Miliona njerëz ka rrezik të zhvendosen dhe të bëhen “refugjatë klimatikë” për shkak të rritjes së nivelit të detit, erozionit të lumenjve, stuhive ciklonike dhe ujit të kripur që zvarritet në brendësi të vendit, thonë shkencëtarët. Bangladeshi pritet të ketë rreth një të tretën e refugjatëve të brendshëm të klimës në Azinë Jugore deri në vitin 2050, sipas një raporti të Bankës Botërore
Bhola, Bangladesh (AP) - Kur Lumi Mehgna gëlltiti shtëpinë e familjes me çati prej kallaji të Mohammad Jewelit dhe Arzu Begumit brenda natës në Bangladeshin jugor, pak më shumë se një vit më parë, ata nuk kishin zgjidhje tjetër veçse ta linin fshatin e tyre stërgjyshor.
Çifti iku të nesërmen në mëngjes me katër djemtë e tyre të rinj në kryeqytetin Dhaka mbi njëqind kilometra larg shtëpisë së tyre në fshatin Ramdaspur në rrethin Bhola, një nga zonat më të goditura bregdetare, ku shumë fshatarë humbin rregullisht shtëpitë dhe tokat e tyre nga vërshimet e lumenjve që derdhen në Gjirin e Bengalit.
Lumi që po përlan gjithçka
“Ne jemi rritur duke parë lumin, jetojmë në lumë duke kapur peshk. Por tani ai na ka marrë gjithçka”, tha Jewel.
“Më dhemb zemra kur mendoj për fshatin tim, paraardhësit e mi, ditët e mia të vjetra. Nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të largohesha nga vendlindja”.
Lumenjtë e fuqishëm që përshkojnë Bangladeshin, si Mehgna, burojnë në Himalaje ose në Tibet dhe kalojnë nëpër rajonet veriore dhe verilindore të vendit përpara se të derdhen në det në jug. Më shumë se 130 lumenj përshkojnë vendin e ulët, disa prej tyre të prirë ndaj përmbytjeve të rënda.
Ekspertët thonë se ndryshimet klimatike po shkaktojnë kushte të paqëndrueshme të motit në vend, duke rezultuar në një shembje të shpejtë të brigjeve të lumenjve dhe në shkatërrimin e fshatrave me radhë. Gjatë sezonit të monsuneve, i cili zgjat nga qershori deri në tetor, shumë lumenj ndryshojnë rrjedhën, duke gllabëruar tregjet, shkollat, xhamitë dhe shtëpitë pranë brigjeve të tyre.
Miliona njerëz ka rrezik të zhvendosen dhe të bëhen “refugjatë klimatikë” për shkak të rritjes së nivelit të detit, erozionit të lumenjve, stuhive ciklonike dhe ujit të kripur që zvarritet në brendësi të vendit, thonë shkencëtarët. Bangladeshi pritet të ketë rreth një të tretën e refugjatëve të brendshëm të klimës në Azinë Jugore deri në vitin 2050, sipas një raporti të Bankës Botërore të botuar vitin e kaluar.
Fshati i kthyer në gërmadhë

Gjatë sezonit të monsuneve, i cili zgjat nga qershori deri në tetor, shumë lumenj ndryshojnë rrjedhën, duke gllabëruar tregjet, shkollat, xhamitë dhe shtëpitë pranë brigjeve të tyre
Kur Jeweli dhe Begumi vizituan shtëpinë e vjetër të familjes së tyre në Ramdaspur një vit më vonë, edhe më shumë shtëpi u shkatërruan, lumi vërshoi tokat e reja. Jeweli tha se lumi kurrë nuk ishte aq afër kur ishte fëmijë, por ai afrohej çdo vit.
“Në kohën kur ne u rritëm, e gjithë toka dhe shtëpitë u shkatërruan nga lumi. Vendi që po qëndrojmë tani do të gërryhet në lumë brenda disa ditësh”, shtoi ai, vetëm disa metra larg shtëpisë së tyre të vjetër të familjes.
Ai tha se fshati dikur ishte i mbushur me dyqane të vogla dhe stalla çaji, tregje dhe hapësira të gjelbra. Toka ishte pjellore. Por me kalimin e viteve, njerëzit u detyruan t’i braktisnin shtëpitë e tyre. Ai vlerëson se jo më shumë se 500 njerëz tani jetojnë në fshatin dikur me 2.000 banorë.
Duke ecur nëpër mbetjet e komunitetit të tyre të dikurshëm, dhimbje ndjen edhe bashkëshortja e tij, Arzu Begum, edhe pse uji i bollshëm i viteve të fundit ia vështirësoi jetën familjes.
“Unë e rrita fëmijën tim më të vogël duke ia lidhur këmbët me një litar të lidhur në derën e shtëpisë sime nga frika e mbytjes. Gjatë baticës shtëpia u mbush me ujë dhe fëmija im më i vogël lëvizte gjithmonë drejt ujit”, kujton Begumi.
“Të gjitha këto u shkatërruan në erozionin e lumit dhe njerëzit u shpërndanë”, tha ajo, duke treguar shtëpitë e miqve dhe fqinjëve.
“Disa jetojnë në platforma të ngritura, disa në shtëpi me qira, disa në strehimore të improvizuara pranë digave e kështu me radhë. Unë u transferova në Dhaka. Jetonim në një komunitet të madh. Tani gjithçka që mund të shihni është lumi dhe askush nuk jeton atje”.
“Ne jemi bërë të pastrehë”, tha ajo.
Vlerësohet se më shumë se 2 mijë emigrantë mbërrijnë në kryeqytetin Daka çdo ditë, me shumicën që ikin nga qytetet bregdetare.
“Strehë klimatike”

