Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Säulen

Zweiter Stock des Bürgers E. Qahili

Rrëfimi i një piktori për historinë e re të Kosovës, në shtatë paragrafë

Nuk di kur mendoi se do të ishte mirë ta bënte edhe katin e dytë, ndoshta kur e përfundoi të parin, i solli telajot në bodrum, brushat qenë mbledhur në kova të vogla, dritaret e gjata dilnin në oborr e në oborr ishte qeni, që atëherë qe këlysh, që i shërbente për të lozur në pauzat e vetmisë mes njërës pikturë dhe tjetrës; ndoshta gjatë ngjitjes së shkallëve për në katin përdhes, me paramendimin se në muret e gjata dhe të gjera një ditë së shpejti do të ekspozohen ritualisht veprat e autorëve të njohur, të miqve të tij dhe të atyre që do të bëhen miq, në galerinë që do ta mbajë mbiemrin e tij.

Ndoshta mendoi se do të ishte mirë ta bënte katin e dytë kur ndjeu se kishte përfunduar kati përdhes dhe shkallët që zbrisnin për në atelienë në bodrum nuk ishin më të përkohshme, por, si të qëndrueshme që ishin, rrëfenin për një hapësirë pune për artistin poshtë, të një gjerësie ku mund t’u jepte telajove përmasat që dëshironte, ku nuk brengosej për ngjyrën që mund të pikonte në dysheme dhe ku dritaret e mëdha sillnin ajër të pastër e largonin gazrat e kimikateve dhe në radio dëgjohej, në muajt e parë të shpalljes së pavarësisë, për planin gjashtëpikësh të Ban Ki-moonit dhe numrin e shteteve që e njihnin pavarësinë, e brenda kësaj pavarësie ishte edhe Galeria e tij e porsahapur, në mos në formë eksplicite, atëherë me vizitën e parë që i bënë ambasadorët, ndonjëri për të pirë një gotë raki me të — speciale, i thoshte ai — e ndonjëri që, pos rakisë, kishte ardhur edhe për të parë piktura.

Ishte i sigurt se do të duhej ta bënte katin e dytë, si ato edhe katër-pesë shtëpitë e tjera në atë rrugë ku përfundon Veterniku apo aty prej nga fillon zbritja drejt Prishtinës, varet prej këndit nga e shikon, kështu i tha saktësisht edhe një arkitekte në komunë kur ai tha se meritonte ta kishte katin e dytë si piktor që ishte, në bodrum do të punonte, në katin përdhes do të kishte ekspozita e në katin e dytë do të flinte, tash mund të vinte të flinte edhe gruaja, do të mund t’ua linin banesën fëmijëve në qytet dhe të pavarësoheshin, por ajo tha se varet nga cili kënd e shikon a e meriton apo jo, se ligji nuk i jepte atij të drejtë ta kishte katin e dytë e në radio thuhej se Republika jonë është shtet ligjor, se kemi nënshkruar një marrëveshje me Serbinë, se do të bëhet Asociacioni, se zgjedhjet i ka fituar në nivel vendi kjo parti e në nivel komune ajo tjetra dhe se jemi duke bërë përparim të dukshëm.

Do të ketë qenë tundimi, që kur e legalizoi bodrumin dhe përdhesen, me çmimet e shtrenjta të asaj kohe, që të vazhdonte edhe me katin e dytë, sepse ndoshta dikush do të ketë kuptuar se ai nuk dëshiron ndonjë zgjerim të madh, se nuk ka bërë kulm me qëllim që të bëhet edhe kati i dytë, se hapësira që është tarracë nuk do ta mbajë shumë borën e shiun, se do të pikojë dhe jo bash në çfarëdo vendi, por në njërën prej galerive të qytetit, institucion kulture që nuk e financon shteti, ndërsa në radio dëgjohet se po zhvillohen negociata për formimin edhe të një qeverie, se në një moment befasie njëra parti heq dorë prej qeverisë dhe e merr presidentin, se tjetra aspiron ta marrë qeverinë dhe mbi gjysmën e ministrive, se do të ketë bisedime prapë me Serbinë.

Të dy kryetarët e komunës i thanë se janë dashamirë të artit, se duhej bërë se s’bën kati i dytë, njëri i tha që administrata e tij po e pengon, se ai nuk ka arritur ta përmbushë vizionin e tij për shkak se është penguar nga administrata, që është po ajo që po e pengon edhe këtë ta ngrejë katin e dytë, e kryetari tjetër i tha se është e vërtetë që ka pengesa nga administrata, madje edhe nga Qeveria qendrore, se ato po e pengojnë përmbushjen e vizionit të tij, siç po e pengojnë ndërtimin e katit të dytë, por ndoshta me i ra shkurt e me e fillu pa leje disi i vjen radha të legalizohet, ndoshta inspektorët nuk kalojnë andej pari, apo ndoshta kalojnë, siç edhe kaluan, dhe i thanë që nuk mund të vazhdonte punën, që duhej t’i hiqte tullat nga aty e ndoshta edhe ta zvogëlonte murin e tarracës, sepse duket sikur një punë e papërfunduar e inspektorët konsiderojnë se shtëpia me kaq është përfunduar, se nuk ka gjasa që të bëhet kati i dytë, ndërsa në radio dëgjohet se mund të ketë korrigjim të lehtë të kufijve të Kosovës, dikush tjetër thotë se po bëhet këmbimi i territoreve dhe dikush tjetër se po ndahet një copë e vendit.

Imagjinoi si do të ishte kati i dytë kur të gjithë u mbyllën nëpër shtëpi gjatë pandemisë dhe këtë ëndërr e tregoi kur përfundoi pandemia, në ekspozitën e parë që u organizua në Galeri, kur doli për të shikuar se ku do të parkoheshin veturat, njëra prej godinave shumëkatëshe që ishte ndërtuar afër, kishte hapësirë për disa vetura që mund të parkoheshin, ishte godinë afariste që nuk punonte kur hapeshin ekspozitat, e një godinë tjetër prej njëzet mijë metrash katrorë — tridhjetë a dyzet mijë, ai nuk mund ta dinte se sa dhjetëra mijë metra katrorë kishte, ngase hapësirën e perceptonte nga përmasat e katit të dytë — e kishte ndryshuar aq shumë gjeografinë e atij vendi, sa disa prej njerëzve e thirrën me telefon për të pyetur a ishte Galeria ende në atë rrugë ku fillon apo përfundon Veterniku, varet prej këndvështrimit, pyetje që bëheshin në ditët kur në radio tregohej për një koalicion qeverisës që bie, një parti që fiton, disa të tjera që mallkojnë fituesin, paralajmërimet se, nëse nuk u pëlqen rezultati, do të kemi zgjedhje të reja e të shpeshta.

Isha mbrëmë në Galerinë Qahili për ekspozitën e radhës, kishte rrush dhe verë dhe terr në tarracën që në hotelieri e quajnë “rooftop”, Eshrefi ende e quan katin e dytë të pabërë, nga aty shihen Albi Malli, ndërtesa e një kompanie sigurimesh, një e kompanive të inverterëve, më larg një xhami me minare, në të cilën përcillen porositë kuranore në një shirit të gjelbër drite; ngjitur me të është një hotel në të cilin nuk ka porosi kuranore; nga shtëpitë e vjetra të rrugës ka mbetur vetëm kjo, me idenë se do të vijë koha për ta ndërtuar katin e dytë, ndërsa në radio dëgjohet se vendi ka hyrë në krizë politike dhe kushtetuese, në atë të radhës.