Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

A life in four systems

Surroi: Përshëndetje!. Në PIKË është shkrimtari, gjuhëtari, politikani, aktivisti, kritiku letrar, prof. dr. Ali Aliu, i cili është njëkohësisht edhe akademik. 
Një rrëfim i gjatë i një jete, e cila ngërthen në të edhe pjesëmarrjen në Kongresin e Gjuhës, të Drejtshkrimit në vitin 1972. Njëri prej njerëzve që janë identifikuar me Universitetin e Prishtinës që nga fillimi, me Akademinë e Shkencave, me themelimin e LDK-së, me një episod si, ta quajmë ashtu, diplomati i parë i Kosovës në Tiranë, asokohe, gjatë kohës së shoqërisë tonë paralele, rezistencës tonë paqësore. Mirë se vjen në emision.

Ali: Faleminderit për ftesën dhe po ndihem mirë.

Surroi: Jashtëzakonisht, edhe unë po ndihem mirë. Kemi të bëjmë me Ali Aliun, i cili ka hyrë në vitin e tij të 93-të, pra, është një rezervuar i tërë i memories sonë, i kujtesës sonë historike, jo vetëm të Kosovës, por të një pjese të madhe të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë dhe të kombit shqiptar në tërësi. Dhe po e fillojmë me fëmijërinë.
Po e fillojmë me faktin që jeta jote është ndarë në katër pjesë, në katër sisteme të ndryshme dhe pjesa e parë fillon në Kranjë, në Toskëri, në pjesën e Toskërisë së Maqedonisë. Si dukej?

Ali: Në moshën 5-6 vjeçare mbaj në mend disa imazhe të kohës dhe përmbysjen e asaj Jugosllavie mbretërore në fund të viteve ‘30 të shekullit të kaluar. Unë e mbaj mend përmes disa imazheve, meqë Kranji është 5-6 kilometra në veri të kufirit me Greqinë.
Përballë, në perëndim është liqeni dhe me Shqipërinë kufiri është në mes të liqenit.
Dhe meqë kufiri me Greqinë ka qenë këtu afër, mbi malin Pelister, filluan të zbresin poshtë kufirit ushtarët me uniformë të asaj mbretërie. Dhe mua më kujtohet, nga dritarja e shtëpisë, gjyshja ime më thoshte: “Ja! U përmbysej kjo qeveria, këta janë ushtarë që po dorëzohen dhe po kthehen”.
Ata ktheheshin në radhë e kështu me uniforma, me armatim siç ishin. Domethënë, këto janë vizionet e përmbysjes të një sistemi, që e tha ti.

Surroi: Edhe shteti.

Ali: Po. Dhe menjëherë pas kësaj, në Prespë u tha që erdhi Shqipëria. U bëmë Shqipëri. Meqë edhe para kësaj gjyshja ime uronte ashtu në mbledhje, e mbante, ishte më plaka, e mbante kupën e rakisë përpara, e urimin e parë e bënte: “U bëfshim Shqipëri”, dhe u bëmë Shqipëri.
Imazhi i parë nga kjo si u bëmë Shqipëri ishte ky në Kranjë: dolën të gjithë banorët gati, të gjitha moshave dhe i pritën një grup karabinierë italianë, që zbarkuan nga ajo pjesë e Shqipërisë përballë, nga rrënzët e malit Korab, të thatë, Mali i thatë, dhe i kanë rënë trup daljes në Prespë dhe e kanë mbërrirë para bullgarëve, se ata ishin në një front edhe kush ku mbërrinte, e vinte kufirin. Sa vend zinte.
Dhe të gjithë ne, unë fëmijë kam qenë, vraponim mbas sazeve, daulleve, me të cilat i pritën karabinierët nëpër ujëra, nëpër... pasuri ujërash nga Pelisteri Prespa, ujëra që derdhen në Liqenin e Prespës dhe menjëherë, mbas këtyre përshtypjeve, u hap shkolla e parë në Kranjë në shqip, shkolla e parë.

Surroi: Dërguar nga Ernest Koliqi atëherë.

Ali: Po. Dhe u bënë shumë nxënës. Mbi dyqind nxënës. Deri atëherë ka pasur shkollë serbe. Dhe u hap...

Surroi: Sa ka pasur nxënës në atë shkollë serbe?

Ali: Po të gjithë kanë shkuar. ...në një mënyrë. Por ishte ajo që ata, mandej ata që i gjetën në klasë të tretë a të katërt, i vunë në ato klasa dhe u hapën të gjitha klasat dhe u bënë katër mësues të ardhur nga Korça.
Unë fillova në klasën e parë edhe kisha një mësuese nga Korça, që quhej Dhorka Çeleshi. Këto ishin fillimet e para. Mbaj mend që ata vinin shpesh, të tre mësuesit edhe Dhorka vinin shpesh si mysafirë nëpër shtëpitë tona.
Ishin vendosur në shtëpi private dhe Dhorka më kishte mjaft, si të thuash, të afërt, simpati, nuk e di pse, bile u thoshte kolegëve atje që më përngjan në një vëlla në Vidhkuq të Kolonjës andej, edhe kjo më bënte mua që të mësoj pak më shumë edhe e mbaj mend që kur i mësonim germën e radhës, ajo e dinte që unë e kam mësuar para kohe, më thoshte hajde nise ti tani. Kjo ishte.

Surroi: Cila ishte gjuha standarde e aso kohe? Ishte standardi i Elbasanit?

Ali: Ai në të vërtetë, po ne megjithatë ndahemi me nëndialekte, Korça, megjithatë, ka nuancat e veta të të folurit që janë shumë identike me të Prespës. Pogradeci, Korça, Prespa janë një pellg.

Surroi: Dhe instruksioni bëhej në një nëndialekt...

Ali: Po. Po të katër këta mësues ishin duket me prejardhje nga Korça. Domethënë, kështu unë kreva, në këtë kohë kreva klasën e tretë fillore dhe mandej u përmbys Italia. Një vit nuk kishim...

Surroi: A e mban mend momentin e përmbysjes?

