Qëkur qeveria e re e Izraelit – krahu më i djathtë dhe më fetar në historinë e tij – erdhi në pushtet, incidentet kundër të krishterëve në Jerusalem thuhet se janë bërë më të dhunshme dhe të zakonshme. Në fillim të vitit, 30 varre të krishtera në varrezat protestante të malit Sion u përdhosën. Në lagjen armene, vandalët shkruan
Asgjë në lidhje me sulmin apo atë që ndodhi që atëherë nuk e befasoi Miran Krikorianin. Pronari armen i “Taboon and Wine Bar” në qytetin e vjetër të Jerusalemit nuk u befasua kur mori një telefonatë natën e 26 janarit se një turmë kolonësh izraelitë po sulmonin lokalin e tij në lagjen e krishterë dhe bërtisnin "Vdekje arabëve ... Vdekje të krishterëve”.
Nuk e habiti se sa pak përpjekje bëri policia për të kapur autorët; pas disa raportimeve rreth sulmit dhe mungesës së arrestimeve, policia i tha dy muaj më vonë se ata arrestuan tre nga të dyshuarit në mesin e turmës. Por ata kërkuan edhe videon e tij të vëzhgimit, pavarësisht se videot tashmë janë në internet dhe kamerat e vëzhgimit janë të kudondodhura në Qytetin e Vjetër.
"Ju keni kamera këtu që mund të tregojnë të brendshmet që dikush ka veshur, kështu që si është e mundur që po kërkoni pamjet e mia dy muaj më vonë?" - pyeti Krikoriani.
Ishte e lehtë për të të identifikonte vetë shumë prej autorëve – ata hynë në internet dhe i dhanë restorantit të tij vlerësim me një yll disa minuta pas sulmit – por kur ai shkoi në komisariat atë natë, oficeri atje e qortoi: “Mos më mërzit shumë”.
Disa ditë më vonë, armenët duke lënë një shërbim përkujtimor në lagjen armene thonë se ata u sulmuan nga kolonët izraelitë që mbanin mjete të forta. Një armen u sulmua me sprej, ndërsa kolonët u ngjitën në muret e manastirit armen, duke u përpjekur të rrëzonin flamurin, i cili kishte një kryq mbi të. Kur armenët i përzunë ata, kolonët filluan të bërtisnin: "Sulm terrorist", duke nxitur policinë kufitare aty pranë të tërheqë armët mbi armenët, duke rrahur dhe arrestuar njërin prej tyre.
"Në vend që ushtarët të qetësonin ose të dënonin kolonët, unë po shikoja në sytë e ushtarit dhe i thashë të qetësohej", tha një nga të rinjtë armen të sulmuar për “Al-Jazeeran”.

“Armiqësia e hebrenjve, dukuri e përditshme”
Armiqësia e hebrenjve fundamentalistë ndaj komunitetit të krishterë të Jerusalemit nuk është e re dhe nuk janë vetëm të krishterët armenë ata që vuajnë prej saj. Priftërinjtë e të gjitha komuniteteve përshkruajnë se janë shtypur me vite. Që nga viti 2005, festimet e krishtera rreth Javës së Shenjtë, veçanërisht të Shtunës së Zjarrit të Shenjtë, kanë sjellë barrikada ushtarake dhe trajtim të ashpër nga ushtarët dhe kolonët, me numrin në mënyrë drastike të kufizuar të adhuruesve të lejuar brenda Kishës së Varrit të Shenjtë, nga rreth 11 mijë historikisht gjatë ceremonisë së Zjarrit të Shenjtë në 1.800 që nga viti i kaluar, me autoritetet që përmendin shqetësimet e sigurisë.
Por që kur qeveria e re e Izraelit – krahu më i djathtë dhe më fetar në historinë e tij – erdhi në pushtet, incidentet kundër të krishterëve në Jerusalem thuhet se janë bërë më të dhunshme dhe të zakonshme. Në fillim të vitit, 30 varre të krishtera në varrezat protestante të malit Sion u përdhosën. Në lagjen armene, vandalët shkruan "Vdekje arabëve, të krishterëve dhe armenëve" në mure.
Në Kishën e Flagelacionit, dikush goditi një statujë të Jezusit me çekiç. Muajin e kaluar, një izraelit erdhi në Kishën e Gethsemanit gjatë shërbesave fetare të së dielës dhe u përpoq të sulmonte priftin me një shufër hekuri. Të qenit i shtypur dhe i dhunuar nga izraelitët është bërë, për disa të krishterë, "një dukuri e përditshme".

