Botë

Takimi i “miqve të vjetër” nën kërcënimin e “lojës me zjarrin”

Sidoqoftë, dy palët kanë konfirmuar qëndrimet e tyre lidhur me çështjet që ndajnë Uashingtonin dhe Pekinin. Xi ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara dhe Tajvani po luajnë me zjarrin lidhur me çështjen e ishullit të vetëqeverisur që Kina e pretendon si pjesë të territorit të saj. SHBA-ja ëhstë zotuar ta ndihmojë Tajvanin. Liderët kanë folur edhe për çështje të tjera kontestuese

Kina ka mirëpritur takimin virtual të së martës ndërmjet presidentit Xi Jinping dhe homologut amerikan, Joe Biden, me shpresën se do të ketë marrëdhënie më të mira ndërmjet dy vendeve, derisa amerikanët janë treguar më të rezervuar në kohën kur dy fuqitë më të mëdha botërore po mundohen t’i ulin tensionet e gjithë vitit.

Liderët duket se lanë mënjanë gjuhën e ashpër në takimin e parë formal prejse Bideni mori drejtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Xi e ka përshëndetur shefin e Shtëpisë së Bardhë si “mik të vjetër”, ndërkaq zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinez, Zhao Lijan, ka thënë se diskutimi ishte miqësor dhe konstruktiv.

Çështjet ku ndahen palët

“Nëse raportet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës nuk mund të kthehen në të kaluarën, duhet të merren me të ardhmen”, ka deklaruar Zhao, duke e quajtur takimin konstruktiv dhe mundësi për ngritje të pritjeve pozitive për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Sidoqoftë, dy palët kanë konfirmuar qëndrimet e tyre lidhur me çështjet që ndajnë Uashingtonin dhe Pekinin. Xi ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara dhe Tajvani po luajnë me zjarrin lidhur me çështjen e ishullit të vetëqeverisur që Kina e pretendon si pjesë të territorit të saj.

Dy vendet synojnë t’i japin fund acarimit të marrëdhënieve që u përkeqësuan edhe më shumë gjatë presidencës së Donald Trumpit dhe vetëm sa janë ashpërsuar gjatë presidencës së Bidenit. Video-konferenca, që raportohet se ka zgjatur më shumë se tri orë, është zhvilluar të martën në mëngjes sipas kohës lokale kineze dhe të hënën sipas asaj amerikane.

Ulja e gjakrave

Edhe Bideni, edhe Xi duket se ishin të vendosur për të ulur gjakrat në atë që po konsiderohet si periudha më e trazuar e raporteve ndërmjet dy vendeve në skenën botërore.

“Sikur se kam thënë edhe më parë, mua më duket se përgjegjësia jonë si liderë të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara për t’u siguruar se konkurrenca ndërmjet vendeve tona nuk do të rrëshqasë në konflikt, qoftë me qëllim apo pa qëllim”, i ka deklaruar Bideni Xisë që në fillim të takimit.

Shtëpia e Bardhë ka pritje më të ulëta nga takimi, dhe nuk ka dalë me asnjë koment. Megjithatë, zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kanë thënë se dy liderët kishin diskutim qenësor.

Xi ka folur me ton miqësor me Bidenin që në hapje të takimit, duke theksuar se “Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të ngrehin komunikimin dhe bashkëpunimin”.

Toni pozitiv ka krijuar një shembull për zyrtarët e dy vendeve që të mundohen të identifikojnë gjuhën e përbashkët e të mos hidhen në fajësinë reciproke, qoftë në tregti, apo çështje gjeopolitike, si Afganistani dhe Koreja Veriore, ka thënë Uang Huiyao, presidenti i Qendrës për Kinë dhe Globalizim, grup i pavarur mendimi në Pekin.

Sfida tajvaneze

“E shoh këtë dialog si stabilizues të marrëdhënieve dypalëshe”, ka thënë ai. “Nuk pres që ky samit të na kthejë në kohët e vjetra të mira, por padyshim se ndal spiralen e rënies”.

Dy liderët kanë pasur diskutime të gjata për Tajvanin, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë. Tensionet janë ngritur me Kinën që së fundmi ka angazhuar një numër në ngritje aeroplanësh bombardues në drejtim të ishullit, derisa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë sjellë luftanije në Ngushticën e Tajvanit.

Xi ka fajësuar Tajvanin për tensionet e fundit, duke vlerësuar se mbështetja amerikane për të jetësuar qëllimin për pavarësi, po shkakton pakënaqësi në rajon. Pekini akuzon Uashingtonin se po përdor Tajvanin për frenimin e Kinës.

“Lëvizjet e tilla janë skajshmërisht të rrezikshme, si të luash me zjarrin. Kushdo që luan me zjarrin, do të digjet”, thuhet në komunikatën kineze për media pas takimit.

Forcat ushtarake kineze kanë kryer manovra javën e kaluar afër Tajvanit si kundërpërgjigje ndaj vizitës së një delegacioni të Kongresit amerikan në ishull.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se Bideni ka shprehur edhe një herë se SHBA-ja do ta përkrahë politikën e “Një Kine”, që e njeh Pekinin si qeveri të Kinës, por ia lejon marrëdhëniet joformale dhe të mbrojtjes me Taipein. Bideni e ka bërë të qartë gjithashtu se SHBA-ja “kundërshton fuqimisht përpjekjet e njëanshme për ndryshimin e status-quos ose minimin e paqes dhe stabilitetit përgjatë Ngushticës së Tajvanit”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Çështja e të drejtave të njeriut

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Bideni ngriti përsëri shqetësimet e tij në lidhje me praktikat e të drejtave të njeriut të Kinës dhe e bëri të qartë se ai kërkonte "të mbronte punëtorët dhe industritë amerikane nga praktikat e padrejta tregtare dhe ekonomike (të Kinës). Të dy folën gjithashtu për sfidat rajonale, duke përfshirë Korenë e Veriut, Afganistanin dhe Iranin.

Takimi mund t'i vendosë lidhjet në një bazë më të qëndrueshme në një afat të afërt, por të dy vendet duhet të adresojnë ende sfidat strukturore afatgjata në marrëdhëniet e tyre, tha Paul Haenle, një ish-zyrtar amerikan dhe ekspert i Kinës.

“Kjo me të vërtetë ishte vetëm një mundësi për të dy liderët që të bëjnë të qarta qëllimet, prioritetet dhe shqetësimet e tyre në lidhje me marrëdhëniet e tyre dhe të fillojnë me të vërtetë të përcaktojnë kushtet e asaj që është një epokë e re në marrëdhëniet SHBA-Kinë”, tha ai.

Presidenti i SHBA-së u bashkua në dhomën e Roosevelt për video-telefonatën nga sekretari i Shtetit, Antony Blinken, dhe një pjesë e vogël e ndihmësve. Xi, nga ana e tij, u shoqërua në Sallën e Madhe Lindore të Sallës së Madhe të Popullit nga një numër këshilltarësh.

Diplomacia e nivelit të lartë kishte një prekje të informalitetit të takimit pandemik të Zoom-it, ndërsa të dy liderët valonin dorën sapo panë njëri-tjetrin në ekran. Bideni do të kishte preferuar të takohej personalisht me Xi, por udhëheqësi kinez nuk është larguar nga vendi i tij që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit.