Identifikimi i viktimave të luftës në Siri përmes mbetjeve mortore të gjetura në varre masive është një nga përpjekjet kryesore të dr. Anas al-Houranit dhe ekipit të tij. Ata përballen me varre masive dhe shenja torture, ndërsa familjarët e të zhdukurve kërkojnë drejtësi. Historia e Malak Aoude dhe dëshmitë e tjera tregojnë për tragjeditë që kanë prekur shumë familje siriane gjatë regjimit të Bashar al-Asadit.
“Këto mbetje”, tha dr. Anas al-Hourani, “janë nga një varr masiv i përzier”. Kreu i Qendrës siriane të identifikimit, e sapohapur, qëndron pranë dy tavolinave, të mbuluara me femur. Në secilën mbulesë tavoline të bardhë ka 32 kocka kofshe njerëzore. Ato janë rreshtuar dhe numëruar me kujdes.
Ndarja është detyra e parë për këtë lidhje të re në zinxhirin e gjatë nga krimi te drejtësia në Siri. Një “varr masiv i përzier” do të thotë që kufomat janë hedhur njëra mbi tjetrën.
Ka shumë mundësi që këto kocka t’u përkasin disa prej qindra mijërash persona që besohet se janë vrarë nga regjimet e presidentit të rrëzuar Bashar al-Assad dhe babait të tij, Hafez, të cilët së bashku sunduan Sirinë për më shumë se pesë dekada.
Nëse është kështu, thotë dr. al-Hourani, ata ishin ndër viktimat më të fundit: ata vdiqën jo më shumë se një vit më parë.
Dr. al-Hourani është një dentist mjeko-ligjor: dhëmbët mund t’ju tregojnë shumë më tepër për një trup, thotë ai, të paktën kur bëhet fjalë për identifikimin e personit.
Por me një femur, punëtorët e laboratorit në bodrumin e ndërtesës gri në Damask mund të fillojnë detyrën: ata mund të mësojnë gjatësinë, gjininë, moshën, çfarë lloj pune bënin; ata. Gjithashtu mund të jenë në gjendje të shohin nëse viktima është torturuar.
Standardi i artë në identifikim është sigurisht analiza e ADN-së. Por, sipas doktorit, ekziston vetëm një qendër testimi e ADN-së në Siri. Shumë u shkatërruan gjatë luftës civile të vendit. Dhe “për shkak të sanksioneve, shumë nga kimikatet pararendëse që na nevojiten për testet aktualisht nuk janë të disponueshme”.
Ata janë informuar gjithashtu se importi i pjesëve të instrumenteve është ndaluar, pasi është konsideruar se “mund të përdoren për aviacion dhe për qëllime ushtarake”. Me fjalë të tjera, ato konsiderohen si mallra me “përdorim i dyfishtë” dhe për këtë arsye eksporti i tyre në Siri nga shumë vende perëndimore është ndaluar.
Një test i vetëm për analiza kushton 250 dollarë. Dr. Al- Hourani ka treguar se për një varr masiv të përzier duhet të bëhen rreth 20 teste për të mbledhur të gjitha pjesët e një trupi.
Laboratori mbështetet tërësisht në financimin nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. Qeveria e re e rebelëve islamikë të kthyer në sundimtarë thotë se ajo që ata e quajnë “drejtësi tranzicionale” është një nga prioritetet e tyre.
Shumë sirianë që kanë humbur të afërmit dhe kanë humbur çdo gjurmë të tyre, i kanë thënë BBC-së se mbeten të pakënaqur dhe të frustruar: ata duan të shohin më shumë përpjekje nga njerëzit që më në fund e nxorën Bashar al-Asadin nga pushteti dhjetorin e kaluar pas 13 vjetësh lufte.
Gjatë atyre viteve të gjata konflikti, qindra mijëra u vranë dhe miliona u zhvendosën. Dhe, sipas një vlerësimi, më shumë se 130.000 njerëz u zhdukën me forcë.
