Konfederata Evropiane synon të plotësojë boshllëqet që janë krijuar, pa zëvendësuar as BE-në, e as NATO-n. Ajo do të ishte një strukturë e tretë evropiane, e pavarur institucionalisht, por në partneritet të ngushtë me të dyja. Në këtë kuptim, nuk bëhet fjalë për alternativë ndaj integrimit evropian, por për një mënyrë për ta zgjeruar hapësirën politike, ekonomike dhe të sigurisë të Evropës përtej kufijve të BE-së
Konfederata Evropiane e propozuar nga Nick Boles, ish-deputet konservator britanik dhe ish-ministër në qeverinë Cameron, në një ese të publikuar nga Demos në fillim të gushtit 2026, mund të shndërrohet në një prej ideve më të rëndësishme për arkitekturën politike të Evropës në shekullin XXI. Ndonëse, nëse nuk materializohet, mund të mbetet një tjetër ushtrim intelektual në raftet e think-tank-ëve në Londër. Kryeministri britanik Andy Burnham pritet ta shqyrtojë si propozim që mund të shndërrohet në pozicion zyrtar të Mbretërisë së Bashkuar në rikalibrimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian pas Brexit-it.
Suksesi i nismës së tillë do të varet nga tri parakushte: gatishmëria e BE-së dhe shteteve të tjera evropiane për të pranuar një arkitekturë të re institucionale, kapaciteti i Britanisë për të ofruar garanci të besueshme sigurie dhe, mbi të gjitha, aftësia e shteteve joanëtare të BE-së, përfshirë Ballkanin Perëndimor, për ta shfrytëzuar këtë moment strategjik.
Rëndësia e propozimit qëndron në përpjekjen për të krijuar një hapësirë të re politike midis anëtarësimit të plotë në BE dhe asociimit të lirshëm diplomatik. Kjo hapësirë ekziston pjesërisht përmes Komunitetit Politik Evropian (EPC), ku Kosova dhe vendet e Ballkanit Perëndimor marrin pjesë që nga samiti inaugurues në Pragë në tetor 2022. Boles propozon që kjo platformë të evoluojë në një strukturë më të fuqishme, me bazë traktati, që kombinon qasjen në Tregun e Përbashkët për mallrat, bashkëpunimin në teknologji dhe inovacion, mundësi për të rinjtë dhe garanci sigurie të modelit të neneve 4 dhe 5 të NATO-s, përfshirë diskutimin për shtrirjen e mbrojtjes nukleare britanike në Evropë.
Në këmbim, nuk do të kërkohej automatikisht pranimi i lëvizjes së lirë, anëtarësimi në eurozonë apo Schengen për shtetet evropiane që janë anëtare të Konfederatës por jo të BE-së. Për Ballkanin Perëndimor, kjo mund të krijojë kornizë komplementare për integrim më të thellë evropian. Kjo mund të arrihet vetëm nëse rajoni e sheh atë jo si një dhomë pritjeje, por si projekt politik në të cilin është i gatshëm të marrë përsipër detyrime.
Konfederata si përgjigje ndaj rendit të ri ndërkombëtar
επίσης Μπορεί η «Τρίτη Δημοκρατία» να προηγηθεί του στόχου μιας πανεθνικής ηγεσίας;Për ta kuptuar rëndësinë e kësaj ideje duhet parë ndryshimi i mjedisit strategjik të Evropës. Për tetë dekada pas Luftës së Dytë Botërore, rendi evropian është mbështetur mbi tri shtylla: NATO-n për sigurinë, BE-në për prosperitetin dhe marrëdhëniet transatlantike për stabilitetin. Lufta në Ukrainë, pasiguria mbi angazhimin e ardhshëm amerikan dhe lodhja politike nga zgjerimi kanë vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e kësaj arkitekture.
Konfederata Evropiane synon të plotësojë boshllëqet që janë krijuar, pa zëvendësuar as BE-në, e as NATO-n. Ajo do të ishte një strukturë e tretë evropiane, e pavarur institucionalisht, por në partneritet të ngushtë me të dyja. Në këtë kuptim, nuk bëhet fjalë për alternativë ndaj integrimit evropian, por për një mënyrë për ta zgjeruar hapësirën politike, ekonomike dhe të sigurisë të Evropës përtej kufijve të BE-së.
Ideja ka precedent historik. Presidenti francez François Mitterrand propozoi krijimin e një Konfederate Evropiane në vitin 1989 dhe e promovoi së bashku me Václav Havel në Pragë në vitin 1991. Pas agresionit rus kundër Ukrainës, koncepti u ringjall nga ish-kryeministri italian Enrico Letta si një “rreth i dytë” i organizimit evropian, ndërsa BE-ja do të mbetej bërthama.
Në një formë më të zbutur, Presidenti francez i kohës Emmanuel Macron e materializoi të njëjtën logjikë përmes EPC-së në vitin 2022. Konfederata e Boles-it përfaqëson hapin tjetër: transformimin e një forumi konsultativ në një organizëm me bazë traktati dhe funksione konkrete ekonomike e të sigurisë.
