Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka paralajmëruar kthimin e inspektorëve në veri të Kosovës.
Duke folur për procesin e funksionalizimit të pikave të përbashkëta kufitare, Hajdari në emisionin “Desku” në KTV ka thënë se Kosova ka marrë zotimet e saj në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit, por se zotimi ka ngecur për fajin e mosvullnetit të qytetarëve.
“Një lajm i mirë, ndoshta nga brengosja e shkëputjes së kontratës inspektorët e komunave veriore janë lajmëruar për të punuar. Duhet të gjindet lokacioni ku të vendosen e të funksionojnë e të paraqiten në punë me orar të plotë në kuadër të MINT-it”, ka thënë ajo duke shtuar se objekti i shkuar është djegur.
Ka thënë se për këtë vendim kanë pasur javën e kaluar një takim me inspektorët. Sipas saj, “kjo do ta lehtësonte tregun e Kosovës që të mirëfunksionojë”.
Ajo ka thënë se vendi ka mungesë të inspektorëve duke shtuar se Qeveria synon rritjen e numrit të tyre.