Quhet “Wilton Park” në “Wiston House”. Emri i tillë i shkakton konfuzion vizitorit. “Wiston House” ka histori të gjatë afro dhjetë shekuj. “Wilton Park” është vendosur aty para disa dekadash, edhe pse funksionon qëmoti. “Bashkimi” i tyre ia ka dhënë botës një dimension të ri të qasjes ndaj problemeve globale. “Wilton Park” është kthyer në institucionin më të rëndësishëm që ka formësuar debatet e politikave ndërkombëtare. Aty është folur edhe për Kosovën
Kalon kilometra rrugë e nuk sheh asnjë ndërtesë të lartë. Është kjo fytyra tjetër e Britanisë së Madhe. Pa zhurmë, pa industri, pa qendra tregtare. Vetëm gjelbërim. Në shikim të parë duket që është vend i braktisur, por aty-këtu shihen tufa delesh që kullosin e rrallë edhe ndonjë njeri. Pasi bën disa kilometra rrugë me pamje të tillë, sakaq shfaqen disa ndërtesa të vjetra. Nga jashtë nuk duken moderne e as objekte luksi. Janë të lashta mbi 100 dekada. Brendia e tyre është më e rafinuar se një hotel luksoz. Emri i tyre e bën konfuz vizitorin: “Wilton Park” në “Wiston House”. Nuk ka as një shekull prej kur ato janë bashkuar në një të vetme.
“Wiston House” ka histori të gjatë afro dhjetë shekuj. “Wilton Park” është vendosur aty para disa dekadash, edhe pse funksionon qëmoti.
“Bashkimi” i tyre i ka dhënë botës një dimension të ri të qasjes ndaj problemeve globale. “Wilton Park” është kthyer në institucionin më të rëndësishëm që ka formësuar debatet e politikave ndërkombëtare. Aty është folur edhe për Kosovën. Në kalendarin e ngjarjeve, konferenca për Kosovën radhitet ndër më të rëndësishmet në historinë e agjencisë.
“1999 – ‘Wilton Park' mbajti një konferencë për Ballkanin Perëndimor, pas Milosheviqit, më pak se tre muaj pas përfundimit të fushatës ajrore të NATO-s dhe u ndoq nga shumë prej kundërshtarëve të atëhershëm”, thuhet në kalendarin e ngjarjeve.
“Wilton Park” është lokacion që nuk e gjen në “Google Map”, por atë e njeh e gjithë bota. Sepse bashkon rivalë e armiq. Ata shpesh nuk dalin nga aty me mendimet që kanë hyrë.
Ndërtesat e mahnitshme
Lashtësia mijëvjeçare vërehet në kulmet e shtëpive në hapësirën e “Wiston House”. Ato tashmë janë mbuluar nga myshku i blertë.
Një pjesë e ndërtesave është e ndërtuar nga gurët. Nga jashtë ngjasojnë me kullat shqiptare.
Për të hyrë në ndërtesën kryesore nuk ka ndonjë hyrje impozante. Është një laurë e thjeshtë.
Rruga deri te ndërtesat është e shtruar me rërë të imët. Një derë e madhe ngjyrë kafeje është ajo që çon në brendi të ndërtesës. Dera nuk hapet vetë. Vizitorëve iu jepet një kartelë për ta hapur.
Punëtorët e recepsionit japin shpjegime për ndërtesën.
“Shumë turistë janë konfuzë nëse është ‘Wiston House’ apo ‘Wilton Park’. Është ‘Wilton Park’ i vendosur në ‘Wiston House’”, sqaron një vajzë rreth të dyzetave, e cila mirëpret ekipet nga mbarë bota që gjatë gjithë vitit e vizitojnë ndërtesën. Tregon se “Wilton Park” ka më pak se një shekull që ekziston. Por fillimisht nuk ishte agjenci shtetërore.
Përderisa fliste, disa ekipe arritën në “Wilton Park”. Punëtorja ua shpërndau kartelat e dhomave, të ngjashme me ato të hoteleve moderne.
Dhomat e katit të dytë të ndërtesës kryesore janë të dedikuara për mysafirë. Jashtë saj në një perimetër rreth 100 metra janë edhe 5-6 shtëpiza. Secila nga to ka nga 3-4 dhoma.
Edhe rrugicat që çojnë te shtëpizat janë të shtruara me rërë të rrallë ngjyrë bronzi.
Në njërën nga shtëpizat ku vendosen mysafirët dera e hyrjes është e bardhë. Posa e hap e sheh edhe një tjetër derë, po ashtu të bardhë. Ajo të çon në katin tjetër, ku është njëra nga dhomat e mysafirëve. Shkallët janë të ngushta dhe të drunjta. Një tapet klasik e mbulon dyshemenë e dhomës, që ndriçohet posa hap një ndërprerës të vjetër të rrymës. Nga dritarja që ka madhësinë e një të tretës së dritares së zakonshme shihen hapësira përreth “Wiston House” dhe rruga që çon në ndërtesën kryesore.
Dhoma nuk është e lartë. Është me e ulët sesa në ndërtimet e rëndomta. Por orenditë dhe detajet e tjera të enterierit të kthejnë së paku 100 vjet pas. Gjithçka duket antike.
