Dokumentet e brendshme të ofruara së fundmi nga ish-punëtorja e Facebookut që u shndërrua në sinjalizuese, Frances Haugen, ofrojnë një pamje të rrallë se si kompania u bë pjesë e trazirës famëkeqe në Washington. Shpejt u bë e qartë se edhe pas disa vitesh hetime për politika të pamjaftueshme në platformë, rrjeti social nuk e vërejti se si pjesëmarrësit e trazirës me javë të tëra zotoheshin në postime në Facebook se do të ndalonin Kongresin të certifikonte fitoren e Joe Bidenit
Kur përkrahësit e Donald Trumpit ia mësynë ndërtesës së Capitolit më 6 janar, duke kundërshtuar edhe forcat e rendit, një kryengritje e një niveli tjetër po ndodhte në një prej kompanive më të mëdha të mediave sociale.
Mijëra kilometra larg në Kaliforni, inxhinierët e Facebookut përplaseshin për të marrë kontrollin e brendshëm me qëllim që të parandalonin përhapjen e keqinformimit dhe të vinin në funksion disa ndalesa ndaj përmbajtjes ekstreme që u prezantuan pas zgjedhjeve të nëntorit 2020 – disa prej të cilave ishin bllokimi i Trumpit, fshirja e komenteve në grupet me histori të gjuhës së urrejtjes, filtrimi i thirrjeve “Ndaloni vjedhjen” dhe fuqizimi i moderatorëve të rrjetit që të vepronin më ashpër kur caktuan Shtetet e Bashkuara si zonë e rrezikshme për dhunë politike.
Në të njëjtën kohë, pakënaqësia brenda Facebookut ishte rritur ndaj asaj që shumëkush e pa si mosveprim i kompanisë në lidhje me ekstremizmin në rritje brenda SHBA-së.
“A nuk kemi pasur mjaftueshëm kohë për të parë se si të menaxhojmë diskursin pa nxitur dhunë?”, pyeti një punëtor në rrjetin e brendshëm të Facebookut në ditën e trazirave të 6 janarit. “I kemi hedhur benzinë këtij zjarri për një kohë të gjatë dhe nuk duhet të jemi të befasuar se kjo tani është jashtë kontrollit”, kishte shkruar ai.
Është pyetje që edhe në ditët e sotme ka qarkulluar nëpër kompani, teksa Kongresi dhe rregullatorët amerikanë po hetojnë rolin e Facebookut në trazirat e 6 janarit.
Publikimi i dokumenteve
Dokumentet e brendshme të ofruara së fundmi nga ish-punëtorja e Facebookut që u shndërrua në sinjalizuese, Frances Haugen, ofrojnë një pamje të rrallë se si kompania u bë pjesë e trazirës famëkeqe në Washington. Shpejt u bë e qartë se edhe pas disa vitesh hetime për politika të pamjaftueshme në platformë, rrjeti social nuk e vërejti se si pjesëmarrësit e trazirës me javë të tëra zotoheshin në postime në Facebook se do të ndalonin Kongresin të certifikonte fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet e 3 nëntorit të vitit 2020.
Këto dokumente të brendshme mbështesin pretendimet e Haugenit se Facebooku preferonte rritjen dhe fitimet financiare para sigurisë publike, duke hapur dritaren se si veprimet kontradiktore të Facebookut – për të mbrojtur biznesin dhe për të mbrojtur demokracinë – u përplasën në ditët dhe javët para tentim grusht shtetit të 6 janarit.
Kjo histori bazohet pjesërisht në deklaratat e Haugenit të dhëna para Komisionit dhe që iu dha Kongresit në formë të redaktuar nga këshilltari ligjor i Haugenit. Versionet e redaktuara të dëshmive të saj janë siguruar edhe nga agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Ato që Facebooku i quajti masa për “thyerjen e xhamit”, që hynë në funksion më 6 janar, ishin një grup i mjeteve softuerike të krijuara për të frenuar përhapjen e përmbajtjes së rrezikshme dhe të dhunshme. Këto mjete rrjeti social për herë të parë i përdori në prag të zgjedhjeve të 3 nëntorit 2020. Shumica prej 22 masave u vunë në funksion përsëri pas përfundimit të zgjedhjeve, thuhej në një analizë të brendshme për reagimin e rrjetit social Facebook.
