Armatosja e Serbisë, kryesisht në dy vjetët e fundit, me kontingjente armatimesh të ndryshme nga Rusia, duhet të jetë shqetësuese, jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin, vendet e të cilit ose janë pjesë e aleancës së NATO-s ose kanë prezencë të kësaj aleance, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë në dorëheqje të Kosovës.
Zëvendësministri në dorëheqje i Mbrojtjes, Burim Ramadani, thotë për Radion Evropa e Lirë që zgjerimi i NATO-s në Ballkan ka ofruar dhe ndikuar në stabilitetin dhe sigurinë rajonale në formë të rëndësishme, duke krijuar besimin se Ballkani do të ketë paqe të përhershme kur të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor do të jenë pjesë e NATO-s.
Në anën tjetër, siç thotë ai, Serbia, ndonëse ka shpallur neutralitet ushtarak, ajo e ka thyer dukshëm këtë neutralitet duke u armatosur me pajisje, sipas standardit rus.
“Duket e qartë se Serbia, me orientim, por edhe me armatosje, po kthehet në një ‘Rusi të vogël’ në Ballkan dhe domosdo që kjo paraqet shqetësim për sigurinë në tërë rajonin e Ballkanit dhe jo vetëm për shtetet veç e veç. Si e tillë, ajo, është një sinjal jashtëzakonisht i keq i përcjelljes së logjikës kërcënuese ndaj shteteve fqinje, respektivisht, mungesë e investimit për fqinjësi të mirë”, tha Ramadani.
Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që Serbia po armatoset me armë që vijnë kryesisht nga Rusia, e të cilat, sipas tij, janë të frikshme për vendet e rajonit. Siç thotë ai, këto armë e bëjnë Serbinë të varur nga kontingjentet e armëve ruse dhe pjesët rezervë. Megjithatë, e gjithë kjo, siç vlerëson Tahiri, është vazhdim i një mitologjie serbe, të cilën po e shfrytëzon udhëheqja e këtij shteti, si një lloj popullzimi dhe tradite që serbët janë popull ushtarak, duke e nxitur në një mënyrë armiqësinë me popujt tjerë.
“Armatimi, numri i madh i ushtarëve dhe i rezervistëve në Serbi, e mbanë në një formë ushtarake organizimin e shoqërisë, që është tradicional dhe gjithashtu, e mban në pushtet këtë garniturë, e cila nuk i nënshtrohet procedurave të zgjedhjes dhe rizgjedhjeve demokratike. E mbanë në një psikozë të rrezikut të përhershëm Serbinë dhe popullin serb, si dhe në një lloj tensioni ose armiqësie, që herë pas here, politika, përmes deklaratave, e bëjnë edhe me shqiptarët, me Bosnjën, e bëjnë sidomos me kroatët dhe ndonjëherë u ndodhë edhe me bullgarët”, theksoi Tahiri.