Kjo krijoi skenën për mashtrimin e mesnatës. Izraeli nisi tubimin e forcave përgjatë kufirit, në atë që dukej si përgatitje e fundit për një pushtim. Pastaj erdhi njoftimi për media në “Twitter”, i publikuar njëkohësisht në hebraishte dhe arabishte. Njoftimi u përhap me të madhe në mediat kryesore, përfshirë edhe “New York Times”. Titujt ishin pothuajse të njëjtë: Po ndodhte pushtimi.
Pak pas mesnatës të së premtes, ushtria izraelite publikoi një deklaratë ogurzezë për mediat: “Forcat ajrore dhe tokësore janë duke e sulmuar Rripin e Gazës”.
Deklarata e formuluar shumë paqartë nisi spekulimet e shumta se Izraeli sapo kishte filluar pushtimin tokësor të Gazas – skenar që pritej të vihej në jetë për t’ia vënë pikën një prej operacioneve më të përgjakshme të kësaj jave në betejën kundër militantëve të Hamasit. Madje, disa reporterë direkt në transmetime thanë se pushtimi sapo kishte filluar.
Disa orë më vonë, ushtria tentoi që ta qartësonte situatën. Nuk kishte ushtri izraelite në Gaza. Por, deri atëherë, mediat kryesore gabimisht raportonin se sulmi tokësor ishte duke u zhvilluar.
Teksa ushtria u përpoq që incidentin ta minimizonte si keqkuptim, njohësit e mirë të strategjisë ushtarake të Izraelit thonë se media u përdor si pjesë e hiles për t’i shtyrë militantët e Hamasit drejt kurthit vdekjeprurës që me shumë gjasë ka lënë të vrarë dhjetëra prej tyre.
“Ata nuk gënjyen”, thotë Or Heller, korrespondent i rryer i ushtrisë në televizionin izraelit “Channel 13 TV”. “Ishte manipulim. Ishte veprim i zgjuar dhe i suksesshëm”.
Gjithçka u zhvillua shpejt.
Të enjten vonë, katër ditë prej nisjes së sulmeve ajrore, Izraeli njoftoi se ka ftuar mijëra rezervistë dhe se ushtria po mblidhej në afërsi të kufirit për një pushtim të mundshëm tokësor. Në një tjetër shenjë të përshkallëzimit, Izraeli nisi sulmin me artileri nëpër caqet brenda Gazas, raportuan banorët e rrethinës.
Në raundin e mëparshëm të luftimeve, pushtimet tokësore kanë rezultuar me shkatërrim të madh të Gazas dhe vrasje të shumta nga të dyja palët.

Mashtrimi i mesnatës
Kjo krijoi skenën për mashtrimin e mesnatës. Sipas Hellerit, Izraeli nisi tubimin e forcave përgjatë kufirit, në atë që dukej si përgatitje e fundit për një pushtim. Pastaj erdhi njoftimi për media, i publikuar në “Twitter”, njëkohësisht në hebraishte dhe arabishte. Njoftimi u përhap me të madhe në mediat kryesore, përfshirë edhe “New York Times”. Titujt ishin pothuajse të njëjtë: Po ndodhte pushtimi.
Loja e Izraelit shtyu militantët e Hamasit të nguteshin në pozicionet mbrojtëse në rrjetin nëntokësor të njohur si “Metro” nëpër Gaza, thonë Heller dhe gazetarët e tjerë.
Izraeli nisi 160 aeroplanë ushtarakë dhe bombardoi tunelet për 40 minuta. Heller thotë se në bazë të raporteve një numër i madh i militantëve të Hamasit janë vrarë nga bombardimet, ani pse është e pamundur të dihet diçka saktë.
“Ajo që pamë të enjten ishte një operacion shumë i sofistikuar, në të cilin patën rol edhe mediat”, thotë Heller.
Hamasi nuk e komentoi sulmin dhe ishte e pamundur të konfirmoheshin edhe raportet nga Izraeli.
