SHBA-ja ka vënë në listën e zezë rreth 70 entitete ruse, që janë të përfshira në mbrojtjen e Rusisë dhe ka sanksionuar më shumë se 300 individë, entitete, aeroplanë dhe anije.
Liderët e demokracive më të fuqishme të botës kanë premtuar të premten se do të ashpërsojnë masat ndaj Rusisë për pushtimin e saj të Ukrainës, pak ditë para se presidenti Volodymyr Zelenskyy t’i bashkohet samitit të G7-s.
“Përkrahja jonë për Ukrainën nuk do të lëkundet”, kanë thënë liderët në një deklaratë të publikuar pas takimit me dyer të mbyllura. Ata kanë premtuar se do të qëndrojnë të bashkuar kundër agresionit ilegal, të paprovokuar dhe të paarsyeshëm të Rusisë kundër Ukrainë.
“Rusia nisi këtë luftë dhe mund t’i japë fund kësaj lufte”, kanë thënë liderët e shtatë demokracive të botës.
Oleksiy Danilov, sekretar i Këshillit Kombëtar të Ukrainës, ka konfirmuar se Zelenskyy do të marrë pjesë në këtë samit.
“Jemi të sigurt se presidenti ynë do të jetë aty ku i duhet Ukrainës, në çdo pjesë të botës, me qëllim që të zgjidhë çështjet e stabilitetit të shtetit tonë”, ka thënë Danilov të premten. “Atje do të vendoset për çështje të rëndësishme, prandaj prania fizike është vendimtare në mbrojtjen e interesave tona”.
Kritikat ndaj botës arabe
Zelenskyy ka udhëtuar të premten në drejtim të Arabisë Saudite. Atje u është bashkuar liderëve arabë, të cilët po mbajnë një samit.
Presidenti ukrainas ka akuzuar disa liderë arabë se kanë mbyllur sytë për pushtimin rus të Ukrainës. Nga shtetet e Ligës Arabe, vetëm Siria hapur ka përkrahur Rusinë në nisjen e pushtimit të Ukrainës. Shtetet tjera kanë bërë përpjekje që të kenë marrëdhënie të mira me Moskën.
“Fatkeqësisht, në botë dhe në mesin e juve ka njerëz që kanë mbyllur sytë për të burgosurit e luftës dhe aneksimet ilegale”, ka thënë Zelenskyy.
“Jam këtu që të gjithë të kenë pamje të sinqertë, pa marrë parasysh se sa fort kanë provuar rusët të shtrijnë ndikimin, por duhet të ketë pavarësi”.
Kërcënimet me përdorimin e armëve bërthamore nga Putini kundër Ukrainës dhe testimet e raketave nga Koreja e Veriut, kanë nxitur Japoninë që në takimin e G-7-s temë kryesore të jetë çarmatosja bërthamore. Liderët e botës të premten kanë vizituar parkun e paqes të dedikuar për mijëra njerëz që vdiqën nga bomba bërthamore në Hiroshimë.
Bllokimi i Rusisë
Pas takimit u konfirmua raundi i ri i sanksioneve kundër Rusisë, me përqendrim te përpjekjet për të fuqizuar sanksionet ekzistuese që bllokojnë Rusinë në luftë. Rusia tani është shteti më i sanksionuar në botë, por shumë ekspertë kanë vënë në dyshim efektin e penalltive financiare.
SHBA-ja ka vënë në listën e zezë rreth 70 entitete ruse që janë të përfshira në mbrojtjen e Rusisë dhe ka sanksionuar më shumë se 300 individë, entitete, aeroplanë dhe anije.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se edhe shtetet e tjera të G7-s do të marrin të njëjtët hapa për të izoluar Rusinë dhe për t’ia dobësuar aftësinë e saj të luftës në Ukrainë. Detajet tjera pritet të publikohen gjatë fundjavës.
Shtetet e G7-s në komunikatën e së premtes kanë thënë se do të punojnë për t’ia pamundësuar Rusisë përdorimin e sistemit financiar për të financuar luftën dhe se do të “bllokojnë qasjen e mëtejshme të Rusisë në ekonomitë e vendeve të tyre”.
Këto shtetet u kanë bërë thirrje vendeve të tjera që të mos furnizojnë Rusinë me armë ose do të përballen me kosto të shumta.
Bashkimi Evropian është përqendruar në mbylljen e zbrazëtirave dhe planeve për të bllokuar tregtinë e diamanteve rusë, ka thënë presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Ndërkaq Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksionet e reja që ngrinë asetet e 86 personave dhe organizatave që kanë lidhje me energjinë, metalet, mbrojtjen, transportin dhe financat e Rusisë.
“Ne duhet t’ia japim Ukrainës mjetet me qëllim që ta mbrojë veten dhe të kthejë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Ne do t’i ofrojmë Ukrainës përkrahjen e nevojshme ushtarake dhe financiare. Do ta bëjmë këtë për aq sa do të jetë e nevojshme”, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Kryeministri japonez, Fumio Kishida, i cili përfaqëson Hiroshimën në parlament, dëshiron që çarmatosja bërthamore të jetë fokusi kryesor i diskutimeve dhe zyrtarisht nisi samitin në Parkun e Paqes në Hiroshima.
Llogaritet se 140 mijë njerëz u vranë nga sulmi me bombë bërthamore në Hiroshima, ndërkaq të mbijetuarit janë bërë sinonim i përpjekjeve paqësore kundër bombave bërthamore.
