Sektori teknologjik i goditur nga lufta në Gaza po riformësohet nga të rinjtë programues, të cilët po krijojnë aplikacione praktike për të përballuar sfidat e jetës së përditshme. Nga transporti deri te gjetja e sendeve të humbura, këto ide synojnë të lehtësojnë jetën e njerëzve në kushte të vështira. Pavarësisht mungesës së energjisë, internetit dhe burimeve financiare, shumë të rinj vazhdojnë të investojnë në teknologji dhe inovacion.
Në një cep të vogël brenda hapësirës së bashkëpunimit “Taqat Gaza”, Saja al-Ghoul rrinte e përqendruar duke punuar mbi idenë e saj më të re për një aplikacion për telefona.
Programuesja 23-vjeçare, ashtu si edhe kolegët e saj që punonin në atë hapësirë, është e fokusuar në zhvillimin e aplikacioneve që mund të ndihmojnë në zgjidhjen e disa prej vështirësive të jetës në enklavën palestineze.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjetja e një problemi për të zgjidhur nuk është aspak e vështirë; dy vjet luftë gjenocidale të Izraelit ndaj Gazës, si dhe një armëpushim që nuk i ka ndalur sulmet dhe nuk ka lejuar rindërtimin e duhur, kanë bërë që enklava të jetë e mbushur me probleme nga më të ndryshmet.
Aplikacioni i Sajës quhet “Waselni” - që në arabisht do të thotë “më ndihmo të arrij në destinacion”. Qëllimi i saj është të ndihmojë në lehtësimin e problemeve të transportit me të cilat përballen palestinezët në Gazë.
Aplikacioni u mundëson njerëzve të publikojnë udhëtimet dhe të koordinojnë lëvizjet me njëri-tjetrin për të ulur kostot e transportit, të cilat janë rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit. Gjithashtu, ai përfshin një portofol elektronik me parapagim, për të shmangur krizën gjithnjë e më të rëndë të parasë së gatshme të shkaktuar nga lufta.
“Çdokush mund të propozojë një udhëtim, për shembull nga zona al-Shifa deri në as-Saraya në qendër të qytetit të Gazës në orën 8 të mëngjesit, dhe më pas njerëzit e tjerë mund t’i bashkohen të njëjtit udhëtim dhe të ndajnë shpenzimet”, shpjegoi Saja.
Sendet e humbura
Bahaa al-Mallahi, një 26-vjeçar i diplomuar në sistemet e informacionit, ndodhej në të njëjtin fushë teknologjie me Sajën. Ideja e aplikacionit të tij fokusohet në një problem tjetër që është bërë shumë i zakonshëm gjatë luftës: humbja e sendeve personale.
“Njerëzit kanë humbur pothuajse gjithçka gjatë zhvendosjeve”, tha Bahaa. “Sende personale, dokumente zyrtare, telefona, çanta… Ndonjëherë gjëra me pak vlerë financiare, por me rëndësi të jashtëzakonshme për pronarët e tyre”.
Bahaa vuri re se rikuperimi i sendeve të humbura ishte bërë jashtëzakonisht i vështirë dhe se rrjetet sociale ishin mbushur me njoftime për sende të humbura.
Kështu ai mendoi të krijonte një platformë digjitale të dedikuar për sendet e humbura dhe të gjetura, të cilën e quajti “Rajja’li” - që në arabisht do të thotë “ma kthe”.
“Nëse gjen diçka, e poston në platformë. Nëse humbet diçka, e kërkon aty”, shpjegoi Bahaa.
Por projekti nuk ndaloi vetëm me kaq. Bahaa nisi të mendojë edhe për zhvillimin e mëtejshëm të platformës, duke përfshirë rastet e fëmijëve të humbur gjatë zhvendosjeve apo në situatat e mbipopullimit - incidente që janë bërë gjithnjë e më të zakonshme në Gaza.
