Botë

Zgjedhjeve që Evropa u trembet dhe Putini i pret me padurim

Një skenë mund të shihej në sheshet e qyteteve anembanë Evropës për muaj të tërë – rrëfime shqetësuese të dëshmitarëve okularë për luftën në Ukrainë, thirrje ndihme për armë kundër agresionit rus dhe thirrje për evropianët për të ndihmuar ukrainasit. Dhe më vonë ndodhi diçka krejtësisht ndryshe, siç ishte rasti i protestave në Berlin apo asaj në Pragë në fund të muajit të kaluar, shkruan “Politico”.

Protestuesit në Berlin dhe Pragë nuk kishin veshur ngjyrat e Ukrainës, por ato të “republikave” separatiste të Luhanskut dhe Donetskut që mbështeten nga Kremlini. Objektivi i paralajmërimeve të errëta të protestuesve nuk ishte Rusia, por Shtetet e Bashkuara.

Mund të jetë një rrethanë lehtësuese që protesta në Berlin u organizua nga Partia e vogël Komuniste Gjermane. Por teksa lufta në Ukrainë zvarritet, evropianët gjithnjë e më shumë e ndjejnë barrën e çmimeve të larta të energjisë dhe ngadalësimin e ekonomisë, gjë që ka rritur dukshëm koston e lartë të jetesës për ta.

Image
Protesta në Leipzig të Gjermanisë

Kjo u bë e qartë kur mijëra protestues të ekstremit të djathtë dhe të majtë dolën në rrugët e Çekisë dhe Gjermanisë për të protestuar kundër rritjes së çmimit të energjisë, NATO-s dhe mbështetjes perëndimore për Ukrainën. Vetëm në Pragë, morën pjesë 70 mijë njerëz. Mijëra të tjerë u mblodhën në qytetet gjermane të Leipzigut dhe Magdeburgut.

“Stuhia” që po intensifikohet po i ballafaqon liderët evropianë me të vërtetën e vështirë se, edhe pse forcat ruse janë në fushën e betejës duke luftuar me Ukrainën, Kremlini është ende duke zhvilluar luftën e gjatë kundër themeleve të demokracisë në Evropë. Për vite të tëra, Rusia ka punuar të minojë besimin e publikut në qeveritë demokratike, kryesisht me dezinformata në media dhe mbështetje për njerëzit që nxisin trazira.

Italia si një “ndryshuese e lojës”

Por qëllimi kryesor i këtyre përpjekjeve nuk është të kthejnë evropianët në mbështetëse të Rusisë – edhe pse Kremlini do ta mirëpriste këtë – por të polarizojë dhe destabilizojë politikën perëndimore deri në atë pikë sa votuesit nuk dinë çfarë të besojnë. “Nuk ka dyshim se Vladimir Putini po fiton në këtë kuptim”, thotë një zyrtar i lartë i Komisionit Evropian. Zyrtari vuri në dukje trazirat politike në Bullgari, ku muajin e kaluar presidenti Rumen Radev shtyu qeverinë që ai e zgjodhi për të negociuar me Gazpromin e Rusisë për një kontratë të re furnizimi me gaz.

Dhe ndërsa masa nxiti protesta në rrugë nga ata që kundërshtojnë varësin energjetike të Bullgarisë nga Moska, shumë në vend – që ka lidhje të mëdha kulturore dhe historike me Rusinë – e mirëpritën vendimin e Radevit.

Situatë e ngjashme është edhe në Hungari, ku kryeministri Viktor Orban e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të ndërpresë të gjitha lidhjet me Kremlinin. Këtë javë, Orbani, i cili tha se Ukraina s’mund ta fitojë luftën, kërcënoi të bllokojë disa sanksione perëndimore kundër Rusisë nëse nga lista nuk hiqen tre oligarkë.

Kryeministri hungarez mund të jetë tërhequr shpejt, por në pak javë, akrobacitë e Orbanit mund të bëhen shqetësimi më i vogël i Evropës.

Konkretisht, liderët e Bashkimit Evropian janë duke u përgatitur për rezultatet e zgjedhjeve në Itali në fund të muajit dhe parashikohet që partitë e ekstremit të djathtë të fitojnë mbështetjen e mjaftueshme për të krijuar qeverinë. Zgjedhjet italiane mund të jenë një “ndryshues i lojës” për Evropën, paralajmëroi një zyrtar i lartë i Komisionit.

Edhe pse Giorgia Meloni, liderja e partisë post-fashiste “Brothers of Italy”, e cila pritet të fitojë zgjedhjet, ka kritikuar pushtimin rus dhe ka mbështetur ndihmën ushtarake për Ukrainën, koalicioni i saj i mundshëm përfshin disa nga politikanët evropianë që kanë simpati ndaj presidentit rus Vladimir Putin, si Matteo Salvini, lideri i “Lega Nord” së ekstremit të djathtë dhe Silvio Berlusconi , ish-kryeministër tre herë.

Nëse Meloni, e cila uroi rizgjedhjen e Putinit si president më 2018 si “vullnet i qartë i popullit rus”, do të mbajë qëndrimin e saj ndaj Rusisë, pavarësisht presionit publik që kërkon një qasje më të butë, nuk është e sigurt.

Image
Protesta në Pragë të Çekisë

Vendosmëria e evropianëve në mbështetje të Ukrainës po dobësohet

Megjithëse evropianët në përgjithësi e kanë hedhur poshtë narrativën ruse përballë tmerreve të Kremlinit në Ukrainë, sondazhet në të gjithë rajonin evropian tregojnë se vendosmëria e tyre po dobësohet. Në vendet më të mëdha - Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Polonia - qytetarët tani janë më të shqetësuar për koston e jetesës sesa për luftën, sipas një sondazhi të YouGov të publikuar këtë muaj.

Në këtë kontekst, duket e pashmangshme që liderët evropianë do të përballen me presion në rritje për të lehtësuar sanksionet kundër Rusisë. Koha është në anën e Moskës. Ndërsa temperaturat ulen në javët dhe muajt e ardhshëm, ndërsa afrohet dimri, evropianët do të fillojnë të ndjejnë peshën e madhe të rritjes së çmimeve të gazit natyror, të cilat janë pothuajse trefishuar. Ndërsa sanksionet nuk janë faktori i vetëm që nxit çmimet e energjisë, ato sigurisht kanë luajtur një rol, veçanërisht kur bëhet fjalë për vendimin e Moskës për të ndërprerë rrjedhën e gazit natyror në Evropë, e cila më parë përbënte më shumë se një të tretën e furnizimit të BE-së.

Deri më tani shumica e liderëve evropianë, përfshirë kancelarin gjerman Scholz, nuk kanë arritur të bindin publikun për argumentin se me pushtimin e Ukrainës rrezikohet paqja në Evropë. Nëse evropianët do të besonin me të vërtetë se siguria e tyre ishte në rrezik, ata nuk do të avokonin për paqen ose do të protestonin kundër luftës, apo do t'u kërkonin udhëheqësve të tyre të dërgonin më shumë armë në Ukrainë.