“Sinqerisht, kam dyshime të mëdha nëse Kishida, i cili po ndjek planet e ngritjes së ushtrisë dhe kërkon të rishikojë kushtetutën pacifiste, mund të diskutojë vërtet për çarmatosjen bërthamore”, ka thënë Sueichi Kido, që njihet edhe si “hibakusha” ose i mbijetuar nga Nagasaki. “Por për shkak se ata po takohen në Hiroshima, unë kam grimë shprese se do të kenë bisedime pozitive dhe do të bëjnë një hap të vogël drejt çarmatosjes bërthamore”.
Bideni, i cili anuloi planet për të udhëtuar në Papua Guinenë e Re dhe Australi pas qëndrimit të tij në Japoni, në mënyrë që të mund t'u rikthehej bisedimeve për borxhin në Uashington, organizoi të takohet të shtunën në margjinat e G7-s me udhëheqësit e së ashtuquajturës “Katërshe”, që përbëhet nga Japonia, Australia, India dhe SHBA-ja.
Katër liderët fillimisht ishte planifikuar të takoheshin në Australi si pjesë e përpjekjes së Bidenit për të rigjallëruar marrëdhëniet në Indo-Paqësorin.
Të enjten mbrëma, Kishida hapi diplomacinë globale duke u ulur me presidentin Joe Biden. Kishida zhvilloi gjithashtu bisedime me kryeministrin britanik Rishi Sunak.
Aleanca Japoni-SHBA është “themeli i paqes dhe sigurisë në rajonin Indo-Paqësor”, ka thënë Kishida. Japonia, duke u përballur me kërcënimet nga Kina autoritare, Rusia dhe Koreja e Veriut, ka zgjeruar ushtrinë e saj, por gjithashtu mbështetet në 50 mijë trupat amerikane të vendosura në Japoni.
“Ne e mirëpresim shumë që bashkëpunimi ka evoluar në hapa të mëdhenj”, ka thënë Kishida.
“Kur vendet tona qëndrojnë së bashku, ne qëndrojmë më të fortë dhe besoj se e gjithë bota është më e sigurt kur ne qëndrojmë”, ka thënë presidenti amerikan, Biden.
Ndërsa të pranishmit e G7-s morën rrugën për në Hiroshima, Moska kreu një tjetër sulm ajror në kryeqytetin ukrainas. Shpërthime të forta gjëmuan nëpër Kiev gjatë orëve të para, duke shënuar herën e nëntë këtë muaj që sulmet ajrore ruse kanë shënjestruar qytetin pas disa javësh qetësie relative.
Sanksionet amerikane
Shtetet e Bashkuara kanë ngrirë fondet e Bankës Qendrore Ruse, kanë kufizuar qasjen e bankave në SWIFT – sistemi dominues për transaksionet financiare globale – dhe kanë sanksionuar mijëra firma ruse, zyrtarë qeveritarë, oligarkë dhe familjet e tyre.
Grupi i Shtatë vendeve vendosi bashkërisht tavanin e çmimit prej 60 dollarësh për fuçi për naftën dhe gazin rus vitin e kaluar, të cilin Departamenti i Thesarit i SHBA-së e mbrojti të enjten në një raport të ri progresi, duke deklaruar se kufiri ka qenë i suksesshëm në bllokimin e të ardhurave ruse nga nafta. Thesari citon të dhënat e Ministrisë ruse të Financave që tregojnë se të ardhurat e Kremlinit nga nafta nga janari deri në mars të këtij viti ishin më shumë se 40% më të ulëta se vitin e kaluar.
Ndikimi ekonomik i sanksioneve varet kryesisht nga shkalla në të cilën një vend i synuar është në gjendje t'i anashkalojë ato, sipas një raporti të fundit të Shërbimit Kërkimor të Kongresit. Kështu që gjatë muajit të kaluar, zyrtarët e Thesarit të SHBA-së kanë udhëtuar nëpër Evropë dhe Azinë Qendrore për të nxitur vendet që ende bëjnë biznes me Kremlinin për të ndërprerë lidhjet e tyre financiare.
“Sfida është të sigurohemi që sanksionet të jenë të dhimbshme kundër Rusisë, jo kundër vetvetes”, ka thënë Michel. “Është shumë e qartë se çdo pako është më e vështirë se ajo e mëparshme dhe kërkon më shumë përpjekje politike për të marrë një vendim”.
Udhëheqësit e G7-s dhe mysafirët e ftuar nga disa qarqe të tjera pritet të diskutojnë gjithashtu se si të merren me vendosmërinë në rritje dhe ngritjen ushtarake të Kinës pasi rriten shqetësimet se ajo mund të përpiqet të pushtojë Tajvanin me forcë, duke shkaktuar konflikt më të gjerë. Kina pretendon se ishulli vetëqeverisës është i veti dhe anijet dhe aeroplanët e saj luftarakë patrullojnë rregullisht pranë ishullit.
Në diplomaci duelesh, presidenti kinez Xi Jinping po pret liderët e vendeve të Azisë Qendrore të Kazakistanit, Kirgistanit, Taxhikistanit, Turkmenistanit dhe Uzbekistanit për samitin dyditor në qytetin kinez Xi'an.
Udhëheqësit do të diskutojnë përpjekjet për të forcuar ekonominë globale dhe për të adresuar çmimet në rritje që po shtrëngojnë familjet dhe buxhetet e qeverisë në mbarë botën, veçanërisht në vendet në zhvillim në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine.
G7 përfshin Japoninë, Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë, Kanadanë, Italinë dhe Bashkimin Evropian.