Support TIME. Preserve the truth.
Arberi

Kurti meets with the mayor of Paris, they discuss strengthening cultural ties

Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka diskutuar me kryetarin e Parisit, Emmanuel Grégoire, për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e banimit të përballueshëm dhe atij social, si dhe për forcimin e lidhjeve kulturore ndërmjet Kosovës dhe kryeqytetit francez.

Takimi u zhvillua në Paris, pas pjesëmarrjes së Kurtit në panelin “Making Peace Last: Rebuilding Societies After War”, në kuadër të Forumit të Paqes.

Gjatë takimit, Kurti e falënderoi Grégoiren për pritjen, duke shprehur mirënjohjen edhe për mbështetjen që Franca i ka dhënë Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti bëri të ditur se me kryetarin e Parisit, i cili është pjesë e aleancës evropiane të kryetarëve të bashkive për banim, diskutoi për përvojat dhe mundësitë e bashkëpunimit konkret në këtë fushë.

Kurti e njoftoi atë për programin e Banimit të Përballueshëm dhe Social në Kosovë, i cili, sipas tij, është në zhvillim dhe pritet të zgjerohet, si dhe për projektin e Banimit Social Adekuat, që do të shtrihet në 21 komuna të vendit.

“Tutje kryeministri Kurti ka shtuar se, jemi të interesuar që të forcojmë lidhjet me Parisin nëpërmjet bashkëpunimit praktik që i shërben qytetarëve tanë dhe që bashkon komunitetin kulturor, duke mirëpritur ekspozita, filma, ngjarje letrare e artistë nga kryeqyteti francez. Mërgata dhe profesionistët tanë kulturorë mund të jenë lehtësues të këtyre shkëmbimeve”, thuhet në njoftim. 

Në vazhdën e takimeve në Paris, Kurti është pritur edhe nga presidenti i Senatit të Francës, Gerard Larcher. 

Në këtë takim, Kurti ka biseduar për shumë çështje, përfshirë stabilitetin institucional e planet e Qeverisë në kuadër të fushave të përcaktuara për investim.