COSMO

Gjahu për hotelin e “askujt”

Hoteli Grand nuk është më “i madh”. S’ka më prestigj. S’ka as pronar. Që 19 vjet, është thuajse i askujt. Pronarë të përkohshëm e pretendentë të tjerë të politikës e të biznesit, ia mësynë kësaj prone për qëllime përfitimesh. Në vend se të rigjallërohet, Grandi u bë lëndë e kontestimeve juridike për afro dy dekada

Shkronjat kanë rënë. Hoteli me histori gjysmë shekulli, ka mbetur pa emër, pa yje e pa mysafirë. Korridoret janë të errëta. Dhomat kanë numra treshifrorë ani që janë në përdorim trefish më pak. Hapësirat e hotelit shfrytëzohen nga biznese, organizata, e nga qytetarët për tubime mortore. Këto janë vetëm disa nga dëshmitë e stërkeqes së godinës 14-katëshe, simbol i qendrës së Prishtinës, e që kishte nam të madh edhe në Jugosllavi. Hoteli Grand nuk është më “i madh”. S’ka më prestigj. S’ka as pronar. Që 19 vjet, është thuajse i askujt. Pronarë të përkohshëm e pretendentë të tjerë të politikës e të biznesit, ia mësynë kësaj prone për qëllime përfitimesh. Në vend se të rigjallërohet, Grandi u bë lëndë e kontestimeve juridike për afro dy dekada. Betejat për të kaluan kufijtë ndërkombëtarë, për të mbërritur në SHBA, ku në ditët e para të këtij viti nxorën një epilog gjyqësor - biznesmenit e politikanit me pasaportë zvicerane Behgjet Pacolli, shteti i Kosovës duhet t’ia kthejë 6 milionë euro. 
Pak pas përfundimit të luftës, këtë ndërmarrje shoqërore si edhe të tjerat i priste fati i njëjtë – shitja. Por për të nisur ky proces, i panjohur deri atë kohë për qytetarët e Kosovës, në vitin 2002 nga strukturat e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) themelohet Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) me qëllimin e menaxhimit dhe privatizimit të qindra ndërmarrjeve me afro 4000 asete, ndër to edhe hoteli “Grand”.  

Kjo ndërmarrje u kategorizua si e rëndësisë së “veçantë” dhe iu nënshtrua shitjes me metodën e Spin-offit Special. Kjo metodë kushtëzonte blerësin që të ruante karakterin e veprimtarisë së ndërmarrjes, si dhe të përmbushte zotimet për investime e  punësime. Në rast të mospërmbushjes së këtyre detyrimeve, AKM-ja mund të merrte vendimin për tërheqjen e aseteve nga blerësi.

Siç përmendet edhe në studimin e hulumtueses në Institutin Norvegjez për Punë të Jashtme, Rita Augestad Knudsen deri në themelimin e AKM-së ekzistonte një paqartësi lidhur me pronësinë e NSH-ve. Për dallim nga ndërmarrjet publike që ishin në pronësi të shtetit, ato shoqërore ishin rast unik vetëm në Jugosllavi dhe patën një status juridik më të paqartë. 

Grandi u vendos në shitje më 1 shtator 2005 dhe afati për oferta ishte i hapur deri në shkurt 2006. 
Këtë periudhë e kujton edhe drejtori i hotelit, Albert Mirdita, i cili në këtë ndërmarrje ka punuar për 40 vjet.

“Grandi privatizohet më 12.10.2006, kur e merr konsorciumi Uni Commerce, e blen, edhe nis një periudhë tjetër kohore, largohen ekspertët, largohen shumë punëtorë, shkojnë, ish problemi i pagave, të mos i përmend shumë sende të tjera, edhe vjen numri i punëtorëve, non-stop ka rënë. Grandi, prej 369 dhoma për momentin diku janë rreth njëqind dhoma funksionale, sepse siç e dini, ka nisur njëfarëlloj adaptimi ose renovimi ka nisur”, ka thënë Mirdita.

Garën për Grandin e fitoi kompania Unio Commerce, në pronësi të Zelqif Berishës, e cila ka ofruar 8.1 milionë euro. Pas shpalljes së fituesit, doli se ai nuk ishte i vetëm, gjë që çoi në përplasjet mbi pronësinë dhe aksionet. Nuk munguan as akuzat për ryshfet e zhvatje ku përfshihen biznesmenë e politikanë me ndikim.