Boshllëku strategjik dhe mundësitë për Ballkanin
Nga leximi i propozimit të Boles-it, megjithatë, del një kufizim i qartë: Ballkani Perëndimor përmendet në disa raste dhe kryesisht në mënyrë sipërfaqësore, por interesat e tij specifike nuk trajtohen me të njëjtin nivel detaji si ato të Britanisë, Ukrainës apo BE-së.
Kjo është dobësi e propozimit, por edhe një mundësi për rajonin. Nëse vendet e Ballkanit duan të jenë më shumë se pjesëmarrës formal, duhet të përcaktojnë vetë çfarë kërkojnë: cilat përfitime ekonomike, çfarë garancish sigurie, çfarë përfaqësimi institucional dhe çfarë detyrimesh janë të gatshëm t’i marrin përsipër.
Rajoni ka mbetur prej kohësh midis dy realiteteve. BE-ja vazhdon ta paraqesë anëtarësimin si destinacionin përfundimtar, por zgjerimi është i ngadalshëm, teknikisht i rënduar dhe politikisht i ekspozuar ndaj vetove dhe lodhjes nga zgjerimi. Nismat rajonale, ndërkohë, kanë avancuar kryesisht bashkëpunimin ekonomik pa zgjidhur pyetjen themelore: si bëhet Ballkani pjesë e arkitekturës politike dhe të sigurisë së Evropës në mjedisin e ri gjeostrategjik?
Konfederata mund ta adresojë këtë boshllëk. Ajo mund t'i japë rajonit qasje më të gjerë në tregun evropian të mallrave, rrjetet e teknologjisë dhe kërkimit, mundësi për të rinjtë dhe, më e rëndësishmja, rol formal në diskutimet mbi sigurinë dhe planifikimin evropian të mbrojtjes.
Kjo do të nënkuptonte kalimin nga modeli binar “brenda ose jashtë BE-së” drejt një modeli të integrimit të shkallëzuar. Për vendet e rajonit, negociatat e anëtarësimit të të cilave ecin ngadalë ose janë bllokuar nga vetot bilaterale, kjo mund të jetë veçanërisht e rëndësishme.
Por integrimi i shkallëzuar ka kuptim vetëm nëse shoqërohet me kontribut real. Ballkani nuk mund të kërkojë rol më të madh në sigurinë evropiane pa ofruar institucione demokratike funksionale, kufij të sigurt, infrastrukturë të besueshme, forca të armatosura interoperuese dhe sisteme ligjore të parashikueshme. Qëllimi duhet të jetë kalimi nga perceptimi i rajonit si problem për t'u menaxhuar në atë të kontribuuesit në sigurinë, stabilitetin dhe rritjen evropiane.
Rreziku i krijimit të Evropës me dy nivele
Rajoni duhet ta mirëpresë idenë, por edhe ta shohë me realizëm. Rreziku kryesor është që “rreth i dytë” i Evropës të shndërrohet nga mekanizëm tranzitor në status të përhershëm periferik.
Për këtë arsye, anëtarësimi në Konfederatë nuk duhet të bëhet zëvendësim i procesit të zgjerimit të BE-së. Përkundrazi, duhet ta përshpejtojë konvergjencën me BE-në. Rruga drejt anëtarësimit të plotë duhet të mbetet e hapur, e besueshme politikisht dhe e mbështetur në një kornizë të qartë ligjore.
Po aq e rëndësishme është përfaqësimi. Nëse shtetet e Ballkanit pritet të harmonizojnë legjislacionin, të kontribuojnë financiarisht dhe të marrin përgjegjësi në fushën e sigurisë, ato duhet të kenë zë në strukturat që hartojnë rregullat. Kjo nuk kërkon domosdoshmërisht të drejta identike vote apo vetoje me shtetet anëtare të BE-së për temat që mbulon BE-ja, por kërkon konsultim formal, qasje të hershme në projekt-akte, grupe të përbashkëta pune dhe mekanizma transparentë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
επίσης Θα προστατεύσει η KFOR το Κόσοβο;Parimi duhet të jetë i thjeshtë: nuk mund të merren përgjegjësi pa përfaqësim dhe nuk mund të ketë përfaqësim pa marrje të përgjegjësive.
Pa këtë ekuilibër, Konfederata rrezikon të riprodhojë një nga kritikat më të vjetra ndaj procesit të integrimit evropian: se vendet periferike zbatojnë rregulla që përcaktohen diku tjetër. Kjo do të ushqente pikërisht forcat politike në dy ekstremet e poleve politike që e kundërshtojnë integrimin evropian.
Çfarë duhet të kërkojë Ballkani?
Qeveritë e Ballkanit Perëndimor duhet të fillojnë tani të përcaktojnë interesat e tyre dhe vijat e kuqe, individualisht dhe, aty ku është e mundur, si platformë e përbashkët rajonale.
Kjo nuk është përpjekja e parë për të kapërcyer modelin binar të anëtarësimit. Në shkurt 2026, Edi Rama dhe Aleksandër Vučić propozuan në editorial të përbashkët në Frankfurter Allgemeine Zeitung një model “integrimi të përshpejtuar”, që do t'u mundësonte vendeve të Ballkanit qasje në Tregun e Përbashkët dhe Schengen pa anëtarësim të plotë. Ideja u prit me rezervë, pjesërisht sepse u perceptua si përpjekje për të marrë përfitimet e integrimit pa përmbushur të gjitha kushtet e tij.