Ali: Si jo! Ajo ishte Erdhën në Prespë brigada të Zija Bitinckës, thoshim ne, partizane në Prespë dhe u përballën, se filluan mandej të ndahej, t’i vënë sinoret e kufijve, po ku do të jetë bullgari ku do të jetë Shqipëria. Dhe e di që mu në Kranjë u bë një përplasje kështu edhe mes partizanëve dhe atyre që konsideroheshin ballistë, por që ishin në krah të sistemit Shqipëri-Itali.

Surroi: Ushtarët e Vitorio Emanuelit...

Ali: E mbaj mend që u krijua një atmosferë acaruese.

Surroi: Dhe ishin shqiptarë nga dyja anët.

Ali: Shqiptarë nga dyja anët.

Surroi: Domethënë, edhe nga partizanët, edhe nga...

Ali: U bë një masakër bullgare aty, u bë një varrosje kolektive, mbi tridhjetë veta i mblodhi nga Kranji, burra, kot kështu edhe...

Surroi: Ishin bullgarët partizanë, apo jo, ende pjesa fashiste e Bullgarisë?

Ali: Po ende pjesa e tyre. Me porosi të vendasve, merreni këtë, merreni atë, u bë, po mbas, siç quhet ajo, çlirimit, u hesht, ky masakër u hesht dhe nuk u përmend fare.

Surroi: Ky i 1945-s?

Ali: Po. Domethënë, kështu kaloi përmbysja tjetër, një vit duket ishim pa shkollë fare dhe mandej u hap shkolla fillore katër klasë.

Surroi: Kjo i bie 1945-n?

Ali: Po unë kreva klasën e parë këtu... katër klasë te tetëvjeçares, familja më dërguan në Manastir. Vetëm atje kishte tetëvjeçare. Por më mbeti...

Surroi: ...dhe ishte në gjuhë shqipe?

Ali: Po! Më mbeti një kujtim nga koha e Italisë. 
Prespa ishte nënprefekturë e Korçës. Dhe Prespë-Korçë qarkullonte një autobus në njëzet e katër orë një herë.
Edhe shoferi i këtij autobusi, Vasfiu, ishte njeriu më i popullarizuar dhe më i përmendur në Prespë. 
Nisej mu nga kufiri i Greqisë edhe i vinte e rrotull, rrotull Liqenit të Prespës në Oteshevë, Stenjë, Zvezdë dhe zbritte në Korçë, rreth 50-60 kilometra. Dhe kush do të kishte fat të gjejë vend për në Korçë, ishte njeriu më i lumtur, familja më e lumtur aty.
Unë një herë kam mundur kështu të udhëtoj me babanë tim në pazarin e Korçës, se edhe si fëmijë dëgjonim në pazar të Korçës, bleva këtë, bleva atë...

Surroi: Në Parisin e vogël.

Ali: Në Parisin e vogël, te dr. Polena. Ishte me emër të madh: “te dr. Polena shkova e pashë, më dha këtë hapin...” Domethënë, jetonim me këtë... si fëmijë unë jetonja me Korçën.

Surroi: Qyteti ishte Korça?

Ali: Po, bota ishte Korça, në një mënyrë. 
Këto ishin domethënë kujtimet e mia të para të kohës së Italisë, edhe shkollimi me Dhorkën që unë e adhuronja, e admironja.

Surroi: Ajo duhet të jetë Theodora, besoj, duhet të jetë emri i saj, shkurtesa...

Ali: Po, ashtu po që me atë e kam një histori mandej mjaft dhimbëse kështu gjatë viteve ‘70 kur tentova ta kërkoja në Korçë dhe s’munda. Një detaj në vete kështu mjaft, si të thuash, pikëllues, e kërkova që të takoja dhe më thanë që s’ekziston. 
Bile kam qenë... një detaj, a mund të ndaj?

Surroi: Patjetër, patjetër.

Ali: Ishte fillimi i ‘70-e, kur unë shkoja shpesh në Tiranë.

Surroi: Si profesor i universitetit...

Ali: ...edhe si anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve, në dy drejtime, më binte dy-tri herë në vit të shkoj, o për ligjërata o për manifestime letrare. Dhe gjithnjë kërkonja që në kthim të shkonja nga Korça, të ndalesha një natë atje. 
Dhe më përcillte Jorgo Buloja për në Korçë. Ishin të dy, në një makinë që na dhanë nga Tirana.

Surroi: Jorgo Bulo ishte?

Ali: Jorgo Bulo ishte asokohe profesor në universitet.

Surroi: Funksioni i tij ishte?

Ali: Ai ishte edhe studiues i letërsisë.

Surroi: Po, por mendoj funksioni i tij ishte edhe në Lidhje të shkrimtarëve.

Ali: Yes Yes.

Surroi: Edhe si i tillë u vu në dispozicion, në atë kuptim...

