Pesëmuajshja Aisha ishte një tjetër viktimë e shurupit. Nëna e saj, Mariam Sisawo, e mori vesh në një mëngjes se vajza e saj nuk po e kryente urinën pasi i dha shurupin.
Lodrën me ngjyrë të kuqe në një cep të dhomës së Mariam Kuyatehut e ka mbuluar pluhuri. Ishte e të birit të saj 20-muajsh, Musas. Ai vdiq në muajin shtator.
Është në mesin e 66 fëmijëve në Gambi që dyshohet se kanë vdekur nga shurupi i kollit që u shkaktoi lëndime akute në veshka, ka bërë të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Askush nuk prek motoçikletën lodër të Musas. Është shenjë kujtimi për atë që është humbur.
Nëna e tij, 30-vjeçare, e cila ka edhe katër fëmijë të tjerë, nuk mund t’i ndalë lotët kur kujton se çfarë ka ndodhur me më të voglin e saj. E ulur në dhomën e shtëpisë në periferi të qytetit më të madh të Gambisë, Serrekundas, ajo rrëfen se sëmundja e tij nisi si grip. Pasi ishte kontrolluar nga doktori, burri i saj bleu shurupin për të trajtuar problemin.
“Kur ia dhamë shurupin, gripi u ndal, por filloi problemi tjetër”, thotë Kuyateh. “Djali nuk po e bënte urinën”.
U kthye në spital dhe Musas iu bën analizat e gjakut, të cilat përjashtuan mundësinë e malaries. Iu bë edhe një trajtim që nuk bëri punë dhe pastaj iu vendos edhe një tub, por assesi nuk e bënte urinën. Krejt në fund vogëlushi u operua. Nuk kishte përmirësim. “Nuk ia doli. Ai vdiq”, rrëfen nëna e tij.
Në fillim të javës, OBSH-ja ka alarmuar për katër shurupe të kollit në lidhje me vdekjet në Gambi.
Shurupet “Promethazine Oral Solution”, “Kofexmalin Baby Cough Syrup”, “Makoff Baby Cough Syrup” dhe “Magrip N Cold Syrup” ishin prodhuar nga kompania indiane “Maiden Pharmaceuticals”, e cila nuk kishte garantuar për sigurinë e shurupeve, ka bërë të ditur OBSH-ja.
Qeveria indiane është duke e hetuar rastin. Kompania nuk u është përgjigjur pyetjeve nga BBC-ja. Ka shumë pakënaqësi në Gambi në lidhje me atë që ka ndodhur. Ka thirrje për dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Ahmadou Lamin Samateh, së bashku me drejtuesit e doganave që lejuan importin e ilaçeve në shtet.
“Gjashtëdhjetegjashtë është numër i madh. Ne duam drejtësi sepse viktimat janë fëmijë të pafajshëm”, thotë Kuyateh.
Pesëmuajshja Aisha ishte një tjetër viktimë e shurupit. Nëna e saj, Mariam Sisawo, e mori vesh në një mëngjes se vajza e saj nuk po e kryente urinën pasi i dha shurupin.
Në kontrollin e parë në spital, nënës 28-vjeçare iu tha se nuk kishte probleme me fshikëzën e vajzës. Pas dy-tre kontrolleve nëna u këshillua për vizitë në spitalin e kryeqytetit Banjul, 36 kilometra larg shtëpisë së tyre në Brikama. Mirëpo pas pesë ditësh qëndrimi në spital, ajo vdiq.
“Vajza kishte vdekje me plot dhimbje. Në disa raste kur doktorët dëshironin t’ia jepnin infuzionin, nuk mund t’ia gjenin venat. Unë dhe dy gra të tjera humbëm fëmijët tanë në atë spital”, thotë ajo.
“Kam dy djem dhe Aisha ishte hasret. Burri ishte shumë i lumtur që kishim çikë dhe nuk e ka marrë veten nga vdekja e saj”, shton ajo.
Gambia nuk ka laborator për testimin e sigurisë së ilaçeve, prandaj duhet t’i dërgojnë në shtetet e tjera. Mirëpo nëna Sisawo beson se qeveria duhet të jetë më vigjilente.
“Ky është mësim për prindërit, por më shumë përgjegjësi për qeverinë”, thotë ajo.
Familjarët e fëmijëve janë të pakënaqur me shtetin që nuk ka sistem të mirë shëndetësor. Sikur t’i kishin ilaçet e duhura, janë të bindur se fëmijët do t’i kishin përsëri në krahë.