Botë

Rritja e çmimit të rrymës s’ka fund, cila është lidhja me gazin

Ndërsa ekonomia e BE-së po rrëshqet në recesion, vendet po përgatisin plane për të ndihmuar ekonominë dhe popullsinë të mbijetojnë dimrin e ardhshëm për shkak të një krize energjie të paparë që nga “shoku i naftës” gjatë viteve 1970.

Gazi në bursat evropiane arriti në gati 3.000 euro për 1000 metër kub (rreth 280 euro për megavat orë), dhe ky çmim është për porositë e vitit të ardhshëm.

Në tregun në Gjermani, në fund të javës së kaluar, gazi kushtonte 3.100 euro për 1000 metër kub nëse blihej për ditën e nesërme. Nga raporti i këtyre çmimeve, duket qartë se situata nuk pritet të përmirësohet vitin e ardhshëm, përkundrazi.

Vitin e kaluar 1000 metër kub gaz kushtonin rreth 270 euro.

Në tregun e energjisë elektrike situata është edhe më dramatike. Të premten u lidh një kontratë në berzën franceze të energjisë me çmim pabesueshëm, 1.070 euro për megavat orë për vitin e ardhshëm.

Në Gjermani të premten është lidhur një kontratë me çmim 890 euro për megavat orë. Për krahasim, çmimi me shumicë i energjisë elektrike në Gjermani katër vite më parë ishte 54 euro për megavat orë.

Çmimi i energjisë elektrike është kryesisht për shkak të çmimit të gazit. Çmimi i energjisë elektrike në tregjet evropiane formohet në bazë të çmimit të kilovatit më të shtrenjtë të prodhuar, që në këtë situatë është energjia elektrike e prodhuar nga termocentralet me gaz. Ato prodhojnë rreth 20 për qind të energjisë elektrike në BE.

Për ta bërë të plotë tablonë, nafta kapërceu sërish shifrën e 100 dollarëve për fuçi, ndërkohë që jo shumë kohë më parë, gjatë pandemisë së vitit 2020, çmimi ra në rreth njëzet dollarë dhe u regjistruan raste kur pronarët e naftës nuk kishin kujt t'ia shisnin dhe duhej të paguanin për ruajtjen e saj.

BE-ja importon 400 miliardë metra kub gaz në vit, nga të cilat 40 për qind vinin nga Rusia deri kur nisi lufta në Ukrainë më 24 shkurt 2022. /”Danas”