Pronarët “e fshehur”

Zelqif Berisha u bë zyrtarisht pronar i hotelit “Grand” më 13 tetor 2006, kur të gjitha aksionet i kaluan kompanisë Unio Commerce. Në marrëveshjen që kishin lidhur me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, investitori obligohej që brenda 6 muajve të punësonte 270 punëtorë, e kur të bëhet 1 vit nga nënshkrimi, 570 punësime. Gjithashtu kontrata obligonte Unio Commerce-in për investimin e 20 milionë e 200 mijë eurove brenda 2 vjetësh.

Por, përtej dokumenteve e shitjes zyrtare, për “Grandin” dolën edhe dy persona që pretendonin pronësi ose aksione mbi të. 

Sipas shkresave të lëndës në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investimore dhe dëshmive që kanë dhënë palët për këtë çështje në marrëveshje me Berishën u përfshinë edhe biznesmenët Behgjet Pacolli dhe Remzi Ejupi.

Pacolli, tani deputet në parlamentin e Kosovës, në arbitrazh ka deklaruar se Berisha nuk i ka pasur mjetet e nevojshme, të cilat i ka ofertuar për blerjen e Grandit. Në pamundësi që ta përballojë investimin, nëpërmjet personave të tjerë, Berisha, sipas Pacollit, ka kërkuar që ai dhe Ejupi, jo zyrtarisht të përfshihen në blerjen e hotelit. 

Pacolli pretendon se ka paguar rreth 4 milionë euro për 40% të aksioneve në Grand. Por në arbitrazh, zyrtarë të AKM-së, që më pas u quajt AKP, kanë deklaruar se nuk janë njoftuar për marrëveshjen mes biznesmenëve. 

Në shkresat e lëndës thuhet se palët, në janar të vitit 2007 kishin nënshkruar një “marrëveshje mirëkuptimi”, për të formalizuar investimin e të tria palëve. Kjo kontratë, sipas arbitrazhit, parashihte që Unio Commerce të mbetej zyrtarisht pronar i hotelit Grand për një periudhë 2-vjeçare.
“Kështu, sipas paragrafit 2 të Marrëveshjes së Mirëkuptimit, Unio Commerce ishte fillimisht “blerësi ligjor”, ndërsa zotërinjtë Ejupi dhe Pacolli ishin “blerësit aktualë”. Kur kaluan dy vjet, paditësi (v.j. Pacolli), NTSH (v.j. kompania e Ejupit) dhe UTC (v.j. shkurtesë për Unio Commerce) do të bëhen zyrtarisht pronarë të përbashkët të aksioneve, me aksionet e shpërndara ndërmjet tre pronarëve si më poshtë: UTC 40%, NTSH 20% dhe paditësi 40%”, thuhet në shkresën e lëndës së Arbitrazhit.
Por sipas Pacollit, në vitin 2008, Uni Commerce refuzoi t’ia njihte atij dhe Ejupit pronësinë mbi hotelin. 
Në dëshminë e tij në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investimore, deputeti Pacolli akuzon Zelqif Berishën se nuk e lejoi as të futet në hotelin Grand e as të investojë. Madje akuzat rëndohen saqë Pacolli pretendon që Unio Commerce këto veprime i kishte marrë në koordinim me AKP-në me qëllim të zhvatjes së tij dhe Remzi Ejupit, ose përjashtimin e tyre nga projekti.

Rikthimi i aseteve nga AKP-ja

Pas daljes në shesh të mosmarrëveshjeve, AKP-ja konstatoi se Uni Commerce ka dështuar në përmbushjen e obligimeve sipas kontratës së blerjes së Grandit. 

Agjencia Kosovare e Privatizimit, angazhoi një auditim të pavarur lidhur me përmbushjen e kontratës në periudhën gusht 2006 – gusht 2009. Raporti zbuloi se vetën 1.2 milionë nga 20 milionë euro të zotuara ishin investuar në hotel. E sa i përket obligimit tjetër që kishte marrë blerësi, lidhur me punësimet, Auditori konstatoi se aty i përmbushi obligimet në vitin e parë dhe të tretë, por në të dytin angazhoi 121 punonjës më pak sesa kishte marrë obligim. 

Pas auditimit, palët e përfshira kishin kuptuar se Agjencia po e shqyrton mundësinë për tërheqjen e aksioneve, siç parashihej edhe në kontratë në rast të mospërmbushjes së obligimeve. 

Sipas shkresave të arbitrazhit, këtu fillon një episod ku Selim Pacolli, vëllai i ish-presidentit dërgon një sërë letrash në adresë të AKP-së me qëllimin për ta pamundësuar tërheqjen e aksioneve. Në përgjigjet që Agjencia i kishte kthyer Pacollit, theksohej se zyrtarisht pronar njihet vetëm Zelqif Berisha.

