Unterstützen Sie TIME. Bewahren Sie die Wahrheit.
Arberi

Verhaftungen geben Hoffnung auf Gerechtigkeit für das Massaker von Padalishte zurück

Masakra e Padalishtes

Për 27 vjet, drejtësia për masakrën e Padalishtës ishte një pritje e gjatë për familjarët e 19 civilëve të vrarë. Arrestimi i dy të dyshuarve për këtë masakër, u prit me gëzim nga të mbijetuarit. Ata thonë se asnjë dënim nuk ua kthen më të dashurit, por zbardhja e krimit dhe ndëshkimi i përgjegjësve do t'ua lehtësonte dhimbjen.

27 vjet pas masakrës së Padalishtës, lajmi për arrestimin e dy të dyshuarve për krime lufte i ka dhënë Hyrije Imerajt shpresë për drejtësi. Por, bashkë me të, iu kthyen edhe dhimbjet e ditës së 26 marsit të ‘99-s, kur para syve iu vra burri dhe djali 21-vjeçar.

Duke kujtuar momentin kur ia morën djalin nga duart, Imeraj ka thënë se, përkundër varreve që mbulojnë tokën, shumë prej atyre që kryen krime ende nuk janë përballur me drejtësinë.

“Jam gëzu boll. Jam gëzu boll që i kanë arrestu se më kanë tregu e nuk kam fjet krejt natën. Vallahi halle, na me hongër dhe e ata me e gëzu lirinë vështirë është për neve. Vështirë se një arë varre e kem të rinj e të reja krejt, veç dy-tre pleq... krejt fëmijë, krejt fëmijë tu u rrit. Unë për veti nuk pres mirë kurrë se prej prehri ma kanë marrë djalin, unë ngreh ata ngreh. Duart qeshtu ngryk më kanë mbet... më ka dalë djali prej ngryku”, është shprehur dëshmitarja e masakrës.

Imeraj ka thënë se me njërin prej të arrestuarve kanë pasur raporte fqinjësore para luftës.

“Nuk i njoh veç çka e di se burri jem i ka ruajt lopët me ta. E di që i Cerkolezit... familjen ma ka ma mbyt i Cerkolezit se kur u ardh me yrysh i ka ra xhamit e krejt xhamat na kanë ra, gjak fytyra na u ka ba. I ka thanë plaku jem ‘mo kojshi se mi tranove fëmijët’, ai e ka sha serbisht edhe i ka thënë ‘nuk ka ma kojshi’. Unë e di që të Cerkolezit ma kanë mbytë familjen, vallahi nuk i njoh se më ka ra të fikët kur ma kanë marrë djalin, më ka ra të fikët... U kanë si i zeshkët e i gjatë ai njeri… Vallahi shkoj shpesh atje, përkrahësh më çojnë, po shkoj po i shoh bile qashtu. Dheun po e shoh. Dheu nuk ta hekë mallin, as fotografia nuk ta hekë mallin…”, ka vazhduar Hyrije Imeraj.

Në tmerrin e kësaj masakre Shefqet Imerajt i mbetën të vrarë gjashtë anëtarë të familjes.

“Unë nuk kam dashtë as me u kthye fare duke e dit që ka qenë gjithçka për mua e humbur, por kemi bo përpjekje… Kujt i ka bërë Afrimi dyvjeçar problem, kujt i ka bërë plaka Mihane Manaj Ymeri 80 e kusur vjeç, kujt i ka bërë ajo problem... Çfarë haku, çfarë zori kanë pasë me i mbytë ata. Prindërit e mi të dytë afër moshës 70 vjeçare, të dy i kanë ekzekutuar këtu në këtë vend ku janë. Vajza e vëllait Sebahatja, e kanë mbyt tri ditë pa shku nuse”, ka thënë Shefqet Imeraj.

Megjithëse ka thënë se familjarët e vrarë nuk mund t'i kthejë më, Shefqet Imeraj e ka konsideruar arrestimin e të dyshuarve një hap drejt zbardhjes së krimit

“Ne e kemi mirë prit shumë si banorë. Jemi jashtëzakonisht të kënaqur sa do që ne nuk mundemi me marrë hak, por ndoshta është një satisfaksion që është duke punu dikush në atë drejtim. Le të zbardhet krimi, le të gjendet krimineli, neve na pushon shpirti ma tepër. Ndoshta vonë, por më mirë vonë se kurrë”, ka thënë ai.

Të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë u mbajt seanca fillestare ndaj Zikica dhe Gruica Belosevic, të dyshuar për pjesëmarrje në masakrën e Padalishtës. Gjykata ua caktoi nga një muaj paraburgim.

Ata dyshohet se morën pjesë në masakrën e 26 marsit të vitit 1999 në Padalishtë të Istogut, ku u vranë 19 civilë. Më i riu ishte vetëm dy vjeç, ndërsa viktima më e moshuar ishte një grua mbi 80 vjeçe.