DESKU

“Desku” në sezonin e radhës me mysafirë e tema ekskluzive

“Desku”, emisioni politik i Kohavisionit, rikthehet në sezonin e ri prej të martës së 8 shtatorit.

Një prej emisioneve i cili qysh se iu shtua skemës programore të KTV-së, në mars të këtij viti, mori primatin e emisionit me më shumë ndikim në proceset politike e publike në Kosovë, vjen në terminin e rregullt prej orës 20:00, tri herë në javë. Nën drejtimin e Agron Bajramit dhe Brikenda Rexhepit, për 90 minuta shikuesit sërish do të jenë në shoqëri me intervista e debate origjinale.

“Desku” është emision i cili shikuesit i mban afër me zhvillimet aktuale në skenën politike dhe jo vetëm. Kësisoj do të vazhdojë të mbetet edhe në sezonin e ri. Të gjitha ngjarjet që e karakterizojnë javën, janë temat që zbërthehen e trajtohen në “Desk”. Nuk do të mungojnë as “Gjithologët” me personazhet tashmë të njohura të Agon Myftarit, të cilët e komentojnë dhe e trajtojnë aktualitetin kosovar me satirën e mprehtë të regjisorit.

Ashtu siç edhe qe paralajmëruar, vetëm në edicionin e dytë në mars të këtij viti, “Desku” kishte thyer rekordin e shikueshmërisë online në Kosovë, me 32 mijë e 500 shikues në kohë reale.