“Çdo ditë shohim njoftime për fëmijë të humbur”, tha Bahaa. “Për shkak të jetës në tenda dhe shpërbërjes së komunikimit, gjetja e fëmijëve dhe ribashkimi i tyre me familjet është shumë i vështirë”.
“Nëse një fëmijë humbet në një zonë të caktuar, mund të dërgohet menjëherë një njoftim te përdoruesit që ndodhen afër, me fotografinë dhe përshkrimin e fëmijës,” shtoi ai.
Pengesat
Si në rastin e Sajës, ashtu edhe në atë të Bahaas, zhvillimi i aplikacionit është vetëm gjysma e rrugës. Të dy janë përballur me shumë probleme, disa që lidhen me sfidat e përgjithshme të zhvilluesve të aplikacioneve dhe disa të tjera specifike për Gazën dhe luftën.
Për shembull, aplikacioni i Sajës ka nevojë për përdorim të gjerë që të jetë vërtet i dobishëm. Nëse një person e hap aplikacionin dhe sheh se ka pak njerëz që duan të ndjekin të njëjtën rrugë në të njëjtën kohë, ka shumë gjasa që të mos e përdorë më.
Saja e pranoi se ka të ngjarë të ketë nevojë për mbështetje dhe promovim nga autoritetet lokale, në mënyrë që aplikacioni të bëhet më i njohur dhe drejtuesit e automjeteve të verifikohen.
Ndërkohë, Bahaa tha se i duhet bashkëpunim me institucionet zyrtare nëse dëshiron që njerëzit t’i besojnë platformës së tij për gjetjen e dokumenteve të humbura.
Megjithatë, pengesat shkojnë shumë përtej dukshmërisë dhe përhapjes së aplikacioneve. Kostoja e zhvillimit të aplikacioneve është bërë një barrë e rëndë për programuesit e rinj në Gaza, veçanërisht tani që shumë projekte të reja varen gjithnjë e më shumë nga mjetet e inteligjencës artificiale me pagesë.
“Kemi nevojë për abonime në shërbime të inteligjencës artificiale dhe ato janë jashtëzakonisht të shtrenjta”, tha Bahaa. “Edhe shërbimet bazë tashmë janë bërë me pagesë dhe çmimet vazhdojnë të rriten”.
Bahaa kishte punuar si inxhinier rrjeti në një kompani lokale interneti, por e humbi punën pasi filloi lufta. Më vonë ai u përpoq të gjente mundësi pune në distancë me kompani jashtë Gazës, por thotë se kjo ishte pothuajse e pamundur.
Me përkeqësimin e kushteve ekonomike, Bahaa thotë se shumë të rinj të talentuar tani janë të bllokuar nga papunësia, ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike dhe internetit, si dhe kostot gjithnjë në rritje që lidhen me punën.
“Sot, interneti dhe energjia elektrike janë bërë luks”, tha ai.
Ai foli gjithashtu për natyrën e kushtueshme dhe rraskapitëse të hapësirave të bashkëpunimit, tek të cilat programuesit po mbështeten gjithnjë e më shumë.
“Paguan qindra shekelë (100 shekelë janë rreth 29 euro v.j.) në muaj vetëm për të pasur një vend me energji elektrike dhe internet”, tha ai.
Hendeku i njohurive
Për inxhinierin Sharif Naeem, themelues dhe drejtor ekzekutiv i hapësirës së bashkëpunimit “Taqat Gaza”, kjo nismë nuk ishte thjesht një projekt i zakonshëm sipërmarrës, por një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj shkatërrimit të sektorit teknologjik të Gazës pas luftës.
“’Taqat’ ishte në thelb një reagim ndaj një problemi real me të cilin përballeshin punonjësit në distancë në Gaza: mungesa e vendeve të sigurta me energji elektrike dhe internet”, tha Naeem për Al Jazeera.