“Wilton Park” ruan me respekt vlerat e themeluesit të tij, duke promovuar debat të ndershëm dhe të hapur për çështjet më jetësore. Roli i “Wilton Park” në histori është përmbledhur nga historiani Richard Mayne. “’Wilton Park’ ishte një shtëpi dhe një institucion; por thelbi i saj ishte gjithnjë më shumë. Qëllimi i saj ishte dhe është: për të bashkuar ata që nuk pajtohen...për të pajtuar rivalët dhe armiqtë në njohjen e humanizmit të përbashkët, problemet dhe shpresat e tyre të përbashkëta për paqe. Në botën e sotme asnjë detyrë nuk mund të ishte më urgjente. Për më shumë se pesëdhjetë vjet ‘Wilton Park’ ka treguar se çfarë mund të bëhet me kujdes, takt, sinqeritet dhe punë delikate”, ka shkruar ai.
Nga “Wilton Park” nuk dilet pa pajtim
Brenda vitit, sipas punëtoreve në “Wilton Park”, ndërtesa e “Wiston House” mirëpret 50 ekipe nga gjithë bota. Diskutimet mbahen në ndërtesën kryesore. Në pothuajse gjithë ndërtesën mbizotëron ngjyra kafe. Në shumë vende përgjatë korridoreve ka pasqyra të mëdha. Në katin e parë është e vendosur biblioteka, ndërsa rrethohet nga salla të ndryshme. Të gjitha kanë nga një emër.
Në njërën nga fletushkat që punëtoret e “Wilton Park” u japin mysafirëve është edhe historiku i tyre.
“Që nga diskutimet e para për demokracinë gjermane pas luftës, që u zhvilluan në 1946, ‘Wilton Park’ po e ndjek atë objektiv për të adresuar dhe zgjidhur sfidat globale për sigurinë, prosperitetin dhe drejtësinë. Qëllimi ynë kryesor është të mirëmbajë, zhvillojë dhe të angazhohet me ekspertë, politikëbërës dhe formues të opinioneve më me ndikim në botë nga sigurimi i kalibrit më të lartë të ngjarjeve me diskutime thelbësore, aktuale”, thuhet aty.
Historiku i “Wilton Parkut” si vend pajtimi nis nga Lufta e Dytë Botërore.
“’Wilton Park’ ka marrë emrin nga pasuria Wilton Park në Buckinghamshire, i cili u përdor si një kamp i burgosur i luftës dhe qendër e riedukimit gjatë Luftës së Dytë Botërore”, thuhet aty.
Shtëpia e asokohshme që njihej si “shtëpia e bardhë” nuk ekziston më.
Ajo ishte krijuar nga Heinz Koeppler në vitin 1945. Nga fillimi i vitit 1946 “Wilton Park” ishte shndërruar në një mundësi të mirë për gjermanët e burgosur që të njiheshin me Britaninë e Madhe.
“ Që nga fillimi i vitit 1946 ajo siguroi një mundësi për të burgosurit e luftës gjermane të debatojnë mbi të kaluarën gjermane dhe të njihen me shoqërinë demokratike të Britanisë së Madhe. Qysh në vitin 1948, Wilton Park u shndërrua në një akademi që bashkoi udhëheqësit e mendimit gjerman dhe britanikët me ndikim për të diskutuar çështje me shqetësim dypalësh në politikë, zhvillim shoqëror dhe ekonomik, etj. Shumë udhëheqës, disa prej të cilëve janë akoma të spikatur në jetën publike, kanë ardhur në konferencat e hershme në ‘Wilton Park’ dhe mësojnë të vlerësojnë atmosferën e veçantë të debatit të hapur”, thuhet në historikun e kësaj organizate.
Ndër vite “Wilton Park” është bërë qendra kryesore e debatit jo vetëm në Britaninë e Madhe.
Në vitin 1991 ajo është kthyer në agjenci shtetërore. Konsiderohet si “qendra e konferencave” që ka bashkuar politikanët e grupet për të cilat thuhej që nuk mund të bashkohen.
Në “Wilton Park” duhet të flasin të gjitha palët. Është krijuar për të dëgjuar zërin e të gjithëve. Nga aty nuk dilet pa gjetur zgjidhje.
Shtëpia mijëvjeçare
Ka një mijë vjet që “Wiston House” ekziston. Ndodhet në parkun kombëtar “South Downs”. Fillimisht ishte një shtëpi e vogël dykatëshe me hapësirë prej 1500 hektarësh, apo një e katërta e pronave që ka sot. Hapësira që sot paraqet një nga objektet interesante në Britaninë e Madhe ka histori të gjatë të ndërrimit të pronarëve. Kjo dëshmohet në objektin kryesor dhe në ato përcjellëse.
Në vitet 1000 kjo hapësirë kishte 24 shfrytëzues të tokës. 300 vjet pas numri i shfrytëzuesve arrin në 53. Por deri në vitin 1350 vetëm tetë do t’i mbijetonin një sëmundjeje të rëndë që në atë kohë ishte përhapur në botë. Shumica prej tyre ishin viktima të “murtajës se zezë”. Pronësia do të ndërronte edhe tri herë të tjera. Ndërrimi i pronësisë për herë të fundit ka ndodhur rreth 300 vjet me parë.
Prej asaj kohe “Wiston House” është bërë pronë e familjes Goring. Gati qe 30 vjet shfrytëzohet si objekt qeveritar, por pronësia nuk ka ndryshuar.