këtë e ka konfirmuar edhe Zyra për Informim e Policisë së Kosovës, e cila tha se pozita të lira për këto dy grada janë më shumë në sektorin e rendit publik. 

“Lidhur me interesimin tuaj, ju njoftojmë se në Policinë e Kosovës (PK) aktualisht janë 799 zyrtarë me gradë rreshter dhe 292 zyrtarë me gradë toger. Sipas Strukturës Organizative ka pozita të lira edhe për gradën rreshter dhe për gradën toger. Pozita të lira më shumë për këto dy grada kanë departamentet më numrin me të lartë të personelit sipas strukturës organizative, siç është rendi publik”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës. 

Sipas Policisë, këto pozita të lira, sipas nevojës mbulohen me ushtrues detyre dhe se numri i tyre ndryshon varësisht prej nevojave operacionale dhe strukturës organizative. 

Nga Sindikata e Policisë së Kosovës kanë thënë se procedurat për gradimin e zyrtarëve policorë duhet të fillojnë menjëherë.

“Si pasojë e kësaj situate, shumë njësi dhe struktura organizative të Policisë së Kosovës vazhdojnë të funksionojnë me ushtrues detyre, për shkak të mungesës së personelit me gradat përkatëse për mbulimin e këtyre pozitave. Sindikata e Policisë së Kosovës kërkon që menjëherë të rifillojnë procedurat e gradimit për të gjitha gradat, në përputhje me Ligjin për Policinë e Kosovës, Udhëzimin Administrativ për Marrëdhënien e Punës dhe rregulloret përkatëse të gradimit që janë në fuqi”, ka thënë Avdi Hoti, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës. 

Hoti thotë se rifillimi i menjëhershëm i këtyre procedurave është i domosdoshëm për forcimin e strukturës komanduese, rritjen e efikasitetit institucional si dhe për avancim profesional të të gjithë zyrtarëve policorë.

Se Policia e Kosovës duhet të organizojë në mënyrë urgjente konkurse të gradimit e thotë edhe ish-zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha.

“Natyrisht që mbajtja e pozitave zyrtare me ushtrues të detyrës nuk është e pranueshme në asnjë institucion të vendit, e natyrisht me një specifikë të veçantë çfarë e kanë mekanizmat e sigurisë, në këtë rast Policia e Kosovës. Mbajtja e pozitave me ushtrues të detyrës për një kohë të gjatë, përveçse është e paligjshme, cenon edhe motivimin e zyrtarëve policorë për t’u graduar dhe marrë përgjegjësi, cenon edhe në besimin publik në shërbimin që ofron Policia e Kosovës, pastaj e lëndon meritokracinë”, ka theksuar Hoxha. 

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për vitin 2025 kishte thënë se sistemimi i stafit në pozita që nuk janë në përputhje me gradën adekuate, mund të ndikojë që pozitat të ushtrohen nga persona me mungesë kompetence profesionale.

“Bazuar në informatat e ofruara nga Drejtoria e Personelit të Policisë së Kosovës, një numër i zyrtarëve policorë vazhdon që të jetë i sistemuar në pozita për të cilat nuk plotësojnë kriterin e gradës sipas strukturës organizative. Gjatë vitit aktual, 391 zyrtarë policorë ushtronin funksione që kërkojnë gradë më të lartë se ajo që zotërojnë, që në krahasim me vitin paraprak (në 2024 ishte 341) paraqet një rritje prej 50 zyrtarësh”, thuhet në raportin e ZKA-së. 

Në vitin 2024, policia hapi konkurs për gradën rreshter, me mbi 350 pozita të lira, por e anuloi në korrik të po atij viti, pas gjetjeve të Inspektoratit Policor për parregullsi dhe lëshime në zbatimin e kritereve të konkursit. 

Në maj të vitit 2026, u hap edhe konkursi për gradën toger, me 157 pozita, por ky proces u pezullua nga Gjykata Supreme, pas kontestimit të dispozitave të Udhëzimin Administrativ për Procedurën e Gradimit të Zyrtarëve Policorë që lejonin disa zyrtarë me së paku dhjetë vjet përvojë të aplikonin për dy grada njëherësh.