Vetëm gjatë këtij viti ndërmarrjes i janë bllokuar dy herë llogaritë. Dhe kjo, për shkak se më 2022, mbi bazën e vendimit të dytë të Arbitrazhit, Telekomi i detyrohet ndërmarrjes “Dardafon” 12 milionë euro e që deri më 2025 me interpretimin aktual të gjykatës do të bëhen rreth 16 milionë euro. Telekomi nga vlera bazë tash po i konteston 7 milionë euro. Kontesti lidhet me shkëputjen e kontratës me “Dardafonin” më 2019
Telekomi i Kosovës, ndërmarrje publike me mbi 1.700 punëtorë, i ka llogaritë bankare të bllokuara që prej 4 tetor. Ndërmarrja që ofron shërbime të telefonisë, internetit dhe televizionit, 15 vjet më parë operonte me fitime të mëdha, madje duke ndarë dividendë dhjetëra milionësh në vit për buxhetin e shtetit. Por, sipas menaxhmentit dhe Sindikatës së punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje, kontratat me operatorët privatë dhe përpjekjet për privatizimin që nisën nga 2010-a e nuk u bënë kurrë e kanë kthyer mbrapsht perspektivën e saj. Ata thonë se pasojat e mëdha të keqmenaxhimit dolën në sipërfaqe sidomos nga viti 2015. Një vit më herët, fitimi ishte 16 milionë euro, ndërsa fitimi solid i radhës u regjistrua tek në vitin 2023.
Por, me gjithë rimëkëmbjen e saj, vendimet gjyqësore nga kontratat e trashëguara vazhdojnë të mbeten sfidë e menaxhmentit aktual. Vetëm gjatë këtij viti, ndërmarrjes i janë bllokuar dy herë llogaritë. Dhe kjo për shkak se më 2022, mbi bazën e vendimit të dytë të arbitrazhit, Telekomi i detyrohet ndërmarrjes “Dardafon” 12 milionë euro, e që deri më 2025 me interpretimin aktual të gjykatës do të bëhen rreth 16 milionë euro.
Telekomi nga vlera bazë tash po i konteston 7 milionë euro. Kontesti lidhet me shkëputjen e kontratës me “Dardafonin” më 2019.
Punëtorët e ndërmarrjes, sipas Federatës Sindikale të Pavarur të Postës dhe Telekomit, po e ndiejnë peshën e keqmenaxhimit me ndërmarrjen. Atyre, siç thotë kryetari i Sindikatës, Lamih Balaj, përveçqë u vështirësohet gjendja ekonomike, u vështirësohet edhe qasja në financa përmes bankave.
“Sot ne jemi të pakënaqur për shkak se pasojat e nënshkrimeve dhe keqmenaxhimeve na kanë sjellë në një gjendje që jemi me llogari të bllokuara dhe nuk e dimë çka do të ndodhë më datën 1 dhjetor ndoshta. A do të mund të marrim paga? A do të mund të mbijetojmë apo çka do të ndodhë?... Unë, nëse ta tregoj telefonin këtu, minimumi i kam prej banke nja 10 mesazhe dhe nja pesë thirrje për mospagesën e këstit të kredisë – jo veç unë. Unë po them për vete se jam një prej atyre që kam kredi. Kam marrë kredi afatgjate për banim dhe përveçqë s’mund t’i paguash më ato mjete, s’mund ta mbash familjen me ato pak mjete që i kemi. Besa kemi humbur e nuk jemi në gjendje më të ndodhë diçka (v.j shpenzim i paparashikuar), nëse të duhet ta marrësh një kredi të re, ta ripërtërish një kredi, as që merren bankat me ne. Ne e kemi humbur krejt atë imazhin, na kanë humbur këto gjëra të këqija që kanë ndodhur në Telekomin e Kosovës”, ka thënë Balaj.
Gjendja në këtë ndërmarrje, siç tregon Balaj, është e rëndë, përderisa i akuzon institucionet dhe partitë politike se kanë heshtur në vazhdimësi për gjendjen në ndërmarrjen publike.
“Ndërmarrja publike më e madhe në vend, ndërmarrja e cila operon me mbi një mijë e shtatëqind punëtorë, ndërmarrje e cila ka dhënë dividendë të jashtëzakonshëm, ndoshta një prej ndërmarrjeve ose e vetmja prej atyre publike që i ka dhënë mbi 500 milionë dividendë shtetit, ka ardhur në këtë gjendje. Dhe për çudi është që heshtja e institucioneve, të gjitha institucioneve, do të thosha, karshi Telekomit të Kosovës, duke filluar prej partive politike në vazhdimësi, bordeve që kanë qenë në vazhdimësi dhe qeverive që kanë qenë në vazhdimësi, kanë heshtur për nënshkrimin e atyre kontratave të dëmshme. Është periudhë jashtëzakonisht e vështirë. Në këto momente kur po flasim, një pjesë e madhe dërrmuese nuk i kanë marrë pagat si punëtorë të Telekomit për shkak se tashmë ju e dini të gjithë dhe e di opinioni publik që janë bllokuar llogaritë e Telekomit. Është çështje e bordit, menaxhmentit dhe e institucioneve shtetërore të gjejnë një alternativë për t’i qitur pagat e punëtorëve, por kjo gjendje kështu është e rëndë dhe nuk mund të vazhdojë”, ka shtuar ai.