Ali: Po, po. Ai merrej me studime, një nga kritikët më të mirë. 
Dhe në mbrëmje na shoqëroi një i sektorit të arsimit në Korçë.
Mbaj mend hëngrëm darkën në një si hotel ishte, si barakë, më shumë si tavernë hesapi edhe unë e tregova historinë time dhe e kërkova këtë... që të nesërit në mëngjes mundësisht ta takoj. Bile nuk kam bërë gjumë të rehatshëm se fillova të mendoj, isha i sigurt që do ta takoj, por thashë do të thotë ajo po kush është ky, unë kam patur me qindra fëmijë atje, mbas njëzet vite, a tridhjetë sa janë bërë prej atëherë, s’të mbaj mend.
Kështu edhe fillova, kështu thashë: ç’m’u desh? 
Nejse, dëshpërimi tjetër erdhi, kur thanë nuk ekziston kjo! Edhe unë e mbylla këtë punë. 
E tashti, mbas shumë viteve tjera, në fillim të shekullit 21, meqë kthehem edhe një herë, isha në pushim në Prespë, në shtëpinë time në Kranjë, ku jam lindur, në një vapë të madhe ishte o korrik o gusht, më vjen në shtëpinë time një fëmijë: “Xhaxhi Ali, xhaxhi Ali, jam me ca njerëz në atë lokalin e qendrës, aty të Kranjit, po të kërkojnë”. Mesdita ishte. Dola unë edhe në mendje kisha që shpesh njerëzit që kalonin nga Shqipëria e Tirana, që më dinin, që i njihnja ose ma kishin dëgjuar emrin, donin të pinë një kafe me mua aty.
Edhe unë zbrita shpejt, hyra në atë lokal, pashë me një tavolinë tri gra dhe dy burra, këndej këta bashkëvendësit e mi, kallaballëk të ulur. Hyra unë dhe këta u habitën që unë po i shikoj ata si njeri i panjohur.
E dëgjova një nga to gratë, tha: po, ky është e kam parë në televizor, Aliun.
Edhe unë u afrova atëherë. Ata ishin. Ishte djali i Dhorka Çeleshit, me mbiemër Dhorka Shallo dhe ai e kishte emrin e Gjin Shallo Dhe ajo ishte zemëruar që ata kanë mundur ta gjejnë, edhe pse ajo ishte çikë atje, u martua dhe kishte marrë mbiemër tjetër edhe ata në një mënyrë e fshehën qëllimisht. Kanë pasur ndonjë rezervë, si zakonisht që ishte atëherë, dhe ai ishte me të shoqen, ajo mjeke, ai inxhinier, e kishin një vajze që studionte në Budapest gati mbaronte nga fundi i mjekësisë edhe dy miq të tyre u miqësuam mandej... krejt kjo histori, por ata më sollën mandej foto të saj, i më sollën edhe disa simbole, dhe kështu që unë edhe i ruaj...

Surroi: Është edhe një metaforë e mirë që kemi filluar të rizbulohemi në shekullin 21.

Ali: Yes!

Surroi: E bukur! Po, po kthehemi...

Ali: ...në Manastir!

Surroi: Po të kthehemi te Manastiri! Manastiri ishte i vetmi... jo, duhet të ketë pasur edhe në Shkup apo jo, shkollë të mesme?

Ali: Jo, jo ishte fillore, s’kishte Manastiri, edhe sot s’ka shkollë të mesme shqip!

Surroi: Domethënë, ishte cikli i lartë i shkollës fillore.

Ali: Edhe ne të Prespës ishin nja 10 a 12 fëmijë që e kalonim, bile në vjeshtë kur vinim e kalonim Pelisterin, se Pelisteri është në mes të Prespës dhe Manastirit, ne jemi në perëndim, ata në lindje. 
Edhe në kohë të mirë ne bëheshim grup edhe kalonim, në mëngjes dilnim e në mbrëmje zbritnim në Manastir. Dhe në fund të vitit në qershor, kur ishte përsëri kohë e mirë, e bënim udhëtimin kështu.
U vendosëm në një konvikt, që ishte konvikt për nxënës maqedonas, të shkollave të mesme, të gjimnazit, se Manastiri kishte gjimnaz në maqedonisht, por nuk kishte rrethi me qytezat Prilepi, Krushova, Resnja... nuk kishin gjimnaz dhe kishin internat.

Surroi: Resnja ka pasur më shumicë shqiptarë apo jo?

Ali: Jo, asnjëherë s’kanë qenë shumicë. 
Dhe ne na vendosën aty 11-12 filloristë me gjimnazistë që ne na dukeshin filozofë edhe jetonim... 
Mbas shumë kohe, kur ika ndoshta në shkollë të mesme, as atëherë nuk e dinja, shumë më vonë u zbulua që konvikti ku rrinim ne kishte qene pallati i Tajar Zavalanit, ku u mbajt Kongresi i Manastirit. Dhe ishte një pallat, që qe atëherë dukej brenda i sistemuar diçka që ne s’e kishim parë, besoj që ke qenë, në dy anët kështu hyhet, mbas një oborr të madh, ne kishim luanin top gjithë ditën atje... poshtë kur hynje ishte, menza, tërpezaria për mysafirë, e madhe, domethënë edhe ishin dy-tre kate sipër që ne i kishim edhe mësonjtoret edhe dhomat e gjumit. 
Por disa detaje tjera, gjurmat tjera, edhe si filloristë i dëgjonim, na vinin në veshë: Migjeni ka qenë këtu. Edhe në atë ndërtesë ku ishte gjimnazi, një ndërtesë e arkitekturës austriake, edhe sot është ndër me monumentalet në Manastir, buzë Dragorit, thoshin që ka qenë shkollë turke, Bajo Topulli ka qenë drejtor i një gjimnazi në një lagje atje ku kishte shumicë shqiptare, na thoshin: ja, Qiriazët këtu kanë qenë, do mure, kanë bërë libra, domethënë na vinin fragmente të tilla që nuk i lidhnim dot ende këto gjurmë.

Surroi: E identifikonit edhe popullatën vllahe se aty ka pas një kontingjent i mirë i vllahëve

Ali: Ata e kanë dominuar Manastirin. Në të vërtetë që në fund e paguan koston... maqedonët bënë një politikë mandej që ta asimilojnë çdo komunitet... që nuk është...

Surroi: ...edhe vllahët u integruan gjithkund, gjithkund në çdo...

Ali: ...ose u asimiluan ose u integruan

Surroi: ...dhe ishin pjesë e elitës vllahët, gjithkund kanë qenë në...

Ali: ...financat, bizneset i kanë mbajtur ata.

Surroi: Në Manastir, në Korçë, në Greqi.

Ali: Në Manastir ka patur një biznes, i thoshin, një pazar të mbuluar, që ishte si qytet i tërë. Manastiri në të vërtetë ka qenë gjithnjë qytet me 70-80 mijë banorë, aq sa afërsisht kishte edhe Shkupi asokohe.

Surroi: Plus gjatë Perandorisë Osmane ka qenë shkolla ushtarake atje.

Ali: Qytet konsujsh... edhe karakteristike se kam pasur mandej shumë miq dhe kolegë në studimet në Beograd, nga Manastiri që vinin, dhe ata në të vërtetë silleshin në atë mënyrë që e nënvlerësonin Shkupin. 
E kisha njërin cimer në një dhomë, e thoshte: “në Shkup kur vij, vishem kështu e ja si këtu, një palë tesha të mira i ruaj për Manastir, jo për Shkup!” Domethënë, Shkupi e ruante këtë frymë.

