Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Säulen

Die vier Jahreszeiten

Ndërkohë, pak, apo aspak në këtë vend, nuk shkon ashtu siç do të duhej. Jetojmë të varur nga një varg improvizimesh këtu e aty, siç i bënim para 35 vjetësh kur duhej mbijetuar në rrethana okupimi. Atëherë kishim kërcënimin e tytave mbi kokë. Tash e kemi kërcënimin e paditurisë dhe luajtjes kolektive bixhozi me shtetin

Edhe pak ditë do të hyjmë në vjeshtë, e ne ende merremi me pasojat e inatit dhe kalkulimeve që në janë shtrirë apo do të shtrihen në katër stinë të vitit.

Mbajtëm zgjedhje në dimër; e shpërbënë Kuvendin në pranverë; kah fundi i pranverës votuam, e në verë hymë në krizën e radhës politike që mund të quhet parlamentare, se vendi ende nuk ka kuvend të konstituuar.

Hajde Kuvendi mbase edhe konstituohet javën tjetër (me rrezikun që vendimi të çohet në Kushtetuese, për të konstatuar se është shkelur aktgjykimi kur Kuvendi nuk është konstituuar pas certifikimit të rezultateve), sepse Dehari “si kryesues i Seancës Konstitutive e ka parë si një lajm të mirë arritjen e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës”, për pasojë e ka caktuar vazhdimin e seancës më 9 shtator.

Qeveria, po deshi VV-ja, mund të votohet nëse jo më 9 atëherë më 10 a 11, a kur të dojë me shpejtësi – pra të krijohet siguria që nëse shkojmë në zgjedhje të reja, do ta kemi një qeveri të zgjedhur, e cila, sërish, do ta marrë statusin e vet të preferuar. Të asaj “në detyrë”.

Pra, në vjeshtë mund të kemi kryetar shteti të zgjedhur, apo edhe jo, e në dimër gjithsesi do t’i kemi zgjedhjet, po qe se kryetari i shtetit nuk votohet.

Ndërkohë, pak, apo aspak në këtë vend, nuk shkon ashtu siç do të duhej. Jetojmë të varur nga një varg improvizimesh këtu e aty, siç i bënim para 35 vjetësh kur duhej mbijetuar në rrethana okupimi. Atëherë kishim kërcënimin e tytave mbi kokë. Tash e kemi kërcënimin e paditurisë dhe luajtjes kolektive bixhozi me shtetin.

* * *

Pra, e gjithë shtyrja verore u bë “për një kryetar konsensual”.

Njëherë qe ndarja i hises në pushtet ekzekutiv, kur kjo dështoi u reduktua në zgjedhjen e një kandidati apo kandidate për kreun e shtetit që u tjerr një muaj. Deri të hënën e shkuar, kur u mbajt një konferencë shtypi, nga më të pazakontat që kam parë, në hollin e Kuvendit.

Abdixhiku foli (në praninë e Kurtit, Muratit e Nagavcit nga VV-ja dhe Hazirit e Osmanit nga LDK-ja, plus kandidatit) dhe e përmendi emrin e Bekim Sejdiut si kandidat konsensual për t’u zgjedhur kryetar shteti.

Ajo që dihej për Sejdiun ishte se kishte qenë diplomat e më pas gjyqtar i Kushtetueses e tash profesor në UP. Nuk flitej për ndonjë militantizëm partiak, ani që një kohë ka shërbyer si këshilltar i Osmanit. Komentet për të, kryesisht, ishin pozitive.

Mbase nuk është çudi që edhe Sejdiu të ketë qëlluar jurist, (si ish kryetarët Sejdiu, Jahjaga dhe Osmani) - pra profesionist i një fushe që ia ka dalë ta hallakasë komplet sistemin politik të Kosovës në 15 vjetët e fundit, me shpikjen e normave kushtetuese që i ka bërë GJK.

Por, po qe se ia del të zgjidhet, mbase do të kemi një fije sigurie se bile ai nuk do ta shkelë Kushtetutën, duke e pasur parasysh se ka qenë njëri prej gardianëve të saj në të shkuarën.

E mbase fakti se ka qenë gjyqtari referues kur është marrë vendimi unanim për rrëzimin e Qeverisë Hoti, është diçka që garda e vjetër e LDK-së nuk ia fal.

Procesi i konsultimit brendapartiak qe invers – në vend se të ishin diskutuar dhe vendosur emrat brenda strukturave, emri u kthye prapa në kryesi të LDK-së, e më pas në të dyja grupet parlamentare.

Dhe përderisa kryesia e re e LDK-së e përkrahu kandidaturën e Sejdiut, Grupi parlamentar reagoi ashtu siç edhe mund të pritej. Ajo që nuk dihej saktësisht ishte përqindja e të rebeluarve brenda.

Në fund, gjashtë nga 18 deputetët u deklaruan se nuk e përkrahnin Sejdiun, duke mos ofruar argumente shumë të fuqishme. E as parimore.

* * *

Hoti, Bajrami, Shala, Zemaj, Gashi dhe Ymeri thanë që nuk e votojnë kandidatin, duke lënë të nënkuptojnë se nuk do të marrin pjesë në seancë kur të vijë puna e zgjedhjes.