Heller thotë se korrespondentët veteranë në Izrael, që kanë lidhje të afërta me Izraelin dhe në shumë raste kanë kryer punë edhe vetë, e dinin se nuk kishte asnjë gjasë që Izraeli ta dërgonte ushtrinë në vijën e armikut. Heller dhe të gjithë korrespondentët e tjerë reaguan në “Twitter” për ta siguruar masën se nuk kishte asnjë aksion tokësor.
“Associated Press”, bazuar në analizat e veta të njoftimeve ushtarake, telefonatave me zyrtarët dhe gjendjen në Gaza, erdhi në përfundim se nuk kishte pushtim tokësor dhe nuk raportoi për një rast të tillë.

Loja e ushtrisë
Por, mediat e tjera thanë se ushtria i kishte mashtruar ose gënjyer kur u pyet për ta qartësuar komunikatën fillestare dhe përdorimin e paqartë të fjalës “në”. Disa menduan se mediat e huaja shërbyen si karrem ose pajisje shtesë kundër Hamasit.
Felicia Schwartz, korrespondente e “The Wall Street Journal”, thotë se dha alarmin për sulmin tokësor pasi pranoi një konfirmim nga nënkoloneli Jonathan Conricus.
Në një sqarim në “Twitter”, ajo shkroi: “Conricus më tha direkt: Ka ushtri në Gaza”. Kjo ishte baza e atij raportimi. Dy orë më vonë ai e tërhoqi këtë deklaratë dhe unë e ndryshova tekstin. Këtë e kam sqaruar në tekst dhe u korrigjua”.
Duke folur për mediat të premten në mëngjes, Conricus fajësoi “keqkomunikimin e brendshëm”.
“Këto gjëra ndonjëherë ndodhin në vlugun e një operacioni të komplikuar, kur shumë shpejt lëvizin gjërat dhe pamja e asaj që po ndodh është e paqartë”, tha ai. “Sapo e kuptova që kisha informacion të gabuar i njoftova njerëzit kompetentë me informacionin e qartë”.
Përdorimi i gazetarëve
Mirëpo, disa korrespondentë ende kishin pyetje.
“Nëse na përdorën, është e papranueshme. Nëse jo, atëherë cila është historia dhe përse mediat izraelite raportuan për mashtrimin që na u bë?”, thotë Daniel Estrin, korrespondent i NPR-së në Jerusalem. Atij i kishte thënë ushtria se pushtimi i Gazas kishte nisur.
Ushtritë nëpër botë prej kohësh kanë përdorur mashtrimet e ndryshme kundër armikut. Dy vjet më parë, ushtria izraelite thuhet se rrejshëm raportoi për plagosjen e ushtarëve nga një raketë e Hezbollahut. Shkoi aq larg sa i evakuoi ata duke i mbështjellë me fasha, me qëllim që me shpejtësi të hipnin në helikopter nga spitali.
Sipas raportimeve të asaj kohe, ushtria shpiku plagosjen me qëllim që ta vinte në kurth Hezbollahun për të menduar se pati të vrarë në sulmin me raketë dhe kështu të pajtohej me armëpushimin.
Loja me deklarata e së premtes mbrëma ka tensionuar marrëdhënien mes IDF-së dhe mediave ndërkombëtare.
Peter Lerner, ish-zëdhënës i ushtrisë për mediat ndërkombëtare, thotë se publiku izraelit prej kohësh e ka kuptuar se mediat ndërkombëtare kanë vëmendjen në anën palestineze të historisë, teksa kanë minimizuar shqetësimet dhe vuajtjet e izraelitëve. Edhe ushtria mund t’i besojë këto thashetheme.
Lerner është i mendimit se ushtria nuk e ka pasur në plan të gënjente, por dëmi u shkaktua.
“Monedha juaj është kredibiliteti”, thotë ai. “Mendoj se kjo është një krizë e kredibilitetit në mënyrën se si portretizohet”.
Përktheu: Gent Mehmeti