Propozimi i Boles ndryshon në një aspekt thelbësor: synon krijimin e një organizimi të ri me bazë në traktate, me të drejta dhe detyrime të përcaktuara ligjërisht, jo anashkalimin e kushteve të anëtarësimit.
Megjithatë, qasja vetëm në tregun e mallrave nuk mjafton. Ekonomitë e Ballkanit varen gjithnjë e më shumë nga shërbimet, teknologjia, turizmi, transporti, financat dhe puna profesionale. Rajoni duhet të kërkojë integrim edhe në tregtinë digjitale dhe të shërbimeve, njohjen e kualifikimeve profesionale, qarkullimin e sigurt të të dhënave, tregun evropian të energjisë, sistemet e pagesave, transportin ndërkufitar, prokurimin publik dhe zinxhirët evropianë të vlerës.
Përndryshe, qasja në tregun e mallrave rrezikon të prodhojë vetëm një integrim formal, duke ruajtur varësinë nga prodhimi me vlerë të ulët dhe emigrimi i fuqisë punëtore. Synimi duhet të jetë integrimi sektor pas sektori, me hapa të matshëm dhe marrëveshje tranzitore.
Kosova dhe mundësitë e ripërcaktimit strategjik
Për Kosovën, Konfederata mund të krijojë mundësi të veçantë: pjesëmarrjen në një strukturë evropiane me potencial për të forcuar pozitën e saj ndërkombëtare. EPC-ja ka dëshmuar tashmë se kjo është e mundur. Kosova ka marrë pjesë si anëtare e barabartë e këtij forumi edhe pse pesë shtete të BE-së dhe Serbia nuk e njohin pavarësinë e saj.
Një Konfederatë e bazuar në traktat mund ta formalizojë këtë model, duke i dhënë Kosovës qasje në tregjet evropiane dhe mekanizma sigurie pa kërkuar që njohjet apo anëtarësimi në BE të ndodhnin paraprakisht.
Por, pasojat e mundshme të ripërcaktimit të rolit te SHBA-ve në Evropë mund të detyrojnë Kosovën që të bëjë ripërcaktim të renditjes së partneriteteve strategjike. Mbështetja amerikane ka qenë themelore para, gjatë dhe pas luftës, si dhe pas shpalljes së pavarësisë. Megjithatë, nëse prania ushtarake amerikane dhe mbështetja politike në Evropë ndryshon, Kosova duhet të thellojë lidhjet me fuqitë evropiane që kanë interes dhe kapacitet për sigurinë e saj, veçanërisht Britaninë e Madhe, Gjermania dhe Turqinë, si dhe me partnerët rajonalë si Shqipëria, Kroacia dhe Bullgaria.
Gjeografia nuk i jep Kosovës luksin e ndjekjes së politikës së bazuar në një aleancë të vetme, kur partneri i saj kryesor mund të ketë rol të reduktuar dhe interes më të vogël për veprim në kontinentin evropian, duke pritur që vendet evropiane të marrin përsipër mbi supet e tyre rolin prijatar për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë. Ajo duhet të ndërtojë disa shtresa sigurie me fuqi të mesme evropiane që kanë interes strategjik në rajon. Konfederata mund të ofrojë kornizën institucionale për këtë ripërcaktim, por vetëm nëse Kosova hyn në të edhe si partnere që kontribuon, dhe jo vetëm si klientë që kërkon mbrojtje.
Debati për Konfederatën Evropiane mund të jetë fillimi i një rikonceptimi më të gjerë të Evropës. Por, ajo nuk duhet parë vetëm si projekt i Londrës, Brukselit apo Parisit. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, sfida është të mos presin që të tjerët të përcaktojnë vendin e tyre në këtë arkitekturë.
Rajoni duhet të bëhet pjesë e këtij debati që në zanafillë me kërkesa konkrete, por edhe me gatishmëri për të marrë përgjegjësi. Duhet të kërkojë qasje në tregje, siguri dhe përfaqësim, por në këmbim të reformave, kontributit financiar dhe përgjegjësive të matshme në siguri dhe qeverisje.
επίσης Το PDK κινδυνεύει να γίνει το DP του ΚοσσυφοπεδίουPër herë të parë pas shumë kohësh, rajoni mund të ketë mundësinë të mos presë në dhomën e pritjes së Evropës. Por për ta bërë këtë, duhet të kërkojë vendin e saj në tryezë ku vendoset dhe të jetë i gatshëm të sjellë diçka me vlerë me vete. Duhet të dëshmojë se është i aftë të kontribuojë, jo vetëm të përfitojë.
(Autori është bashkëpunëtor i jashtëm kërkimor i UTSYN - Qendra për Siguri dhe Qëndrueshmëri në Oslo dhe ka doktoratë në Studimet Bashkëkohore Evropiane nga Universiteti i Sussex-it)