Dëmet e shkaktuara ndaj Telekomit
Për gjendjen në Telekom u formua një komision parlamentar më 2019, por ai nuk e përmbylli mandatin e as nuk u rithemelua. Nga ana tjetër, Prokuroria Speciale ka ngritur disa aktakuza, mirëpo asnjëri nga anëtarët e menaxhmetit të lartë të ndërmarrjes nuk janë shpallur fajtorë. Një rast i vetëm ku drejtësia mund “të mburret” se ka vepruar ndaj keqpërdorimeve është ende në proces. Dy prej shtatë personave që i ka akuzuar Prokuroria Speciale sivjet për korrupsion e kanë pranuar fajësinë. Dëmi i shkaktuar në këtë rast është vlerësuar 160.000 euro nga Prokuroria Speciale.
Ky rast që pritet të marrë epilog nga drejtësia nuk e ngushëllon Sindikatën dhe menaxhmentin e tashëm të Telekomit. Të dyja shprehin dëshpërimin që drejtësia nuk ka vepruar ndaj kontratave shumëfish më të dëmshme, sidomos ajo me “Dardafonin” – që sipas sektorit të Financave të Telekomit, për 10 vjet i kanë shkaktuar dëm kësaj ndërmarrjeje afro 100 milionë euro. Ata thonë se vazhdimisht kanë çuar kallëzime penale e kanë ngritur dyshimet e tyre te hetuesia.
“Çka ka ndodhur në Kosovë edhe po të kishte ndodhur ndoshta në shtetet afrikane e atje diku, ose në shtetet më të dobëta në botë, do të duhej të hynte prokuroria në hetime, por vazhdimisht ne kemi bërë thirrje, kemi dërguar lëndë për këto kontrata të dëmshme në krime ekonomike, deri te kryeprokurori i shtetit dhe ata që kanë sjellë një demotivim edhe më të madh sesa kontratat e dëmshme. Është rast precedent kur brenda një viti të bllokohen dy herë llogaritë e Telekomit për të njëjtin problem. Domethënë për të njëjtin, nga e njëjta kompani. Kur krejt letrat, kur krejt faktet dhe argumentet të çojnë në kontratë korruptive, me një aferë korruptive, jo vetëm kontratat, por edhe anekskontratat që janë bërë në vazhdimësi”, ka theksuar kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit.
E Fehim Kelmendi, drejtor i Financave në Telekom, thotë se nëse dikush e denoncon një kontratë me fakte e prova në prokurori dhe Prokuroria, sipas tij, nuk e merr as mundin ta thërrasë atë person e ta pyesë se çka është kjo, atëherë motivi bie për të denoncuar parregullsitë.
“Të paktën Prokuroria është dashur të merrej me ne ose të na padisë pse po ngremë kallëzimet penale të pabaza... Ata nuk e kanë bërë asnjërën. Kështu që këto kontrata të dëmshme, vazhdimisht Telekomi ka pasur, e kanë dhënë efekt domethënë: efektet e tyre nuk janë eliminuar ende krejtësisht. Ka edhe raste të tjera që d.m.th. janë nënshkruar kontrata, të cilat do të jenë aty përballë nëpër gjykata; kuptohet me vlera më të vogla sesa rasti me “Dardafonin”, mirëpo ka kontrata të tjera me të cilat çdo ditë përballemi në gjykatë”, ka thënë Kelmendi.
Kontrata e dëmshme
Një prej kontratave që vazhdimisht janë cilësuar si të dëmshme është ajo për operatorin virtual. Në vitin 2009, Telekomi i Kosovës Sh.A. lidhi marrëveshje partneriteti/mbështetjeje me Operatorin e Rrjetit Mobil Virtual (ORMV) “Dardafon.net l.l.c”, në të cilën marrëveshje janë përcaktuar bazat e bashkëpunimit në mes palëve. Meqë gjatë rrugës Telekomi nuk u është përmbajtur termeve të kontratës, Dardafoni e ka çuar rastin në Arbitrazh e në Gjykatë Komerciale me pretendime se Telekomi i shkeli kushtet e kontratës dhe marrëveshjet e mëvonshme.