E nga ky zhvillim filluan përplasje më të ashpra dhe publike mes palëve. Madje ishte përfshirë edhe Prokuroria. 

“Sipas paditësit, pasuan një sërë tentativash për zhvatje nga ana e AKP-së. Së pari, persona të caktuar me lidhje të ngushta me AKP-në dhe drejtorin e atëhershëm të saj, z. Dino Asanaj, kinse kërkuan nga zotërinjtë Pacolli dhe Ejupi që të paguajnë edhe 4 milionë euro shtesë për regjistrimin e aksioneve të hotelit Grand, ose përndryshe aksionet nuk do t’i regjistroheshin dhe në fakt do të tërhiqeshin. Z. Ejupi konfirmon se këto tentativa zhvatjeje janë bërë dhe janë organizuar konkretisht nga z. Asanaj. Të ashtuquajturit “ndërmjetës të AKP-së” ishin Astrit Haraqija, ish-ministër i Financave; Ukë Rugova, djali i ish-presidentit dhe deputet në Kuvendin e Kosovës; dhe Gazmend Abrashi, biznesmen dhe ish-ofertues për hotelin Grand. Z. Pacolli thotë se ka refuzuar ta bëjë pagesën”, thuhet në shkresë. 
Më 31 maj 2012, AKP-ja përfundimisht shpalli vendimin e saj për tërheqjen e aksioneve të hotelit Grand. 

Pak ditë më vonë, më 14 qershor të 2012-s, udhëheqësi i Agjencisë së Privatizimit, Dino Asanaj, gjendet i vdekur në zyrën e tij, nga plagët e marra nga therja me thikë. Raporti i autopsisë konstatoi se Asanaj kishte kryer vetëvrasje.

E në fillim të gushtit të të njëjtit vit, AKP-ja kishte dëbuar nga hoteli ish-blerësin legjitim të kësaj ndërmarrjeje, Zelqif Berisha, duke vendosur në hyrje të hotelit personelin e sigurimit që të mos e lejonte hyrjen e askujt në këtë objekt. AKP-ja përpos marrjes nën menaxhim 100 për qind të aksioneve të kësaj ndërmarrjeje, ka rikthyer edhe në pronësi të sajën këtë pronë, të cilën disa vjet më parë Berisha e kishte regjistruar në emër të vetin në kadastrën e Komunës së Prishtinës.

Beteja ligjore brenda dhe jashtë vendit

Më 8 qershor 2012, Unio Commerce ngriti padi kundër AKP-së në Gjykatën Supreme të Kosovës, dhe më konkretisht në Dhomën e Posaçme të Gjykatës për Çështjet që kanë të bëjnë me Agjencinë e Privatizimit, duke kundërshtuar vendimin e AKP-së për tërheqjen e aksioneve në Grand Hotel dhe duke kërkuar një urdhër të përkohshëm që ndalon AKP-në që ta bëjë këtë. 

Por Unio Commerce, me pronar Zelqif Berishën humbi rastin. Ai krahas padisë kundër vendimit të AKP-së për tërheqje të aksioneve, kishte nisur edhe një padi tjetër lidhur me pronën. Por në AKP kanë njoftuar se edhe këtë rast e ka humbur Berisha. 

Krahas proceseve gjyqësore në Kosovë, në maj të vitit 2017 Behgjet Pacolli paditi shtetin duke kërkuar që t’i kthehen mjetet që i ka dhënë për blerjen e hotelit. 

Padia u bë në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investimore. Pacolli iu referua Ligjit për Investime të Huaja për të ushtruar padinë, duke përdorur faktin se është edhe “i huaj”, përkatësisht shtetas zviceran. 

Me 4 janar të 2025-tës, ai njoftoi se ka fituar çështjen.

“Vendimi parashikon që Qeveria e Kosovës duhet të rikthejë shumën e paguar nga Mabco për objektin që, për shkak të refuzimit për të paguar haraç, nuk iu njoh kurrë e drejta e pronësisë, megjithëse pagesën Qeveria e kishte inkasuar në kohë (në vitin 2006)”, ka thënë Pacolli më 4 janar.

Por si fitore, këtë çështje u mundua ta paraqesë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Tha se u vërtetua që Hoteli mbetet në pronësi publike.

“Republika e Kosovës, sipas vendimit të Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve të Investimeve, ka gjetur që nuk ekziston asnjë premisë, dëshmi apo teori që do t’ia mundësonte Behgjet Pacollit pronësinë mbi Grandin. E vetmja gjë për të cilën obligohet Republika e Kosovës, është kthimi i vlerës monetare, të cilën Pacolli ia kishte dhënë AKP-së në emër të privatizimit. Edhe pse ai nuk ishte palë në procedurë, AKP-ja kishte pranuar mjetet e tij. Këto tani ne detyrohemi t’i kthejmë”, është shprehur Haxhiu më 5 janar.