Lufta me “sindromën mesianike”
Në shumicën e rasteve, viktimat e këtyre incidenteve thonë se policia bën pak për të kapur ose ndëshkuar sulmuesit.
"Frika ime është se këta autorë janë të njohur, por ata gëzojnë pandëshkueshmëri", tha Munib Younan, peshkop emeritus i Kishës Ungjillore Luterane. "Kjo është arsyeja pse ata po e bëjnë këtë".
Udhëheqësit e kishës dhe komunitetit vënë në dukje se policia bën pak për të hetuar dhe për të hedhur poshtë ose minimizuar motivet fetare dhe ideologjike pas këtyre sulmeve, duke thënë zakonisht se autorët vuajnë nga sëmundje mendore.
“Njeriu që u përpoq të hidhte domate në Kishën tonë të Gethsemanit në vitin 2020, ishte njësoj – ai u mor për një kohë dhe më pas u shpall i sëmurë mendor. Pra, çfarë mund të bëjmë?” - ritheksoi frati, Francesco Patton, kujdestar i Tokës së Shenjtë.
I detyruar t'i marrë përgjegjësitë në duart e tij, Pattoni, i cili ka për detyrë të mbrojë rreth 80 vende në Jerusalem, thotë se françeskanët pa dëshirë kanë vendosur kamera në të gjitha cepat e vendeve të tyre të shenjta, të cilat po bëhen më të pafrenkuentuara nga publiku për shkak të sulmeve të vazhdueshme.
"Ky nuk është shpirti françeskan ... i mirëseardhjes", tha ai. “Por ne duhet të kujdesemi për vendet e shenjta dhe njerëzit që vijnë të luten dhe të adhurojnë”.
Ideologjikisht, burimi kryesor për këtë shënjestrim të të krishterëve dhe vendeve të tyre të shenjta vjen nga edukimi i disa grupeve ultra-fetare hebraike, sipas udhëheqësve të komunitetit dhe kishës. Shumica e sulmeve vijnë nga një pakicë e vogël studentësh adoleshentë jeshiva, thonë ata.
“Mendja e tyre është e fiksuar pas ‘sindromës mesianike’. Ata duan të marrin nën kontroll të gjithë tokën”, tha patriarku ortodoks grek i Jerusalemit, Theophilos III. “Kur sheh të rinj, 15 apo 16 vjeç, dhe ata bëjnë lloj-lloj gjërash dhe nuk kanë frikë, dikush qëndron pas kësaj”.
Të bësh politikën fetare, dhe fenë politike
Synimi i simboleve të krishtera – veçanërisht kryqit, me ngacmuesit që shpesh i quajnë të krishterët “paganë” ose “adhurues idhujsh” – nuk është gjithashtu e re, por sulmuesit nuk janë ndjerë kurrë më të guximshëm sesa nën qeverinë e re. Pas një incidenti të kohëve të fundit me pështymë, pasoi një debat dhe koloni hapi zjarr me armën e tij drejt të krishterëve. Siç tha një mik i tyre, mesazhi ishte i qartë: "Unë mund të bëj gjithçka që dua dhe të pretendoj vetëmbrojtje".
“Ministri i sigurisë kombëtare është një avokat që mbronte hebrenjtë ekstremistë që sulmonin vende të krishtera dhe vende të tjera”, tha një i ri armen, i cili thekson se ata u sulmuan në janar, duke iu referuar Itamar Ben-Gvirit. “Çfarë prisni kur zyrtari më i lartë në ekuacion është më ekstremisti?”
E gjithë kjo po ndodh “në kontrollin e krizës më serioze midis Izraelit dhe kishave që nga viti 1948”, tha Daniel Seidemann, avokat i Jerusalemit i përfshirë ngushtë në diskutimet me delegacionet shtetërore dhe institucionale. "Askush nuk po flet me kishat".
Kjo vjen pasi qeveria izraelite vazhdon të kërkojë të transformojë vendet e krishtera në Malin e Ullinjve në një park kombëtar - për të cilin zyrtarët e kishës thonë se do t'u heqë të drejtat e tyre si pronarë të këtyre vendeve dhe do t'ua dorëzojë interesave të kolonëve.
(Vazhdon)
Përktheu: Forca Jashari