Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Säulen

Über einen Mythos des Protests

Pa marrë parasysh se çfarë epilogu do të ketë kjo vjeshtë në Beograd dhe Tiranë, protestat e këtij viti tashmë kanë arritur një gjë të rëndësishme: ato e kanë zhveshur pushtetin nga iluzioni i legjitimitetit. Ato ekspozuan brishtësinë e tyre. Tani rreziku më i madh i pushtetit nuk vjen nga ndryshimi që mund t’iu vijë nga sheshet, por nga ndryshimi që ka filluar në mendjen e qytetarëve

Protestat në Beograd dhe Tiranë janë ngjarjet që patjetër kanë qenë zhvillimi më i rëndësishëm politik në rajonin tonë gjatë këtij viti. Në një sfond të zymtë politik ku Vuçiq dhe Rama kanë çimentuar kontrollin e tyre mbi proceset demokratike një lëvizje spontane qytetare u shndërrua në shpresë që bashkoi qytetarët përtej çfarëdo ndasie ideologjike apo partiake. Fuqia politike e tyre së shpejti do të testohet. Në Beograd këtë vjeshtë do të mbahen zgjedhjet të cilat pas dy vjetësh protesta më në fund do të ballafaqojnë Vuçiqin me listën studentore në kutitë e votimit. Në Tiranë javën tjetër do të shënohen 100 ditë që nga nisja e protestave dhe ndonëse vera bëri punën e saj me zvogëlimin e pjesëmarrjes nëpër sheshet e Tiranës pritjet janë që shtatori do të rikthej masivitetin e protestuesve. Se cili do të jetë epilogu i protestave vetëm koha do të tregojë, por që tani është e rrugës të adresojmë një mit i cili vazhdon të sillet rrotull diskursit tonë publik.

Duke vështruar në kohë reale protestat në Beograd dhe Tiranë ka qenë kurioze të shohësh se si reagimi i pushtetit ndaj tyre ka qenë shumë i ngjashëm. Njëri nga ato reagime tipike ka qenë që të relativizohet pjesëmarrja e qytetarëve në këto protesta. Kësisoj mediat pro-pushtetit në Beograd dhe Tiranë kanë pasur në vazhdimësi kryetitujt të cilët kanë folur për “rënien e numrit të protestuesve” apo “lodhjen e qytetarëve”. Këto mesazhe janë amplifikuar më tutje çdo mbrëmje nga analistët e afërt me pushtetin nëpër studiot televizive dhe rrjetet sociale. Dhe kësisoj për pasojë ka lindur një mit se protestat po vdesin, pasi po zvogëlohet pjesëmarrja e qytetarëve.

Ky lloj miti vuan nga një optikë e thjeshtësuar e të parit të protestave. Sikur për shumë gjëra të tjera, kjo lloj optike sheh protestat në kuptimin binar – pra, njëra palë fiton, tjetra humb. Protestat janë në fakt shumë më komplekse se kaq. Por mos të lëshohemi tani shumë thellë në këtë diskutim dhe për hir të ekspozimit të këtij miti le të marrim për të mirëqenë se protestat po zvogëlohen. Në fakt le të shkojmë edhe një hap më tutje - për hir të argumentit le të themi që kemi para vetes një skenar ogurzi. Thënë ndryshe në Serbi në zgjedhjet e vjeshtës lista studentore humb zgjedhje, ndërsa në Shqipëri protestat pushojnë muajin tjetër.

Një e ardhme e tillë në asnjë formë nuk minon vlerën dhe rëndësinë e protestave. Ndonëse në afatshkurtër protesta mund të pushojë, në afatgjatë ajo ka vënë në lëvizje ndryshime të pakthyeshme zinxhirore në strukturën molekulare të trupit politik të shoqërisë shqiptare, dhe asaj serbe. Sikur në çdo vend tjetër protestat çmontojnë legjitimitetin dhe aurën e pushtetit në afatmesëm, ndërsa në afatgjatë ato ndryshojnë kulturën dhe normat politike duke shtruar kështu rrugë për ndryshim rrënjësor politik. Pas çdo proteste fibri qytetar, politik e social forcohet. Qytetarët fitojnë guximin për të folur dhe për të protestuar, organizatat civile krijojnë përvojë të organizimit masiv, opozita fiton kurajën për t’iu kundërvënë pushtetit, ndërsa mediat dhe organizatat a pavarur inspirohen që të jenë më të mirë në punën e tyre.

Protestat për demokracinë janë sikur ushtrime fizike për trupin. Njëjtë siç ushtrimet fizike i bëjnë mirë trupit tonë duke i shtyrë muskujt e trupit të janë më të shëndetshëm, ashtu edhe protestat i bëjnë mirë demokracisë sonë duke e shtyrë gjithë shoqërinë në një stad më të shëndetshëm politik. Çdo protestë krijon realitete të reja. Kësisoj çdo protestë është një piedestal i radhës mbi të cilën e gjithë shoqëria ngjitet më lart dhe më lart.

Sikur për shumë gjëra në jetë ashtu edhe për protestat dhe ndryshime politike ne kultivojmë ide romantike dhe idilike. Ne presim që një ditë qytetarët do të dalin në sheshe, do të jetë një festë e madhe dhe regjimet abuzive do të largohen nga pushteti dhe kësisoj të nesërmen do të rikthehet demokracia. Jeta është shumë më komplekse se kaq, ndërsa historia na mëson se nëse ka një rregull të artë ai është se nuk duhet të dorëzohemi. Pa marrë parasysh se çfarë epilogu do të ketë kjo vjeshtë në Beograd dhe Tiranë, protestat e këtij viti tashmë kanë arritur një gjë të rëndësishme: ato e kanë zhveshur pushtetin nga iluzioni i legjitimitetit. Ato ekspozuan brishtësinë e tyre. Tani rreziku më i madh i pushtetit në Beograd dhe Tiranë nuk vjen nga ndryshimi që mund t’iu vijë nga sheshet, por nga ndryshimi që ka filluar në mendjen e qytetarëve.