Surroi: Çfarë ishte distanca mes shqiptarëve dhe të tjerëve? A u hetua në atë periudhë?

Ali: Shiko, ne në konvikt na trajtonin mirë. Ishte një periudhë ku vështirë mund ta hetonje, sidomos ne pa përvojë, të rinj, të hetonje ndonjë dallim që na urrejnë. Nuk e hetonje dot në atë kohë këtë ndjenje. Domethënë afroheshin moshatarët tonë edhe në rrugë, në lojë, edhe vajzat në lagje, domethënë nuk u ndjehej. Do të lindë vazhdimisht shkallë, shkallë.

Surroi: A ka ndonjë moment kthesë, kur krijohet një hendek më i madh mes shqiptarëve dhe maqedonasve apo popujve tjerë? Shtetit, në fakt.

Ali: Unë atë e kam ndier, mbasi u ktheva nga Beogradi. Në shkollë të mesme, e tash nga Manastiri u regjistrova në normale, e ishte e vetmja shkollë e mesme e shqip në Maqedoni.

Surroi: Normalja e Shkupit.

Ali: Nuk kishte shkollë tjetër. Kishte në Tetovë vetëm nga një paralele në gjimnazin "Qiril Pejçinoviq" në maqedonisht.

Surroi: Zef Lush Marku s'ishte asokohe.

Ali: Kjo ishte Zef Lush Marku...

Surroi: Në Shkup?

Ali: Po. 
Dhe ishim me një oborr me një shkollë pedagogjike që ishte atëherë në maqedonisht dhe na trajtonin pak a shumë mirë edhe në qytet. 
Në Manastir, mbaj mend këtë detaj: që ishte fillimi i viteve '50, 1952-3-4, domethënë kështu i binte, 1955 ndoshta, është koha e shpërnguljeve, dyndjeve më të mëdha të shqiptarëve drejt Turqisë.

Surroi: Të cilët vinin në Maqedoni, sepse aty merrej viza “vesika”...

Ali: ...vesika, e ashtuquajtur vesika

Surroi: Vinin në konsullatën turke në Shkup.

Ali: Edhe që ato detaje në s'i dinim po ne dilnim në mbrëmje, se çdo mbrëmje nisej një tren i gjatë, nga stacioni i trenit në Shkup që ka qenë stacioni i trenit nga më të mirit, thoshin i Beogradit po se po..., po në Ballkan. Nuk e di a e mbërrite ti.
Edhe ne shkonim në atë hollin e madh atje edhe shihnim familje, krejt holli i mbushur me familje shqiptare që mbanin me vete, pranë vetes, dengje të lidhur me dyshegje, me çdo gjë që mundnin të merrni nga shtëpia;

Surroi: Dhe nuk ishin vetëm kosovarë, ishin nuk ishin edhe shqiptarë të Maqedonisë...

Ali: Shumica kosovarë, po ishin edhe shqiptarë të Maqedonisë. 
Niseshin nga Shkupi. Dhe ne shkonim të bënim sehir në një mënyrë, edhe e ndienim qysh, ç'ndodh kjo, ama ndodhte çdo natë kjo me vite. Kjo edhe një detaj tjetër që më ka mbetur i gjallë se në atë rrugën kryesore nga qendra e Shkupit, që është edhe tani drejt stacionit hekurudhor, është ajo rruga kryesore që kanë ata, atëherë thoshin, "bënim korzo", dhe në mes të asaj rruge, ishte kisha katolike aty ku është Nënë Tereza tash, po kisha s'ekziston. Dhe ishte një ndërtesë, një arkitekturë shumë e bukur me gurë të gdhendur e thurur, ishte njëkatëshe, edhe ne të dielave shkonim e dëgjonim muzikë shqip.

Surroi: Mbas meshës?

Ali: Po. Vareshim në ato muret kështu me gurë të lëmuar aty edhe dilnin ata e na shikonin, ne i shikonim.

Surroi: Ishte kori apo?

Ali: Po, kori.

Surroi: Kori i kishës.

Ali: Këto imazhe më kanë mbetur të gjalla nga Manastiri, ne bënim aty një jetë, jo të mbyllur brenda atij oborri të shkollës normale, ku kishim edhe mësimin edhe kati sipër internatin. 
Por, dilnim në qytet. Nuk kishim frikë si një kohë që shqiptarët në atë pjesë të Shkupit e kishin vështirë të dalin pa droje.

Surroi: Nuk kishte kufi...

Ali: Jo! Domethënë shkonim nga njëherë edhe në ato ballot e shkollave të mesme që i bënin vinin moshatarët tanë edhe në atë që i bënim ne në shkollën tonë.

Surroi: Vazhdoi kjo në vitet '60?

Ali: E në vitet '60, unë në vitet 1955-1956 shkova në Beograd edhe në 1960 u ktheva...

Surroi: Këto janë studime në Beograd

Ali:. ...në studime.

Surroi: Në Beograd, në Albanologji.

Ali: Po Seminarin albanologjik, që kishte një emër të tillë, që s'kishte Albanologji aty brenda. 
Kishim një profesor, Vojisllav Dançetoviq, një asokohe plak, burrë shumë i mirë, që ishte vetë me origjinë nga Kosova edhe kishte mësuar atje si banor i Kosovës një shqipe, por kishte studiuar edhe e donte gjuhën.
Çudi është, histori të veçanta kam me të, se kam qenë edhe në burg një kohë edhe si më trajtonte ai mbrapa, mbaj mend që njëherë e kishte marrë një ftesë për... nga Ambasada e Shqipërisë në Beograd, që i ftonin ata mysafirët e vet në Ditën e Pavarësisë. Ai na i tregonte, i gëzuar, kam marrë ftesë e do shkoj në Ambasadë.

Surroi: Këtë burgut e kapërcyem shpejt, po e kemi e kam përmendur unë në bisedë, gjegjësisht të ka përmendur...

Ali: po, po për pjesën time, se ky mbrapa dola i dobët unë, i dobësuar shumë. Dhe donja t'i japë provimet e fundit në qershor.