Prokurorët kanë thënë se një udhëheqës ekstremist i grupit “Oath Keepers” përdori grupin në Facebook për të diskutuar rreth formimit të aleancës dhe koordinimin e planeve me grupin tjetër ekstremist “Proud Boys” para se të organizonin trazirën në Capitol
“Sapo mbaruan zgjedhjet, masat u kthyen ose u ndryshuan siç ishin më parë. Kjo u bë për t’u dhënë përparësi fitimeve më shumë sesa sigurisë”, ka thënë Haugen në një intervistë për “60 Minutes”.
Një raport i brendshëm i Facebokut pas 6 janarit, i konfirmuar nga mediumi “BuzzFeed”, fajësoi kompaninë për qasjen e ngadaltë ndaj rritjes së madhe të faqeve “Ndaloni vjedhjen”, që ishin burim i keqinformimeve dhe i komenteve të dhunshme dhe nxitëse të dhunës.
Rrjeti social është arsyetuar se situata ishte më e nuancuar dhe se kalibronte me kujdes kontrollin për të reaguar shpejt ndaj përmbajtjes së dhunshme, ashtu siç veproi edhe më 6 janar. Kompania u arsyetua se nuk ishte përgjegjëse për veprimet e përkrahësve të Trumpit dhe se kontrolli i rreptë i përmbajtjes në rrjetin social nuk do të kishte ndihmuar më 6 janar.
Heshtja e Facebookut
Vendimet e Facebookut për të hequr disa nga masat u sinjalizuan nga platforma e rrjetit social, por edhe nga forcat e rendit, ka thënë zëdhënësja Dani Lever. “Kur ndryshuan këto sinjale, ndryshuan edhe masat”.
Lever ka thënë se disa masa ishin në fuqi deri në muajin shkurt, ndërsa të tjerat janë aktive edhe sot.
Dokumentet e brendshme të ofruara së fundmi nga ish-punëtorja e Facebookut që u shndërrua në sinjalizuese, Frances Haugen, ofrojnë një pamje të rrallë se si kompania u bë pjesë e trazirës famëkeqe në Washington
Një numër i madh i punonjësve ishin të pakënaqur me menaxhimin e përmbajtjeve problematike nga Facebooku para dhe pas trazirave të 6 janarit. Një punonjës që u largua nga kompania në vitin 2020, në një postim të gjatë akuzoi se mjetet e reja premtuese, të mbështetura nga studimet e shumta, u kufizuan nga Facebooku për shkak të “frikës nga reagimi publik dhe palëve të interesuara politike” (thënë më troç: shqetësimeve negative nga aleatët e Trumpit dhe investitorët).
“Ngjashëm (edhe pse më shqetësuese), kam parë funksione mbrojtëse tashmë të ndërtuara që janë refuzuar nga udhëheqësit për të njëjtat arsye”, ka shkruar punonjësi, emri i të cilit nuk është bërë publik.
Hulumtimi i kryer nga Facebooku para fushatës së vitit 2020 la pak dyshime se algoritmi i tij mund të përbënte rrezik serioz në përhapjen e keqinformimit dhe radikalizmin e përdoruesve.