Me ritmin aktual, mund të duhen muaj për të identifikuar vetëm një viktimë nga një varr masiv i përzier. “Kjo, do të jetë punë e shumë, shumë vjetëve”, thotë dr. al-Hourani.
Trupa me shenja torture
Njëmbëdhjetë nga ato varre masive të përziera janë rreth një kodre të bukur dhe të shkretë jashtë Damaskut. BBC-ja është media e parë ndërkombëtare që e ka vizituar këtë vend. Varret janë mjaft të dukshme tani.
Ekipin e BBC-së e shoqëroi Hussein Alawi al-Manfi, ose Abu Ali, siç e quan edhe ai veten. Ai ishte shofer në ushtrinë siriane. Puna ime, thotë Abu Ali, ishin këta trupa njerëzish.
Ky burrë u gjurmua falë punës së palodhur hetimore të Mouaz Mustafas, drejtorit ekzekutiv siriano-amerikan të Task Forcës Siriane të Emergjencave, një grup avokatie me bazë në SHBA. Ai e kishte bindur Abu Aliun të bashkohej me grupin e BBC-së, për t’i dëshmuar ato që Mustafa i quan “krimet më të këqija të shekullit të 21-të”.
Abu Ali transportoi kamionë me kufoma në vende të shumta për më shumë se 10 vjet. Në këtë vend, ai vinte, mesatarisht, dy herë në javë për afërsisht dy vjet në fillim të demonstratave dhe më pas luftës, midis viteve 2011 dhe 2013.
Rutina ishte gjithmonë e njëjtë. Ai shkonte në një bazë ushtarake ose sigurie. “Kisha një rimorkio 16 metra. Nuk ishte gjithmonë e mbushur deri në grykë. Por mendoj se kisha mesatarisht 150 deri në 200 trupa në secilën ngarkesë”.
Nga ngarkesa e tij, ai thotë se është i bindur se ishin civilë. Trupat e tyre ishin “të shëmtuar dhe të torturuar”. I vetmi identifikim që ai mund të shihte ishin numrat e shkruar në kufomë ose të ngjitur në gjoks ose ballë. Numrat identifikonin vendin ku kishin vdekur.
Kishte shumë, tha ai, nga “215” - qendër famëkeqe paraburgimi e inteligjencës ushtarake në Damask e njohur si “Dega 215”.
Rimorkioja e Abu Aliut nuk kishte një ashensor hidraulik për të shkarkuar ngarkesën e tij. Kur ai kthehej prapa në një llogore, ushtarët i tërhiqnin trupat në gropë njëri pas tjetrit. Pastaj një traktor do t’i “rrafshonte e do ta ngjishte varrin”.
Tre burra me fytyra të vrazhda nga një fshat fqinj janë dëshmitarë të vizitave të rregullta të kamionëve ushtarakë në këtë vend të largët.
Dhe sa i përket burrit pas timonit: si mund ta bënte këtë javë pas jave, vit pas viti? Çfarë i thoshte vetes sa herë që hipte në kabinën e tij?
Abu Ali thotë se mësoi të ishte një shërbëtor i heshtur i shtetit. “Nuk mund të thuash asgjë të mirë ose të keqe”.
“Ndërsa ushtarët i hidhnin kufomat në gropat e sapohapura, unë thjesht largohesha dhe shikoja yjet. Ose shikoja poshtë drejt Damaskut”.
“Ia thyen krahët dhe e rrahën në shpinë”
Damasku është vendi ku Malak Aoude është kthyer së fundmi, pas viteve si refugjate në Turqi. Siria mund të jetë çliruar nga kontrolli i diktaturës dinastike të Asadit, por Malak ende po vuan një dënim me burgim të përjetshëm.
Gjatë 13 vjetëve të fundit, ajo ka qenë e bllokuar në një rutinë të përditshme dhimbjeje dhe malli. Ishte viti 2012, një vit pasi disa nga qytetarët e Sirisë kishin guxuar të dilnin në një protestë kundër presidentit të tyre, kur dy djemtë e saj u zhdukën.