Surroi: Edhe ishit disa prej shokëve që u morët në burg gjoja si grup armiqësor, në atë kohë...

Ali: ...po "Përpjekja" e sende...

Surroi: ...vetëm ta përmendim, "Përpjekja" ishte grupi juaj, grupi i parë i studentëve shqiptarë në Beograd, i cili u përpoq të krijojë një grup muzikor, kulturor e letrar. Kjo ishte ideja.

Ali: Po, me Latif Berishën, Agim Gjakovën, Zekeria Canën, Ymer Jakën, Din Mehmeti...

Surroi: Të gjithë vazhduan pastaj, deri vonë kanë qenë, edhe Bekimi (Fehmiu, v.r.) ka qenë ma vonë.

Ali: Po si ndaj nesh që kishim qenë iniciatorët, nga seksioni jonë, në burg kisha qenë vetëm unë. Zeqa ishte i historisë, nuk ishte në seminarin tonë, po edhe Din Mehmeti.
Po ky na trajtonte si fëmijë. Mua me tha: lëri provime që shko pusho unë t'i jap fare. Dançetoviqi sillej kështu. Na donte, edhe ai kishte gjetur diku një gramatikë shqipe, dhe në orët e tij na diktonte nga gramatika. Kaq. 
Ne aty mësonim gjashtë semestra, tre vite me radhë Letërsi jugosllave. Ai ishte provimi jonë kryesor. Teori të letërsisë mësonim katër semestra te Gjuriqi dhe thënë: po t'i jepnje këta dy provime kalonje. Shumica që ngelnin me vite një, dy, tre plus, ishte Letërsia jugosllave që jepej me goje me shkrim

Surroi: Dhe Kritika e letërsisë, në të cilën ti pastaj je specializuar

Ali: Teoria e letërsisë, që unë e donja që në Beograd. Dhe kjo, domethënë kthimi im nga Beogradi në Shkup...

Surroi: Po shkuarja ishte pjesë e ndonjë burse?

Ali: Po. Kisha bursë qeveritare.

Surroi: Edhe ideja ishte që të shkoje të ktheheshe në...

Ali: Po, në arsim. Ai drejtimi i studimeve përgatiste arsimtarë për shkolla të mesme e fillore... për arsim. 
Dhe unë ashtu si isha, me ato provime, një kohë i dhashë duke më lëshuar ajo ambulanca, se dola i sëmurë. 
Dhe i kreva provimet. Në korrik thashë do të qëndroj disa ditë në Shkup, se kisha plot miq, e kisha kryer shkollën e mesme. Ishte verë. kisha marrë vendim që do të shkoj në Ohër, në Entin Pedagogjik Shkollor...

Surroi: ...vendim për punësim.

Ali: Po, për punësim, në vjeshtë, për punësim. 
Ohri ishte një kah pesë rrethet të Maqedonisë, që përfshinte brenda Strugë, Dibër, Kërçovë, Krushovë, Resnjë, Prespë dhe ishte një ent pedagogjik që kishte një drejtor dhe disa të punësuar, që unë pak a shumë i njihnja e dinja ku do të shkoj, interesohesha. që si student që s'më pëlqente fare, unë do isha shqiptari i parë në atë, dhe do merresha me pjesën arsimore shqip Strugë e Dibër e kështu, edhe isha pajtuar me atë.
Edhe thashë do të qëndroj në Shkup të takohem me shokë. Një mëngjes, me një shokun tim të ngushtë, dulëm në qendër, thashë Shkupi ishte si Manastiri, një qytet i vogël. Dhe u ulem në një kafe, kur me një tavolinë përtej unë shoh një kushëririn tim nga Prespa. Ai ishte një luftëtar i Brigadës shqiptaro-maqedone, të katërt, Brigada e katërt. 
Një emër, Taip Taipi, ndoshta e ke...

Surroi: Po si jo, ka qenë gjykatës.

Ali: Po, në Gjykatën Kushtetuese të Jugosllavisë. Ai bëri edhe një libër: “Udhëtimi i brigadës shqiptaro-maqedone”.... 
E shikoj Taipi aty.
A, po ti? Ai më dinte në Beograd gjithnjë, kontaktonja unë; më mbronte nga pak, kështu, po s'mundi krejt të më mbrojë dhe i thashë: më kanë emëruar... ai rrinte me një njeri aty, që ishte me një republikë të madhe, një njeri i mbushur, me syze kështu edhe na dëgjoi neve, edhe i tha atij “Kush është more ky çun”?
Taipi i tregoi. 
Ai më tha mua: “Ore, a do ti të bëhesh gazetar?”
Thashë: “Unë gazetar dua, por unë po shkoj në punë, në shtator e filloi punën. Atje e kam punën, kështu”.
Tha: “Ti ma lërë atë punë. A do të bëhesh gazetar?” 
Thashë unë: "Po!" 
“Hajde nesër në punë”. 
Edhe unë fillova punën

Surroi: Ky ishte kush?

Ali: Myrteza Peza, Drejtori i parë i "Flakës së vëllazërimit".
E tregoi këtë detajin e mbaj mend se gjithnjë më ka interesuar rasti dhe rastësia në kthesa historike. Rastësia është një temë e shpesh e përsëritur, e debatuar në këto diskurse të narracionit romanor - A kanë rëndësi rastësitë?

Surroi: Dhe në histori.