Miliona njerëz ka rrezik të zhvendosen dhe të bëhen “refugjatë klimatikë” për shkak të rritjes së nivelit të detit, erozionit të lumenjve, stuhive ciklonike dhe ujit të kripur që zvarritet në brendësi të vendit
Në pjesën veriore të kryeqytetit të Bangladeshit, zyrtarët po ndërtojnë strehimore për emigrantët klimatikë dhe po përmirësojnë furnizimin me ujë, por familja e Jewelit dhe Begumit janë një nga shumë familjet që nuk mund të përfitojnë nga këto projekte. Zyrtarët po punojnë gjithashtu me qytete më të vogla për t'u caktuar si "strehë klimatike" që mirëpresin emigrantët.
Ekspertët thonë se kufizimi i emetimeve të gazeve serrë që ngrohin planetin, veçanërisht në vendet me emetim të lartë si SHBA-ja, Kina dhe India, do të ndihmojë në kufizimin e ngjarjeve më drastike të motit në mbarë botën.
Tani në zonën e varfër Mirpur të Dakës, duke jetuar në një kasolle me një dhomë të ngritur mbi një moçal, Begumi dhe Jeweli mund të jenë larg Mehgnas së fryrë, por thonë se nuk mund të përshtaten me jetën e vështirë të qytetit.
“Ne kishim vendin tonë dhe nuk duhej të paguanim qira. Të ardhurat tona mujore ishin të mjaftueshme për të mbajtur familjen tonë”, kujton Begumi, duke iu referuar jetës së tyre në Ramdaspur.
“Tani jemi të detyruar të paguajmë qiranë e shtëpisë dhe të shpenzojmë një sasi të tillë parash për ushqim, sa ajo që fitojmë nuk është e mjaftueshme për familjen”, tha ajo.
Burri i saj fiton 12.000 taka (136 dollarë) në muaj duke bërë “punë të pistë” duke shkuar derë më derë dhe duke mbledhur mbeturinat e shtëpive, ndërsa Begumi fiton 4.000 taka të tjera (45 dollarë) si pastruese për dy shtëpi të ndryshme. Të ardhurat e saj paguajnë qiranë e familjes dhe Jeweli mezi mbulon pjesën tjetër të shpenzimeve të familjes.
Jeweli, i cili dikur zinte peshk në fshatin e tij, thotë se ata jetonin atje të gëzuar dhe mendonin t'u krijonin kushte për jetë më të mirë fëmijëve të tyre.
“Kisha një plan për t'i rritur siç duhet fëmijët e mi, për t'i dërguar në shkollë. Por tani, gjithçka është aq e pasigurt sa nuk e di se si do të mbijetojmë. Fëmijët e mi po rriten, por unë nuk mund të kujdesem për ta”, tha ai.
“Puna ime është shumë e ndyrë, nuk ndihem mirë duke mbledhur të gjitha gjërat e këqija që mbledh nga familjet në lagjen time të pasur”, shtoi ai.
“Unë e urrej punën time. Por kur mendoj se si mund të mbijetoj pa punë, qëndroj i qetë. Jeta nuk është e lehtë”.
Përktheu: Forca Jashari

Ekspertët thonë se kufizimi i emetimeve të gazeve serrë që ngrohin planetin, veçanërisht në vendet me emetim të lartë si SHBA-ja, Kina dhe India, do të ndihmojë në kufizimin e ngjarjeve më drastike të motit