Kryeshefi i Telekomit, Shyqri Haxha, është shpallur i pafajshëm lidhur me akuzat për lidhje të kontratës së dëmshme. Edhe ish-kryetari i Bordit, Rexhë Gjonbalaj, ish-kryeshefat Ejup Qerimi e Agron Mustafa janë liruar lidhur me pretendimet e Prokurorisë Speciale se e kanë dëmtuar me qëllim shtetin, duke ia hapur rrugën kompanisë “Z-Mobile” për të nxjerrë dhjetëra miliona euro me arbitrazh.
Fehim Kelmendi, që drejton financat e Telekomit, tregon se njëri proces i arbitrazhit me kompaninë “Dardafon – Z-Mobile” ndërlidhet me kontratën e vitit 2009.
“Ndërmjet kompanisë ‘Dardafon-Z Mobile’ dhe Telekomit janë zhvilluar dy procese të arbitrazhit. Procesi i parë është zhvilluar në vitin 2015 dhe vendimi është marrë në vitin 2016. Ka pasur një vlerë të caktuar rreth 27 milionë e ka pasur shumën fillestare të detyrimit. Gjatë ekzekutimit të këtij vendimi të arbitrazhit, vendimit të parë, janë paraqitur probleme për shkak se janë lidhur disa herë marrëveshje të ndryshme për kompensime mes palëve, për cilat pastaj palët s'ka mundur të arrijnë pajtueshmëri edhe çështja ka përfunduar nëpër gjykata. Dhe ky proces ka zgjatur. Pjesa e fundit që është tërhequr nga përmbaruesi është viti 2023, domethënë zbatimi i vendimit të parë ka dhënë prej 2016-s na ka ardhur vendimi e më 2023 u bë ekzekutimi i fundit, mirëpo për ne ende është në kontest që ne edhe këtë shumë këtu kemi bërë ankesa në shkallë se konsiderojmë se prapë është e padrejtë. Kemi të bëjmë me shtatë vjet për vendimin e parë, mund të them”, ka thënë ai.
Kelmendi tregon se për 10 vjet, obligimet prej kontratës me “Z Mobile” i kanë kushtuar komplet Telekomit 100 milionë euro, prej të cilave 45 milionë kanë dalë vetëm prej arbitrazhit të parë që tash është përmbyllur. Por, arbitrazhi i dytë me të njëjtën kompani ia ka bllokuar llogaritë ndërmarrjes. Kontesti tash po zhvillohet për rreth shtatë milionë euro, të cilat Telekomi pretendon se nuk ia ka borxh kompanisë private.
“Kur e kemi bërë padinë për anulim të vendimit të Arbitrazhit, gjykata e ka hedhur poshtë kërkesën tonë, me arsyetimin që nuk ka kompetencë ta trajtojë këtë lloj padie. Edhe kjo automatikisht i ka hapur rrugë për t’u trajtuar kërkesa e ‘Z-Mobilet’ për njohje. Vendimin për njohje e ka marrë diku në korrik 2020 e ka në vitin 2024. Pas njohjes, nëse s'e paguan në mënyrë vullnetare, ai e ka të drejtën të të çojë në procedurë, pra ta fillojë procedura përmbarimore. Meqenëse ne e kemi ende në kontest padinë tonë për anulim, ne e kemi bërë prapësim të vendimit me procedurë përmbarimore të urdhrit përmbarimor. Shkalla e parë e ka lënë në fuqi urdhrin përmbarimor dhe janë bllokuar mjetet”, ka deklaruar Kelmendi.
Në shkurt të këtij viti Telekomi u bënte thirrje për hetim institucioneve të drejtësisë për, siç pretendonte, krime financiare, kur iu bllokuan llogaritë. E “Z-Mobile”, në një përgjigje për KOHËN lidhur me njoftimin e Telekomit, kujtoi përqindjen e kamatës bazë. Tha po ashtu se me stërzgjatje të procesit do të dëmtohet vetë Telekomi.
“Ne kërkojmë që Telekomi i Kosovës të reflektojë sa më shpejt dhe ta përmbushin obligimin e tyre që buron sipas vendimit final të Arbitrazhit, në mënyrë që të mos i kalkulohet kamata prej 8% në vit edhe me tutje dhe të krijojë dëme në vazhdimësi ndaj ndërmarrjes së tyre”, thuhet në përgjigjen e “Z Mobile”.
Këndellja e vogël
Viti 2023 ka qenë ndryshe nga të tjerët. Kjo ndërmarrje realizoi bilanc pozitiv me shtatë milionë. Por instituti GAP, duke e parë rrjedhën më afatgjate të kësaj ndërmarrjeje, ka vlerësuar se kjo ndërmarrje nuk është treguar stabile. Më 2021, produkti kryesor i Telekomit u përball me një kërcënim madhor. Shkak ishte akumulimi i borxhit në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare. ARKEP-i e paralajmëroi Telekomin se duhet ta paguajë tarifën për brezin frekuencor 900/1800 megaherc, përndryshe do t’i hiqej licenca. Kjo siç tregon profesori i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, do të përbënte mosfunksionim të rrjetit telefonik të Valës.