Mohammed ishte ende adoleshent kur u rekrutua në ushtrinë e Asadit, ndërsa demonstratat u përhapën dhe shtypja vdekjeprurëse e regjimit shkaktoi një luftë të plotë.
Ai e urrente atë që po shihte, thotë nëna e tij. Mohammed filloi të arratisej dhe madje mori pjesë vetë në demonstrata. Por ai u gjurmua.
“Ia thyen krahët dhe e rrahën në shpinë”, thotë nëna e tij. “Ai kaloi tri ditë pa ndjenja në spital”.
“E raportova të zhdukur pastaj”, thotë Malak. “Por unë po e fshihja”.
Në maj të vitit 2012, fati i 19-vjeçarit Mohammed mbaroi. Ai u kap së bashku me një grup shokësh. Ata u qëlluan. Malak thotë se nuk kishte njoftim zyrtar. Por ajo gjithmonë ka supozuar se ai ishte vrarë.
Gjashtë muaj më vonë, vëllai i vogël i Mohammedit, Maher, u nxor zvarrë nga shkolla nga oficerët. Ishte arrestimi i dytë i Maherit. Ai kishte shkuar në protesta në vitin 2011, në moshën 14 vjeç. Kjo kishte çuar në arrestimin e tij të parë. Kur u lirua nga paraburgimi, një muaj më vonë, ai ishte me të brendshme, i mbuluar, thotë nëna e tij, me djegie cigaresh, plagë dhe morra. “Ai ishte i tmerruar”.
Malak mendon se Maher u zhduk nga shkolla në vitin 2012, sepse autoritetet kishin zbuluar se ajo e kishte fshehur vëllain e tij të madh. Tani, për herë të parë në 13 vjet, Malak kthehet në atë shkollë, e dëshpëruar për të marrë ndonjë të dhënë se çfarë i ndodhi Maherit.
Drejtori i ri i shkollës nxjerr disa libra të kuq të dëmtuar. Malak gjurmon rreshtat e emrave me gisht dhe pastaj gjen emrin e djalit të saj. Dhjetor 2012, në dosje thuhet qartë: Maher është përjashtuar nga shkolla, sepse nuk është paraqitur në mësime për dy javë.
Nuk ka asnjë shpjegim se është shteti ai që e ka zhdukur atë. Megjithatë, ka diçka tjetër: është gjetur një dosje me të dhënat shkollore të Maherit. Kopertina e saj është e zbukuruar me një fotografi të Bashar al-Asadit, duke vështruar diku larg. Malak merr një stilolaps nga tavolina e drejtorit të shkollës dhe shkruan mbi foto. Gjashtë muaj më parë, ky gjest mund të kishte qenë vdekjeprurës.
Për vite me radhë, të vetmet copëza që Malak i dinte për të birin ishin deklaratat e dy burrave që thanë se e panë Maherin në “Degën 215” - të njëjtën qendër paraburgimi ushtarake që prodhoi kaq shumë kufoma për Abu Alin për t’i transportuar.
Një nga dëshmitarët i tha Malakut se djali i saj i kishte thënë diçka për prindërit e tij që, thotë nëna e tij, vetëm ai mund ta dinte. Ishte pa dyshim ai. “Ai i kërkoi këtij burri të më thoshte se ishte mirë”. Pastaj, Malakut i rrjedhin lotët.
Për të, si shumë sirianë të tjerë, rënia e Asadit nuk ishte vetëm një ditë gëzimi, por edhe shprese. “Mendova se kishte 90% shanse që Maher të dilte nga burgu. Po e prisja”.
Por ajo nuk ka mundur as ta gjejë emrin e djalit të saj në listat e të burgosurve. Dhe kështu dhimbja vazhdon ta përshkojë. “Ndihem e humbur dhe e hutuar”, thotë ajo.
Vëllai i saj më i vogël, Mahmoud, ishte vrarë nga një tank që qëllonte mbi civilët në vitin 2013.
“Të paktën ai pati një funeral”, thotë ai.