Pacolli në Facebook iu kundërpërgjigj se nuk ka dashur ta marrë pronësinë mbi Grandin por vetëm të kthejë mjetet e investuara.

E zëvendësministri i Haxhiut, Blerim Sallahu tha se Kosova obligohet që Pacollit t’ia paguajë 6 milionë euro.

KOHA ka kërkuar vendimin e arbitrazhit, por në Avokaturën Shtetërore kanë thënë se dokumenti është konfidencial.

Gjithashtu KOHA ka kërkuar nga Pacolli dhe Berisha që të flasin për përfshirjen e tyre në procesin e privatizimit të Grandit, por asnjëri nuk pranoi të përgjigjet. Po për këtë çështje nuk janë deklaruar as zyrtarë të AKP-së.

Grandi tash

Hoteli Grand që nga shkurti i vitit 2015 është në proces të likuidimit. 

Drejtori i hotelit, Albert Mirdita thotë se momentalisht vetëm një e katërta e sipërfaqes së Grandit po shfrytëzohet. 

“Grandi i ka diku rreth 32 mijë metra katrorë. Në zhargonin popullor i bie tre hektarë e gjysmë hapësirë afariste, prej tyre diku rreth 8 mijë, jo më shumë, shfrytëzohen. Punëtorë, për momentin, prej sa kemi qenë, prej 200 e më shumë sa kanë qenë, sot janë 62”, ka thënë Mirdita.

Për këtë, drejtori Mirdita e fajëson edhe ish-pronarin.

“Grandi përbëhet prej tri kullave, tri tërësive ose tri lamelave që bëjnë një tërësi komplete. Është kulla A, B dhe C. Kulla A për shembull është e demoluar totalisht brenda, s'ka dhoma, vetëm janë hapësirat boshe. Kurse kulla B janë disa kate, janë të demoluara, ka dashtë me i adaptuar ish-pronari, i cili e ka pas fituar tenderin, por siç e dini, në vitin 2012, Agjensioni Kosovar i Privatizimit për mospërmbushjen e neneve të kontratës, ose shumë sendeve të tjera që unë nuk jam në dijeni për disa sende, e merr asetin mbrapa, e kthen asetin e vet”, ka theksuar Mirdita.

Ai thotë se shumica e të ardhurave nuk gjenerohen nga pushuesit në hotel, ashtu siç është praktikë e kësaj industrie.

“Të ardhurat Grandi i gjeneron në njëfarë mënyre, sepse Agjencioni Kosovar i Privatizimit shumë hapësira për ta ruajtur objektin, i ka dhënë me qira, sepse një objekt i cili ka 32 mijë metra katrorë, faktikisht ai duhet të mirëmbahet. Është gjigant. Edhe faktikisht mjetet gjenerohen në njëfarë mënyre prej qirave, siç e dini, ka edhe shumë firma që i kanë këtu përfaqësitë e veta. Një pjesë e gjenerojmë prej fjetjeve, që është shumë më e ulët për një arsye, sepse ne nuk kemi investuar në kapacitete të fjetjes, se vetë fakti që objekti është nën likuidim, zyrën e likuidimeve dihet se në çfarë pozite është, më s'ka investime. Edhe i kemi sallat, sallat e konferencave që i japim me qira për shfrytëzimet ditore për konferenca të ndryshme, për evente, si evente qysh i thonë gazmore, si evente mortore, pa marrë parasysh, po kryesorja ne gjenerojmë të ardhura”, ka shtuar ai. 

Hoteli Grand u hap në prill të vitit 1978. Atëkohë u konsiderua hotel i kategorisë A ose me 5 yje. Kishte 369 dhoma, salla të shumta për konferenca, 4 restorante, parking nëntokësor me 200 vende e shumë vepra artistike. Për degradimin e simbolit të dikurshëm të modernes, është shkruar e folur shumë. Mes tyre për të ka shkruar edhe gazetari Andrew Higgins. Në reportazhin e publikuar në “New York Times”, më 2018, mes tjerash ai shkruan për objektin dhe ngjyrën e saj të gjelbër si myshku. Zymtësia e frikshme e Grandit, sipas Higginsit do ta bënte atë vend të përkryer për xhirimin e versionit të ri të filmit “Barton Fink”, që ka në epiqendër një hotel të ngjashëm, të braktisur në Hollywood.