Pra Hoti mbase e ka shndërruar këtë në çështje personale – ngase Kushtetuesja ia mori mandatin mbas nja gjashtë muajsh a sa; Bajrami deklaroi se nuk donte t’ia zgjaste pushtetin Kurtit, duke mos e kuptuar se me këtë veprim pikërisht e bën të kundërtën. Shala, dikur nënkryetar, Zemaj, veteran në kryesi dhe Gashi, i vetmi i cili cyste udhëheqjen partiake të bisedonte për të arritur marrëveshje – zgjedhjen eventuale të një kryetari apartiak po e shohin si nënshtrim ndaj Kurtit.

Do të kujtojmë se argumenti i cili na çoi në zgjedhjet e qershorit, e që më së zëshmi vinte nga LDK-ja, qe se “VV-ja i do të tri pozitat për vete dhe se për këtë arsye nuk kemi as pse takohemi me ta”.

Kësaj radhe madje pati disponim edhe për pjesëmarrje në koalicion, dhe duket se pikërisht lista eventuale e kandidatëve të përfolur prishi si koalicionin, ashtu edhe qëndrimin për zgjedhjen e një personi në krye të vendit me marrëveshje mes partive politike.

Do të ketë mundur të ndikonte shumë edhe fakti se bartësja e listës qe Osmani (ani që kishte deklaruar se kurrë nuk do të kthehej në LDK), sikurse që Osmani merrte pjesë në negociatat me VV-në si për qeverinë ashtu edhe për kandidatin.

Shumë indikative kishte qenë deklarata e Bajramit pak para se të kthehej Osmani në LDK: “Unë nuk jam njëra prej atyre që kthimin e zonjës Osmani e shoh krejt të natyrshëm dhe shumë të lehtë. Zonja Osmani nuk ka qenë në studime jashtë shtetit qe 6 vite, që me u kthy aq lehtë”. Mbase pikërisht ky edhe është problemi që e kanë këta gjashtë deputetë, që në zgjedhjet e radhës, nëse mbahen në dhjetor, do të mbesin edhe pa këto poste.

* * *

Ndërkohë, PDK-ja dhe Aleanca nuk ndërrojnë qëndrim. E çka konkretisht duan të arrijnë me qëndrimet e tyre “për opozitarizëm konstruktiv” nuk është se e kemi shumë të qartë.

Përderisa deri diku edhe po e kuptoj hezitimin e PDK-së për çfarëdo veprimi deri në shpalljen e aktgjykimit nga gjysma e këtij muaji, Aleancën nuk e kuptoj. Dhe nuk e kuptoj për shkak se e ka bërë një listë kërkesash të cilat edhe mund të miratohen nga Kurti – të premtosh është lehtë. Të zbatosh është marifet, ndërkohë që ato kërkesa nuk mund të realizohen pa kaluar nëpër Kuvend. E aty, vetë e thonë, mandati është i deputetit e jo i partisë.

Pra, Aleanca është partia e cila mund të shndërrohet në kyç për ta siguruar kuorumin për zgjedhjen e kryetarit të shtetit, në rast se gjashtë kundërshtuesit e LDK-së e rrëzojnë me (mos)veprime epitetin e tyre më të preferuar, “institucionalistë”.

Po të kenë pragmatizëm politik, dhe po ta kenë njëmend parasysh interesin e popullit, do të duhej të merrnin pjesë në seancë (dhe kësaj radhe ka pasur ftesa për takim me Gjinin, por janë refuzuar). E mandej, le të votojnë si ua ka ënda, fundja vota është e fshehtë.

Por, nëse shkojmë edhe njëherë në zgjedhje – me këtë faturë do të ngarkohet e gjithë opozita.

Pra, përderisa PDK-ja pret, sot një javë pritet të organizohet një marsh përkrahjeje e proteste njëkohësisht, për të akuzuarit në Hagë dhe gjykimin në tërësi. Supozoj se të gjitha përpjekjet janë orientuar aty, për ta shndërruar këtë në një manifestim me shumë pjesëmarrës.

Nuk e di nëse është menduar si një formë presioni ndaj trupit gjykues, por e kam zor të besoj se vendimi do ta presë ditën e seancës, nëse për asgjë tjetër, atëherë për arsyetimin që duhet dhënë, cilido të jetë verdikti në fund.

Disa herë e kam përsëritur – ky marsh, protestë, a si do të quhet vjen 11 vjet vonë. Në fakt gati 30 vjet vonë.

Po të kishim pasur një grimë mend, çështja e ndjekjes së krimeve të luftës ka mundur të jetë trajtuar në Kosovë, brenda një degë të veçantë të Supremes, pa pasur nevojë të ndërrohej Kushtetuta me presione e akuza për tradhti.  

* * *

Po dëgjoj tashmë disa herë të përsëritur kërcënimin se “nëse nuk lirohen, do ta kallim Kosovën”.

Vetë ideja se mund të kallësh pronë që nuk është jotja do të duhej të të tmerronte, sepse një veprim i tillë nuk dallon fare nga ajo që pushtuesi na e bëri gjatë luftës. Dhe jo, nuk të bën më shumë patriot as piskama, as kërcënimi e as kallja e paralajmëruar.

Logjika e rrënimit para asaj të ndërtimit e zhvillimit është kjo që e ka sjellë Kosovën në këtë gjendje të dërrmimit, jo vetëm fizik.

Mëkat!

[E-Mail geschützt]