Fshehja e studimeve
Një studim i vitit 2019, i titulluar “Udhëtimi i Carolit në QAnon – test studimi i Keqinformimit dhe rrezikut të Polarizimit përmes sistemeve të rekomandimit”, përshkroi rezultatet e një eksperimenti të kryer me një llogari testimi të krijuar për të pasqyruar pikëpamjet e një “konservatori të fortë” – por jo ekstremist. Ishte gruaja 41-vjeçare nga Karolina Veriore. Llogaria testuese që përdorte emrin e rrejshëm Carol Smith tregoi se ajo preferonte burime të lajmeve si Fox News, e përcjellë nga grupet e humorit që tallnin liberalët, donte krishterimin dhe ishte fanse e Melania Trumpit.
Brenda një dite, rekomandimet e faqeve për këtë llogari të rrejshme që u shfaqën nga vetë Facebooku kishin evoluar në një “gjendje shumë shqetësuese dhe polarizuese”, zbuloi studimi. Në ditën e dytë, algoritmi i Facebookut, rekomandonte edhe më shumë përmbajtje ekstremiste, përfshirë një grup të lidhur me QAnon, të cilit përdoruesja e rreme nuk iu bashkua, sepse nuk ishte natyrshëm e tërhequr nga teoritë konspirative.
Një javë më vonë, muri i Facebookut të llogarisë testuese ishte mbushur me përmbajtje ekstreme, konspirative dhe të dhunshme”, përfshirë postime që ringjallnin gënjeshtrën për certifikatën e lindjes së Barack Obasmas dhe lidhjen e familjes Clinton me vrasjen e ish-senatorit të Arkansasit. Pjesa më e madhe e përmbajtjes përkrahej nga grupet e dyshimta të udhëhequra nga jashtë SHBA-së ose nga administratorët më historikë të shkeljes së rregullave të Facebookut.
Këto rezultate e çuan studiuesin, emri i të cilit është redaktuar nga sinjalizuesja, që të rekomandonte masa sigurie prej heqjes së përmbajtjes me burime të njohura konspirative e deri te bllokimi i shenjëzimit si “kontribuues i madh” për komentuesit që shpërndanin keqinformime dhe uljen e numrit të ndjekësve të kërkuar para se Facebooku të verifikojë identitetin e administruesit të faqes.
Krejt punëtorët që kanë lexuar studimin e përkrahën në shumicë.
“Hej! Ky është një studim i mirë (dhe shqetësues)”, shkroi një punonjës, emri i të cilit është hijezuar nga sinjalizuesja. “A dini për ndonjë ndryshim konkret që është bërë pas këtij studimi?”
Facebooku u arsyetua se studimi ishte një prej shumë shembujve të angazhimit për përmirësimin e platformës së vet.
Studimi tjetër që iu dorëzua hetuesve të Kongresit që kishte titullin: “Të kuptuarit e rreziqeve të temave të dëmshme të komuniteteve”, diskutonte se si individët me qëndrime të njëjta përqafonin një temë, krijojnë “dhoma jehone” për keqinformimin që normalizon qëndrimet e dëmshme, nxit radikalizmin dhe siguron arsyetime për dhunën.
Shembuj të komuniteteve të tilla përfshijnë QAnon dhe grupet e urrejtjes që promovonin teoritë e luftës racore.
“Rreziku i dhunës ose dëmtimit jashtë linjës bëhet i mundshëm kur individët me të njëjtin mendim mblidhen dhe mbështesin njëri-tjetrin për të vepruar”, thuhet në këtë studim.
Dokumentet gjyqësore ndaj atyre që dyshohet se kanë sulmuar Capitolin kanë shembuj të njerëzve e mendje të bashkuar.
Prokurorët kanë thënë se një udhëheqës ekstremist i grupit “Oath Keepers” përdori grupin në Facebook për të diskutuar rreth formimit të aleancës dhe koordinimin e planeve me grupin tjetër ekstremist “Proud Boys” para se të organizonin trazirën në Capitol.
“Kemi vendosur të bashkëpunojmë dhe ta mbyllim këtë muhabet”, shkroi Kelly Meggs në Facebook. Ajo njihet si lidere e grupit “Oath Keepers” në Florida.
Përktheu: Gent Mehmeti