“Pamundësia e shfrytëzimit të brezit frekuencor 900 MHz deri 1800 MHz nënkupton që të gjitha stacionet bazë që operojnë në këto frekuenca në cilëndo teknologji (2G, 3G, ose 4G) të mos mund të ofrojnë mbulueshmëri e rrjedhimisht as shërbime ‘voice’ (që ndërlidhen me komunikimin me zë përmes telefonit) dhe “data” (që ndërlidhen me komunikimin me të dhëna, përfshirë mesazhet dhe internetin v.j). Që nga fillimi i telefonisë mobile në Kosovë, këto frekuenca kanë qenë më të përdoruarat nga të dy operatorët mobilë, deri me alokimin e fundit të frekuencave nga ARKEP-i në brezin 700 MHz dhe 3500 MHz”, ka thënë Bujar Krasniqi, profesor universitar.
Telekomi ka qenë në qendër të diskutimeve edhe në Kuvendin e Kosovës, por edhe vend ku janë punësuar familjarët dhe militantët e partive politike. E Qeveria, e udhëhequr prej Vetëvendosjes, në kuadër të reformës dhe ristrukturimit ka zbatuar një politikë të largimit vullnetar. Hulumtuesi i Institutit GAP, Besart Zhuja, vlerëson se kjo politikë ka mundësuar kursim të buxhetit të Telekomit.
“Bëhet fjalë për 65 punëtorë në vitin 2023, por që pakoja është aktive gjatë dy viteve. Tregohet një reduktim i shpenzimeve për shkak se në vitin 2023 ka mbi shtatë milionë euro që janë kursyer dhe theksohet në raport që janë kursyer si rezultat i uljes së numrit të punëtorëve dhe uljes së shpenzimeve operative”, ka thënë Zhuja.
Zhuja thotë se në Telekom keqmenaxhimi ka qenë sistematik. Dhe jo rastësisht sipas tij menaxhmenti i tashëm është detyruar që të sjellë një vendim që u kërkon punëtorëve raport mjekësor pasi mungojnë tri ditë rresht në punë.
“Faktikisht, flasim për një vendim 2023, të cilin e ka marrë bordi i drejtorëve të Telekomit. Është vendim befasues, siç e cilësuat edhe ju, për shkak se ai vendim e rikthen një rregullore, e cila kërkon që punonjësit nëse mungojnë mbi tri ditë duhet të sjellin një raport mjekësor. Kjo tregon faktikisht në gjendjen në të cilën ka qenë më herët Telekomi ku, për shembull, ndoshta nuk kanë shkuar fare në punë dhe janë paguar pa shkuar fare në punë. Kjo natyrisht që duket si një vendim shumë absurd, po i rëndësishëm për nga aspekti i vendosjes së një rigoroziteti në kontrollimin të operacioneve të punëtorëve e të ekipeve të cilat ofrojnë shërbime për Telekomin”, ka shtuar ai.
Zhuja thotë se Telekomi duhet ta vazhdojë fokusin te investimet dhe zhvillimi i produkteve për konsumatorët e saj. Këtë s’e sheh si rrugëdalje për ndërmarrjen.
“Faktikisht rrugëdalje janë këto: qasja ose filozofia më ndryshe e menaxhmentit, investimet – për shkak se kemi shumë ndërmarrje, të cilat nga Qeveria marrin subvencione, po të njëjtat i përdorin vetëm për shpenzime operative. Pra, pagesë të rrogave, të mëditjeve, të shpenzimeve të stafit operativ, kurse edhe në rastin e Telekomit i kemi rastin ku janë marrë disa kredi, por të cilat shërbejnë për ekzekutimin e pakove për largim nga puna dhe ekzekutimin e disa investimeve, të cilat janë bërë pjesërisht nga kredia nga Qeveria, pjesërisht me të hyrat vetjake që i ka Telekomi. Investimet në infrastrukturë, siç e përmenda, rritja e pikave të shitjes; zgjerimi i produkteve e gjitha këto janë një strategji që do ta nxjerrë Telekomin në bilanc pozitiv edhe për vitet e ardhshme”, ka deklaruar Zhuja.
Në Telekom thonë se do të gjenden forma për të paguar pagat e punëtorëve - kanë përmendur si mundësi kompensimin e punëtorëve me fitimin që e realizon ndërmarrja. Por, drejtuesit e saj dhe Sindikata insistojnë që organet e drejtësisë të angazhohen në hetimin e veprave korruptive që në këtë ndërmarrje në të kaluarën kanë qenë të shumta.