Ali: A kanë, a duhet t'u besohet personazheve të rastit? Ka teori të ndryshme. Por që ata janë në gjendje nganjëherë të drejtojnë fatin në një mënyrë, drejtimin. Unë nuk e marr dot me mend ç'do të ndodhte me mua, po të shkonja atje ku më kishin... dhe unë i bëra gati deri në fundit të viteve '60 punova në "Flakën e vëllazërimit", udhëhiqnja faqet e kulturës dhe arsimit. 
Myrteza Peza më pranoi mirë. Gjeta vetëm katër-pesë gazetare në të, e njihnja, e kisha njohur, se na vizitoi një herë në Beograd, seminarin tonë, Adem Gajtanin. Kishte bërë emër si poet i gjeneratës së Azem Shkrelit e Fahredin Gungës e Rrahman Dedajt, ishte ay brez. Edhe ne si studentë, ay i moshës time ishte, por studionte drejtësi në Shkup edhe me një grup, tashi më duket se ishte edhe ai shkrimtari i Ulqinit që ra në burg mbrapa, ishin shokë me Adem Gajtanin... që emigroi në Shqipëri dhe që bëri atë romanin patriotik, në Tiranë, (Kapllan Resuli, v.r.) nejse disa emra s'po më kujtohen, do më kujtohet më vonë, kur s'më duhet...
Dhe unë e njihnja Ademin aty. Ishin edhe një Qani Pagria i Korçës, ishte një Talat Avçe i Gostivarit dhe një Sllavka Malej, me origjinë nga Shkodra, Malevski, mandej u bënë, u martua për një maqedon dhe një Paraskeva (Parasqevi) Maleska ka qenë gazetare dhe spikere e parë në Shkup, e famshme.
Ajo ishte jashtëzakonisht, kishte një zë, kishte një kulturë dhe unë gjeta këtë ambient në "Flakë..." 
"Flaka..." ishte në kuadër të një shtëpie të madhe, ku kishte rreth dymijë të punësuar. Që kishte dy gazeta të përditshme maqedonisht, "Nova Makedonija" e "Veçer", kishte gazeta "Birlik", "Flaka..."... kishte të përjavshme, revista, botime. Kishte revista... ishin edhe këto: "Gëzimi", "Fatosi", "Birliku"... krejt shtypshkronja, ndërtesë të madhe kështu, ishim një segment, kishim një qoshe me dy-tri dhoma...

Surroi: Pse ekziston perceptimi që represioni ndaj shqiptarëve të Maqedonisë ka qenë më i madh sesa në vise tjera, posaçërisht në viset e tjera, në Kosovë?

Ali: Në fillim, unë për vete flas, nuk e kuptonja. Më vonë u pa qartë që për shumë projekte, dhune dhe torture Beogradi një herë i provonte në një poligon, siç ishte Maqedonia,

Surroi: ...i delegonte,

Ali: ...po mandej i ushtronte në Kosovë.

Surroi: For example?

Ali: Për shembull, bënte mure, rrethonte për shembull, mure shtëpish, oborre, kufizonte këngët e caktuara; kufizonte emërtime; sllavizonte toponime; ne do të thoshim Skopje, jo Shkup.

Surroi: Ishte nonsensi i asaj kohe, në vitet 1983-1984, ishte vendimi që në shqip nuk mund të thuhej Tetovë, po duhej Tetovo,

Ali:... Debar, Kiçevo... Edhe të gjitha këto mandej...

Surroi: Por këto janë pas vitit 1981. A ka ekzistuar diçka...

Ali: Po, edhe më përpara, edhe më përpara, meqë unë punonja në faqet e kulturës edhe nga kultura shqiptare nuk kishte ndonjë gjë, se ishte një revistë që u bë dikur, "Jehona", ishte një Teatër i kombësive, gjysmë ishte në turqisht, gjysmë ishte shqip...

Surroi: ...që ka mbetur ende, që është te pazari aty.

Ali: Po, është ndërtesa e re.

Surroi: Tash është ndërtesa e re dhe e bukur.

Ali: Kishte një emision radiosh dhe kishte Shkollën normale.
Ende ishte ajo shkollë normale që e lashë unë kur shkova në Beograd dhe erdha. Dhe në Maqedoni tash në faqe nga kultura, unë e ndiqnja kulturën maqedonase, e kisha obligim që të ndjek manifestimet e tyre letrare, botimet, premierat, domethënë këto...

Surroi: Dhe Maqedonia pati transformim të jashtëzakonshëm kulturor, domethënë teatri i Maqedonisë, nxori regjisorë, nxori dramaturgë të jashtëzakonshëm...

Ali: Në përmasa jugosllave disa...

Surroi: ...në përmasa edhe evropiane...

Ali: Si Unkovski... Por ata që atëherë bënë dy teatro: Teatrin e dramës edhe popullorin. Bënë themelimin e Mbrëmjeve të Strugës që në vitet '60 që tash e kishin më duket afër 70-vjetorin.

Surroi: Ku vinte kryetari i Senegalit, e mbaj mend...

Ali: Po.

Surroi: Leopold Sengor, që mori çmimin.

Ali: Nga ato mbrëmje këta kishin një, se isha dy vjet në atë këshillin që zgjidhte fituesin e "Kurorës..." para tre-katër viteve isha... dhe më duket kishin pesë a gjashtë emra që kishin fituar Nobelin,  që kishin kaluar nëpër këtë. Dhe ai ishte manifestim që e afirmoi Maqedoninë, por ai që ndikoj në standardet, është fushë tjetër kjo, në standardet e një tavani të poezisë që bëjnë ata, bënë poetë të mirë maqedonasit. Që krijuan një standard.

Surroi: Njëri prej më të mirëve, Mateja Matevski më vonë do të dalë se është Matej Mateu.

Ali: E pranoi ai në fund. 
Dhe nga nuancat lirike, me atë "Shirat" (Dozhdovi), ai e shënoi një kthesë, por poetin më filozof, ata e kishin Ante Popovskin.
Dhe ishin të mirë. Mateja, Gane Todorovski, Ante Popovski.

Surroi: Që është pjesë e ngritjes kombëtare, të identitetit kombëtar, që ishte pjesë e një projekti, edhe politik, kulturor etj. Por nuk kishte sensibilitet për identitetin shqiptar...

Ali: Por në kohën kur punonja unë atje... kur lindte ndonjë iniciativë në një fshat, të themi në rrethinë, në Studeniçan, një fshat i madh afër, në periferi të Shkupit të bëjë tetëvjeçare, luftë bëhej atje, me vite, lejonin, s'lejonin. E mbaj mend asokohe qysh më lejonin shkonja merrnja pjese në mbledhjet e arsimtarëve, bile nganjëherë ndërhynja domethënë, luftohej gati-gati me thonj që të arrihet të themelohet një tetëvjeçare. 
Për gjimnaz, Dibra dy vjet ka mbajtur klasat, dy klasat e para të gjimnazit i ka mbajtur pa pagesa.
Kanë bërë presion që ta hapin se u bë... nga Dibra unë kisha në Beograd studentë që ishin edhe para meje Nehat Bellçishta, Mahmud Hysa... kishte profesorë në studime në Beograd dhe në Zagreb, që ishin kthyer në Dibër që mund t'i mbanin dy gjimnaze! Në tetëvjeçare punonin!

