Botë

Ushtria indoneziane akuzohet për vrasjen e fëmijëve në Papua-n Perëndimore

Vitin e kaluar, ekspertët e OKB-së për të drejtat e njeriut kërkuan qasje urgjente dhe të pakufizuar humanitare në rajon për shqetësimet serioze mbi “abuzimet tronditëse kundër papuanëve indigjenë, duke përfshirë vrasjet e fëmijëve, zhdukjet, torturat dhe zhvendosjet masive të njerëzve”

Trupi i 17-vjeçarit Wity Unue, u soll në vendlindje nga ushtria indoneziane në një kuti, deklaruan dëshmitarët. Ushtarët nuk mundën të gjenin familjen e tij, dhe kështu dogjën arkivolin prej kartoni, me trupin e tij brenda, në fund të një rruge, në malësitë e largëta të Papua-s Perëndimore.

Nxënësi i shkollës së mesme – ishte torturuar dhe djegur për vdekje.

Prindërit e tij, të cilët rishtazi kishin ikur nga vendi, si shkak i një sulmi ushtarak, u tronditën dhe u shkatërruan kur e morën vesh lajmin, tha Raga Kogeya, një aktiviste e të drejtave të njeriut në Papua-n Perëndimore.

Kogeya ka thënë gjithashtu, se ditë më parë, më 7 prill të këtij viti, Wity ishte marrë në pyetje dhe ishte ndaluar së bashku me tre djem të tjerë dhe dy të rinj, nën dyshimin se ishin pjesë e ushtrisë rebele të rajonit. Ata u kapën nga ushtarët e forcave speciale, të cilët sulmuan fshatin Kuyawage të Papua-s Perëndimore.

I transportuar me helikopter në selinë ushtarake rajonale 100 kilometra larg, grupi i djemve u rrah dhe u dogj aq keq nga robëruesit e tyre sa nuk ngjanin më si njerëz.

Kogeya ka treguar se Wity vdiq dhembshurisht në paraburgim. Pesë të tjerët u liruan vetëm pasi avokatët e të drejtave të njeriut informuan mediat lokale.

“Fëmijët ishin torturuar të gjithë. Ata ishin lidhur dhe më pas i kishin djegur”, shpjegoi Kogeya, e cila i pa plagët e djemve të mbijetuar, në ditën e lirimit të tyre.

“[Ushtria] kishte nxehur hanxharët dhe thikat dhe ua kishte shtypur në lëkurë… Ata as që dukeshin si njerëz. Ata janë djegur nga koka te këmbët. Ata ishin në gjendje vërtet të keqe”, shkruan The Guardian.

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut thonë se incidenti është një prej shumë incidenteve të tjera, që shkon përtej një konflikti historik midis ushtrisë indoneziane dhe ushtrisë rebele të Papua-s Perëndimore, e cila rregullisht sulmon dhe vret anëtarët e ushtrisë dhe policisë indoneziane.

Vitin e kaluar, ekspertët e OKB-së për të drejtat e njeriut kërkuan qasje urgjente dhe të pakufizuar humanitare në rajon për shqetësimet serioze mbi “abuzimet tronditëse kundër papuanëve indigjenë, duke përfshirë vrasjet e fëmijëve, zhdukjet, torturat dhe zhvendosjet masive të njerëzve”.

Vendasit thonë se civilët janë bërë gjithnjë e më shumë objektiv.

Çfarë po ndodh në Papua-n Perëndimore?

Ish-kolonia holandeze është vetëm 250 km larg nga Australia kontinentale. Por shumica e australianëve dinë pak për luftën që po shpërthen atje.

Mungesa e njohurive është pjesërisht e planifikuar: shumë pak për Papua-n Perëndimore arrin në botën e jashtme, sepse Indonezia kontrollon rreptësisht qasjen për gazetarët e huaj dhe monitoruesit e të drejtave të njeriut.

Rajoni përbën gjysmën perëndimore të ishullit të Guinesë së Re, në veri të Australisë.

Kur Holanda filloi të përgatitej për tërheqje nga Papau, në vitet 1950, qytetarët donin që të merrnin pavarësinë e tyre. Por fqinji i tyre i fuqishëm kishte ide të tjera.

Indonezia ushtroi presion mbi Holandën për të dorëzuar rajonin e pasur me burime. Kur kjo nuk funksionoi, filloi të përgatitej për një pushtim në shkallë të gjerë.

Një armëpushim u ndërmjetësua nga Kombet e Bashkuara dhe një votim i mbështetur nga OKB-ja u mbajt në vitin 1969, gjoja për të lejuar papuanët perëndimorë që të thonë mendimin e tyre për integrimin me Indonezinë.

