Dekreti komunal për ndryshimin e emrit të rrugës nga “Tito” apo “Titova cesta” në Radenci, qytet ky në verilindje të Sllovenisë, në “Cesta osmosvojitve Slovenije” (Rruga e pavarësisë sllovene) është debatuar në gjykatën më të lartë të vendit. Referendumi është përmendur si zgjidhje për kapërcimin e kundërshtimeve
Tridhjetë vjet pasi që Sllovenia e arriti pavarësinë, përplasja e hidhur rreth një rruge që qysh nga 1979-a mbante emrin e mareshalit Josip Broz Tito ka reflektuar se si ish-lideri i federatës së Jugosllavisë vazhdon ta ndajë në dysh opinionin në këtë vend të Evropës Qendrore.
Dekreti komunal për ndryshimin e emrit të rrugës nga “Tito” apo “Titova cesta” në Radenci, qytet ky në verilindje të Sllovenisë, në “Cesta osmosvojitve Slovenije” (Rruga e pavarësisë sllovene), është debatuar në gjykatën më të lartë të vendit. Referendumi është përmendur si zgjidhje për kapërcimin e kundërshtimeve.
Gazeta britanike “The Guardian” ka raportuar të hënën se me gjithë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në dhjetor për pezullimin e dekretit, kryebashkiaku i qytetit, Roman Leljak, shkrimtar dhe historian, ka shkaktuar tronditje ditëve të fundit, duke i çuar përpara planet për heqjen nga rruga të të gjitha referencave për ish-diktatorin. Gjatë një takimi komunal, ku dekreti i ri ishte miratuar përfundimisht, pesë këshilltarë braktisën sallën dhe Leljak u akuzua se është ideolog.
“Mjerisht demokracia ka vdekur në komunën e Radencit me ardhjen e kryebashkiakut Roman Leljak, i cili e ndryshon arbitrarisht pamjen e komunës dhe merr vendime të dyshimta për të cilat qytetarët do të paguajnë kohë të gjatë”, kanë thënë për “Guardian” dy këshilltarët, Norma Bale dhe Dejan Beriq. “Leljak ia doli që t’i ndante qytetarët në dy kampe dhe t’i përplaste ata njërin me tjetrin”.
Sllovenia ka shënuar 30-vjetorin e pavarësimit nga Jugosllavia në fundin e muajit të shkuar, me ç’rast kryeministri Janez Jansha ka thënë se momenti ia lejoi vendit “të frymojë lirshëm”.
Por historia e përgjakshme e vendeve që e përbënin ish-Jugosllavinë – Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia – ka ngjallur në disa pjesë “jugo-nostalgjinë” viteve të fundit, ka raportuar e përditshmja britanike.
Tito, babai i të cilit ishte kroat ndërsa nëna sllovene, ka udhëhequr ish-Jugosllavinë, pjesë e së cilës Sllovenia ishte për 35 vjet, deri në vdekjen e tij më 1980. Gjatë qeverisjes ai e kishte bërë atë njërën prej vendeve më të avancuara komuniste, nëpërmjet një modeli nacionalist që shkëputej prej Bashkimit Sovjetik të Joseph Stalinit.
“Ishte i pamëshirshëm në shtypjen e opinioneve të kundërta dhe lëvizjeve nacionaliste, dhe roli e vepra e tij gjatë formimit të federatës socialiste të Jugosllavisë vazhdon që të debatohet ende. Pas vdekjes së Titos, Jugosllavia u përfshi në luftëra të përgjakshme që u kushtuan me jetë më shumë se 100 mijë personave”, ka shkruar “Guardian”.
Në argumentimin për heqjen e emrit të Titos nga rruga, Leljak ka pretenduar se Tito ishte njëri prej kriminelëve më të mëdhenj të shekullit 20. Gjykata Kushtetuese vendosi më 2011 që një përpjekje tjetër për emërtimin sipas Titos të një rruge në kryeqytetin Lubjanë është jokushtetuese.
“Emri Tito nuk e simbolizon vetëm çlirimin e territorit të Sllovenisë së sotme nga okupimi fashist në Luftën e Dytë Botërore, siç pretendohet nga pala tjetër në rast, por edhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, veçanërisht në dekadën pas luftës”, ka vendosur gjykata, raporton “Guardian”.
Porse në rastin e Radencit, Leljak pretendon se përpjekja ishte krejtësisht në përputhje me ligjin. Ka shtuar se ndryshimi i emrit ishte shenjë e respektit për Alojz Gauben, ish-anëtarin e Armatës Popullore Jugosllave, themeluar nga Tito, i cili ishte vrarë në rrugë teksa po luftonte për pavarësinë e Sllovenisë më 1991, ka shkruar gazeta britanike. \ Guardian