Surroi: Dhe kjo ishte para se të largoheshin njerëzit, sepse tash ka më shumë dibranë në Amerikë sesa në Dibër.

Ali: Po më shumë, dikur bënë ata që New Yorku kishte 12 mijë dhe u barazuan një kohë me aq sa kishin mbetur në Dibër.

Surroi: Dibranët dhe shqiptarët e Malit të Zi. Ka më shumë në New York sesa që ka në...

Ali: Po, po, pikërisht.
Domethënë, këtë e mbaj unë në mend edhe e dëgjonja një herë, një që ishte sekretar partie për Shkupin. Ai nuk përtonte ta thoshë në mbledhje: "Po do ta bëjmë, mandej kërkojnë gjimnaz ata". Domethënë, haptazi bëhej luftë e kësaj natyre që unë këtë nuk e kuptonja.

Surroi: Tavani i shqiptarëve është fillorja.

Ali: Edhe pata mandej një... të veçoj një detaj që pata unë në Tetovë. Shfrytëzova një rast kur shkoi Myrteza Peza dhe erdhi Lutfi Rusi, një burri i veçantë, në hapësirën shqiptare të Maqedonisë.

Surroi: Baba i Iso Rusit edhe Iso ka dalë shumë burrë i mirë...

Ali: Dhe ai mua më mbronte. Ai ishte luftëtari i dorës së parë, por kur ikën dibranët, Haxhi Lleshi e krejt ky kishte gradë majori, Lutfi Rusi, dhe kishte edhe si përgjegjësi të kufirit atje, edhe ay ka ndejtur dhjetë muaj në burg si thoshin ata...

Surroi: Në vetmi.

Ali: Në vetmi, edhe s'e thyen dot që s'kishte lidhje më atë ikje, fare. 
Edhe e lëshuan edhe e sullën në "Flakë...", por ndikimi i tij i madh, ai s'u thye... dhe ay ua organizoi LNÇ-në në perëndim, Maqedonia revolucionare ishte Kodra e Prilepit, në perëndim kishte lëvizjen me të fuqishme dhe Lutfiu këtë hije autoriteti e ruante edhe nuk pajtohej me diskriminim, por e dinte deri ku mund të shkon. 
Për shembull, ai lejoi që ne ta marrim gjuhën standarde të Shqipërisë para Kongresit. Lejoi "Flaka e vëllazërimit", jo e "Vllaznimit". Domethënë bënte lëvizje të kësaj natyre.
Edhe unë e shfrytëzova një herë rastin, ishte kohë pushimi. Lutfiu shkoi diku për një muaj. Edhe unë shfrytëzova rastin të botoj një seri shkrimesh nga Tetova me titullin: "Tetova shikuar nga afër".
Dhe nuk bëra asnjë punë tjetër, pos mora buletinin e brendshëm të bashkisë që ishte intern, po mua ma dha një shqiptar, një patriot i gjori që punonte aty, baba i atij që shkoi në luftë, mandej që burgosën dhjetë vjet nga Tetova, ky ishte Faik Mustafa. Djali i tij i gjallë është tani një nga luftëtarët e UÇK-së...
Ishte një nga komandantët dhe është gjallë. Kërkoj falje që emri s'po më kujtohet... Ai ma dha si kështu në fshehtësi. Edhe unë i nxora faktet që fabrika e "Teteksit" ka 2500 të punësuar, prej tyre 1900 janë maqedonë, kaq shqiptarë. Tetova ka 80 mijë shqiptarë. Ka kaq e nxënës, ka kaq studentë, ka kaq bursistë, ka kaq të punësuar në bashki, të gjitha këto edhe i bëra në vazhdime, nja katër a pesë vazhdime,

Surroi: Në "Flakë...", ky është viti...

Ali: 1967-n, e shfrytëzuam 1966-n, Brionet. 
U ndie edhe në Maqedoni kjo.

Surroi: Po plus se në atë kohë Cërvenkovski ishte, Kërste Cërvenkovski, ka qenë referuesi për me e heqë Rankoviqin, në Plenumin e Brioneve, që nuk ia ka harruar Beogradi kurrë!

Ali: Për bindjet e mia ishte intelektual i formuar dhe duke të kishte një mendje të hapur ai u përmbahej disa, nuk çlirohej dot nga Lazar Kolishevski...

Surroi: I cili ishte proserb, i edukuar atje...

Ali: ...por që ai kishte ende pushtet edhe kurrë nuk kishte, edhe ky i kishte linjat e kufizuara, po sa e di unë, një herë e kam dëgjuar nga afër, në bisedë me gazetarë, ay i mbronte shkrimtarët e kur donin njëherë ta sulmojnë dhe ta burgosin Zhivko Çingon, prozatorin siç ishte kthesë tek ne Anton Pashku, ay ishte për prozën maqedonase, në përmasa jugosllave, ai doli edhe e mbrojti publikisht.

Surroi: Edhe njihej si liberal, si rryma liberale e Maqedonisë.

Ali: Po, ashtu. 
Edhe unë e shfrytëzova këtë mundësi. 
Por një vit mbas kësaj apo një vit e gjysëm, 1968-n, u bënë demonstratat në Tetovë

Surroi: Mbas Prishtinës.