Në fillim të luftës, mijëra freelancerë dhe programues humbën mundësinë për të punuar pasi infrastruktura u shkatërrua dhe komunikimet dhe energjia elektrike u ndërprenë për periudha të gjata.
Shumë prej tyre humbën vendet e punës ose kontratat ndërkombëtare, ndërsa të tjerë nuk mundnin më as të ndiznin pajisjet e tyre apo të merrnin pjesë në takime online.
“Qëllimi ynë i parë ishte shumë i thjeshtë: si t’i rikthejmë njerëzit në punë?” tha Naeem.
Ai e themeloi “Taqat Gaza” fillimisht si një hapësirë të vogël bashkëpunimi për punonjësit në distancë, por gjatë luftës ajo u zgjerua gradualisht në disa lokacione në të gjithë Gazën, përfshirë Nuseirat dhe Deir el-Balah.
Më vonë, pasi njerëzit u kthyen në veri të Gazës në fillim të vitit 2025, organizata hapi selinë e saj kryesore në qytetin e Gazës, ku strehohen rreth 250 freelancerë dhe programues.
Por me kalimin e kohës, drejtuesit e “Taqat Gaza” kuptuan se kriza nuk kishte të bënte më vetëm me energjinë elektrike apo mungesën e hapësirave të punës. Problemi më i madh ishte bërë hendeku i madh i njohurive teknike, i krijuar nga izolimi i zhvilluesve të Gazës prej botës globale të teknologjisë, e cila po evoluonte me ritme shumë të shpejta.
“Ne zbuluam se lufta krijoi një hendek të madh njohurish”, tha Naeem. “Bota e teknologjisë përparoi me shpejtësi gjatë dy vjetëve të fundit, ndërsa të rinjtë në Gaza ishin të zënë duke u përpjekur të mbijetonin”.
Ai shtoi se shumë programues që po riktheheshin në punë e gjenin veten prapa kërkesave të tregut global për sa i përket aftësive, mjeteve dhe teknologjive moderne, sidomos në mes të bumit të shpejtë të inteligjencës artificiale.
“Ne filluam të përqendrohemi në programe trajnimi që e ngushtojnë hendekun mes nevojave të tregut dhe aftësive që kanë të rinjtë këtu”, tha ai.
Si rezultat, “Taqat” u shndërrua nga një hapësirë e thjeshtë pune në një qendër trajnimi dhe inkubimi për programuesit dhe zhvilluesit e rinj, përmes disa programeve të realizuara në partneritet me universitete dhe institucione vendore e ndërkombëtare.
Brenda këtyre programeve filluan të lindin dhjetëra ide për aplikacione dhe projekte teknologjike, të gjitha duke u përpjekur të adresojnë problemet e përditshme në Gaza - nga krizat e transportit deri te humbja e dokumenteve gjatë zhvendosjeve.
Naeem thotë se shumë prej këtyre ideve nuk lindën në izolim, por drejtpërdrejt nga përvojat reale të vetë të rinjve.
“Të rinjtë këtu nuk po ndërtojnë projekte fantazie”, tha ai. “Ata po krijojnë zgjidhje për problemet që i përjetojnë çdo ditë”.
Megjithatë, rruga përpara për këto projekte mbetet shumë e vështirë. Përveç infrastrukturës së dobët të energjisë elektrike dhe internetit, zhvilluesit përballen me pengesa të mëdha financiare dhe teknike - nga rritja e çmimeve të pajisjeve dhe abonimeve të programeve kompjuterike, deri te vështirësitë për të hyrë në tregjet ndërkombëtare.
Pavarësisht kësaj, Naeem beson se sektori teknologjik i Gazës ende ka potencial për t’u rimëkëmbur, nëse i jepet mjedisi i duhur dhe mbështetje reale.
“Ne kemi potencial të jashtëzakonshëm njerëzor”, tha ai. “Problemi nuk është mungesa e talentit, por mungesa e investimit të vërtetë në atë talent”.