Por avokatët thonë se “Akti i Zgjedhjes së Lirë” ishte i manipuluar që në fillim. Vetëm 1.022 udhëheqës të Papua-s Perëndimore u zgjodhën nga zyrtarët indonezianë për të përfaqësuar të gjithë popullsinë. Nën kërcënimin e armëve, ata u detyruan që të refuzonin pavarësinë.

Në atë moment, mbështetja për integrimin ishte unanime. Rezultati u vulos nga OKB-ja.

Papuanët indigjenë të perëndimit ende e kërkojnë një votim real, kryesisht përmes akteve të mosbindjes civile, siç është ngritja e flamurit të ndaluar të “Yllit të mëngjesit”. Ata i paguajnë rëndë veprimet, me brutalitetin policor dhe ushtarak, si dhe dënime të gjata me burgim, për aktivizmin e tyre.

Image

Nën “pushtim të plotë ushtarak”

Në një foto që duket se është bërë nga ushtria pas vdekjes së Wity-t, e siguruar nga The Guardian Australia, fytyra e tij është e mavijosur. Në një tjetër, një grup i vogël miqsh qëndron nën shi, tek varri i tij.

Yudha Korwa u largua nga Papua Perëndimore dhe erdhi në Australi në vitin 2006, pas një masakre nga ushtria indoneziane.

Ai ishte më i riu nga pesë vëllezërit e motrat.

Para se të vdiste, ai ndihmoi në evakuimin e një grupi refugjatësh në këmbë nga një zonë që ishte nën sulm të vazhdueshëm ushtarak.

Zona është nën atë që vendasit e përshkruajnë si “pushtim i plotë ushtarak [indonezian]”.

“Ne nuk mund të bëjmë asgjë këtu”, është shprehur Nopinanus Kogoya. “Njerëzit madje po vdesin nga uria në rrugë sepse nuk mund të punojnë tokën, nuk mund të shkojnë askund. Ne jemi plotësisht, plotësisht nën kontrollin e këtij pushtimi të egër ushtarak”.

Ai thotë se veprimet e ushtrisë shkojnë përtej asaj që kërkohet për të kontrolluar situatën e sigurisë dhe shpesh nuk janë thjesht të dhunshme, por edhe mizore.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë deklaruar se konfliktet ushtarake filluan në vitin 2018, pasi ushtria rebele e Papua-s Perëndimore, e njohur si TPNPB-ja vrau 17 punëtorë ndërtimi që po punonin në një urë në Nduga. Militantët pretenduan se të vdekurit ishin personel ushtarak të maskuar si civilë, por Human Rights Watch e kundërshtoi këtë dhe tha se të paktën disa prej tyre ishin punëtorë të zakonshëm indonezianë.

Image

Australia kërkon lidhje më të ngushta

Në gusht, ushtarët indonezianë – pjesë e forcave ushtarake të mbrojtjes ajrore - u ulën mbi gjirin Shoalwater në Queensland si pjesë e Operacionit Talisman Sabre, një ngjarje e lojërave luftarake në shumë vende.

Ishte hera e parë që Indonezia kishte marrë pjesë plotësisht, në stërvitjen dyvjeçare dhe ishte një pamje jo shumë e dashur, për këdo që ka ndjekur historinë e lidhjeve ushtarake midis dy vendeve.

Një zëdhënës i departamentit të mbrojtjes ka deklaruar për The Guardian Australia se “Indonezia është një nga partnerët më të afërt dhe më të rëndësishëm të mbrojtjes të Australisë”. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu, sipas Donald Rothwell, profesor i së drejtës ndërkombëtare në ANU.

Të dy vendet u konfrontuan mbi përfshirjen e Australisë në ndërhyrjen në Timor-Leste në vitin 1999 dhe bashkëpunimi ushtarak u pezullua përkohësisht. Që atëherë, marrëdhënia mes tyre është testuar shumë herë.

Tani, Australia po kërkon të krijojë lidhje më të ngushta ushtarake në negociatat për një “marrëveshje bashkëpunimi në mbrojtje” – “në nivel traktati” që do të jetë ligjërisht i zbatueshëm përpara një gjykate ndërkombëtare, ka shtuar Rothwell.

Ministri i Mbrojtjes, Richard Marles, ka bërë të ditur se marrëveshja do të jetë “ambicioze”, me “një nivel të lartë bashkëpunimi, që i përshtatet marrëdhënies së sigurisë midis dy vendeve mike që janë fqinje me njëra-tjetrën”.

“Ne duam mundësi më të mëdha për forcat tona të mbrojtjes, për të punuar së bashku, për të ushtruar së bashku, për të përdorur objektet e njëri-tjetrit”, ka deklaruar ministri Marles.

Australia gjithashtu siguron armë dhe mjete të tjera luftarake për Indonezinë, duke përfshirë këtu një dërgesë të fundit me 15 automjete të blinduara Bushmaster, të destinuara për përdorim nga forcat speciale indoneziane gjatë misioneve paqeruajtëse. (Përktheu: Forca Jashari)