Ali: Po. Të nesërit, mbas demonstratave, u mblodh KQ i Maqedonisë në Tetovë. E thanë që frymëzimi kryesor kanë qenë këta artikuj!
Edhe në mbledhje e kanë thirrur edhe Lutfiun. Dhe mandej Lutfiu më tregonte detaje. Se i kanë thënë që "...ti ke qenë në pushim", e ka thënë unë në pushim, po i kam lexuar ato tekste. E s'i kishte lexuar, e më thoshte: @^%
Po edhe i thanë që sa është kontributi yt këtu? Ai nuk ka mundur të përmbahet dhe i ka thënë po të ishte i pranishëm kontributi im, nuk do dilnit aq lehtë juve nga Tetova.
Edhe kjo kaloi si kaloi. Unë ketë barrë e mbajta nja një vit e gjysëm nëpër gjyqe.

Surroi: Filloi proces gjyqësor...

Ali: Po po, më paditën... shkruante "Borba" e Beogradit...,

Surroi: ...që është shumë interesante se në atë kohë, Partia vendoste dhe të largonte e bënte kështu. Është shumë interesante që të fillojë proces gjyqësor për këtë punë.

Ali: Po unë isha nënkryetari i kryetarit të gazetarëve të Maqedonisë, se unë punonja mirë, bëra shumë miq intelektualë. 
Bile kur u bënë demonstratat në Tetovë, njëri gazetar, më i mirë i tyre një Vinko në bife të Maqedonisë tha: “Shiko të kishin dëgjuar ty këta budallenjtë s'do t'u ndodhte kjo”. Një vizion fare tjetër... kishte njerëz. Unë kisha rreth të tillë. Kisha krijuar rrethe që isha, besoj që isha njeri normal, aty edhe më pengonte kufizimi, asgjë tjetër. Edhe më në fund, që ata i shikonin, thosha unë” “Ku kam shpifur?”. Edhe më në fund ai Këshilli për përgjegjësi morale, se di si ishte një këshill më thirr...

Surroi: Në Nova Makedonija?

Ali: Po... kolegët e mi biseduan, po më thanë që kanë qenë në moment të pavolitshëm këta artikuj, që i ka shfrytëzuar armiku i jashtëm, e më thoshin që i ka cituar Tirana, që unë sot nuk e di as u interesova që as që kisha dëgjuar, që vërtet i ka apo i shpifnin ato. Po domethënë që gjetën argumente të kësaj natyre. Se nuk kish argumente tjera, megjithatë atëherë Lutfiu më tha: “Edhe unë do ik prej këtu, si të mbroj dot. Ik në Prishtinë”. Edhe unë ika në Prishtinë.

Surroi: Ky është momenti i kthesë. Kjo është ajo kthesa si me Myrteza Pezën rri këtu, rri në Shkup, e tash shko nga Shkupi.

Ali: Unë kisha një favor aty, se punën që e bënja unë në faqet e kulturës në "Flakë..." gjithnjë sytë i kisha në "Rilindje", edhe shkrimet më të rëndësishme, për shembull, premierën e teatrit, unë bënja si informatë këtu po shkrimin më serioz, e çonja në "Rilindje".

Surroi: Atëherë ishte redaktori i "Rilindjes"... Vehap Shita ishte.

Ali: Unë njihsha, kisha botuar edhe si student ose ende nga Beogradi, nuk e di... ishim njëherë "Përpjekja" në vizitë nëpër Kosovë edhe unë botova një prozë, diçka po një... gjatë këtyre viteve unë kisha bërë emër, pak a shumë në Prishtinë, por kisha përkrahjen e kolegëve të brezit të mi nga Beogradi, që kishin zënë vende në institucione të kulturës në Radio, në "Rilindje", në shtëpinë botuese, i njihja shumicën e njerëzve.

Surroi: Ajo "Përpjekja" u bart mbrapa.

Ali: Po edhe kalova edhe më pranuan menjëherë në "Rilindje", në shtëpinë botuese. Ishte Ramiz Kelmendi drejtor. Unë nuk e mbërriva në Beograd. Po ay kishte diplomuar, bëri ushtrinë në Beograd edhe si ushtar vinte na vizitonte shpesh në Seminar, edhe të tjerë, domethënë, unë në Prishtinë shkova si brenda një familje..., nuk kisha probleme dy vjet punova me Ramiz Kelmendin. Ishte aty Fahredin Gunga, Nazmi Rrahmani, erdhi Rrahman Dedaj mbrapa në shtëpinë botuese edhe...

Surroi: Kush ka qenë.... Ymer Pula drejtor asokohe, i "Rilindjes".

Ali: Po.
Po kjo ishte njësi në vete.

Surroi: E qartë, e qartë. Kjo ishte botimet.

Ali: 1970-n, kalova në... u hap një vend në fakultet. I njihnja e njerëzit aty. 
Ka qenë Rexhep Qosja në krye të katedrës albanologjike edhe më tha konkurro. Ishte hapur vend për një tjetër. Ishte hapur një vend që ta pranojnë nga Deçani atë që u bë drejtori i RTP mandej...

Surroi: Riza Alaj.

Ali: Riza Alaj. Edhe kishin shpallur konkurs "Letërsi për fëmijë", të shkonte Rizai. E unë në ato dy vjet, e dy e gjysëm që punova në "Rilindje", botova librin "Kërkimet". Shkrimet kritike që kisha bërë deri atëherë i përmblodha, i bëra një libër. Edhe nuk e di Rexhepi më kishte në qejf se bashkëpunonim... e tha konkurro ti ke përparësi, mbasi u shpall konkursi për të. Që ai u tregua shumë burrënor edhe unë e kam falënderuar e kam vlerësuar gjithnjë që hoqi dorë nga konkursi se më tha mua: “Ti ke të drejtë, edhe unë...”

Surroi: Edhe kthesa e tij mori mirë.

Ali: Po, i mori mirë. Po unë e mbajta vitin e parë "Letërsi për fëmijë". Nuk isha për atë. Mandej ia dhanë Agim Devës atë, e unë mora Teorinë...

Surroi: Nëse pajtohesh, po i ndërpresim këtu, këtë episod dhe po e vazhdojmë për javën tjetër me pjesën e Kosovës, pjesën e viteve '70 që është pjesa më dinamike e zhvillimit të Kosovës.

Ali: Ka qenë një rilindje e dytë e Kosovës brenda atij dhjetëvjeçari.

Surroi: Faleminderit! Për javën tjetër, mirupafshim!