Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Kulturergänzung

Aufruf zum Frieden

Këto imazhe nuk kërkojnë domosdoshmërisht të na qetësojnë. Përkundrazi, ato na shqetësojnë, na përballin me heshtjen dhe na detyrojnë të shohim atë që shpesh zgjedhim ta anashkalojmë

Këto imazhe nuk kërkojnë domosdoshmërisht të na qetësojnë. Përkundrazi, ato na shqetësojnë, na përballin me heshtjen dhe na detyrojnë të shohim atë që shpesh zgjedhim ta anashkalojmë

Themeli konceptual i edicionit të gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Posterit “Prishtina 2026”, “Thirrje për paqe”, nuk është vetëm një kundërshtim i luftës; është një pyetje mbi përgjegjësinë tonë për të mos lejuar që dhuna të bëhet gjendje e zakonshme e ekzistencës. Në 100 posterët e këtij edicioni, nga 34 shtete, paqja nuk paraqitet si një ideal i njëtrajtshëm. Ajo shfaqet përmes kundërthënieve, metaforave dhe tensioneve vizuale

Paqja nuk është thjesht mungesë e luftës. Ajo është një përpjekje e vazhdueshme njerëzore për të mbrojtur jetën, dinjitetin dhe të drejtën për të ekzistuar pa frikë. Në veprën “Drejt paqes së përhershme” (1795), Immanuel Kant argumentonte se paqja nuk është një gjendje natyrore, por diçka që duhet ndërtuar. Më vonë, Martin Luther King Jr. do ta thellonte këtë mendim duke theksuar se paqja e vërtetë nuk është vetëm mungesa e tensionit, por prania e drejtësisë. Ndërkaq, studiuesi Johan Galtung dallonte paqen negative, si mungesë të dhunës së drejtpërdrejtë, nga paqja pozitive, e mbështetur në drejtësi shoqërore dhe çlirimin nga dhuna strukturore.

Këto mendime përbëjnë themelin konceptual të edicionit të gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Posterit “Prishtina 2026”. 

“Thirrje për paqe” nuk është vetëm një kundërshtim i luftës; është një pyetje mbi përgjegjësinë tonë për të mos lejuar që dhuna të bëhet gjendje e zakonshme e ekzistencës.

Në 100 posterët e këtij edicioni, nga 34 shtete, paqja nuk paraqitet si një ideal i njëtrajtshëm. Ajo shfaqet përmes kundërthënieve, metaforave dhe tensioneve vizuale. Pëllumbi i bardhë, simboli tradicional i paqes, gjendet i rrethuar nga telat me gjemba; zinxhirët e këputur bëhen metaforë e lirisë; buka merr formën e simbolit të paqes, ndërsa bombat, armët dhe gjurmët e shkatërrimit shndërrohen në dëshmi grafike të absurditetit të luftës. Diku, paqja paraqitet si një mundësi që ende nuk është në dispozicion; diku tjetër, si një jetë e re që mund të rritet mbi rrënojat e së kaluarës.

Këto imazhe nuk kërkojnë domosdoshmërisht të na qetësojnë. Përkundrazi, ato na shqetësojnë, na përballin me heshtjen dhe na detyrojnë të shohim atë që shpesh zgjedhim ta anashkalojmë.

Për Prishtinën dhe Kosovën, ku kujtesa e luftës mbetet pjesë e përvojës kolektive, kjo ekspozitë bart një domethënie të veçantë 

Tipografia bëhet protestë, simboli bëhet argument, ndërsa kontrasti dhe hapësira negative shndërrohen në gjuhë të kujtesës, humbjes dhe shpresës.

Në historinë e dizajnit grafik, Ken Garland, përmes manifestit “First Things First” (1964), kërkonte një komunikim vizual më të përgjegjshëm ndaj shoqërisë, përtej interesave komerciale.

Milton Glaser e konsideronte krijimin një akt afirmimi të jetës përballë vdekjes, duke e lidhur përgjegjësinë e dizajnerit me atë të qytetarit.

Në këtë kuptim, posteri nuk është vetëm një objekt estetik, por një akt publik i ndërgjegjes, i aftë të kundërshtojë indiferencën dhe të zgjojë empatinë.

Për Prishtinën dhe Kosovën, ku kujtesa e luftës mbetet pjesë e përvojës kolektive, kjo ekspozitë bart një domethënie të veçantë. Ajo nuk synon ta romantizojë paqen dhe as ta reduktojë vuajtjen në një metaforë vizuale. Përkundrazi, përmes shumëllojshmërisë së zërave artistikë, afirmon se kujtesa duhet të shërbejë si përgjegjësi ndaj së ardhmes.

Në preambulën e Kushtetutës së UNESCO-s, të vitit 1945, theksohet se luftërat lindin në mendjet e njerëzve dhe se pikërisht aty duhet të ndërtohen mbrojtjet e paqes.

“THIRRJE PËR PAQE” është, në thelb, një thirrje për ta shndërruar vetëdijen në veprim dhe imazhin në përgjegjësi. Sepse paqja nuk fillon atëherë kur armët heshtin, por atëherë kur njeriu refuzon ta pranojë dhunën si fat të pashmangshëm.

Autori është kurator, themelues dhe drejtor i “Prishtina International Poster Festival”