Twitter ka vazhduar të krijojë rregulla dhe ka investuar në staf dhe teknologji që zbulon kërcënime të dhunshme, ngacmime dhe dezinformata që shkelin politikat e tij. Pasi dolën prova se Rusia përdori platformat e saj për t'u përpjekur të ndërhynte në zgjedhjet presidenciale të 2016-s në SHBA, kompanitë e mediave sociale gjithashtu shtuan përpjekjet e tyre kundër dezinformatave politike
Elon Musk, njeriu më i pasur në botë, po shpenzon 44 miliardë dollarë për të blerë rrjetin social Twitter me qëllim për ta kthyer atë në një vend të sigurt të “fjalës së lirë”. Por problemi është se platforma sociale ka provuar këtë gjë më herët dhe nuk ka pasur sukses.
“Parti e fjalës së lirë”
Para një dekade, ekzekutivi i Twitterit e quajti kompaninë “krah i fjalës së lirë të partisë së fjalës së lirë” për të nënvizuar përkushtimin e saj ndaj lirisë së pacenuar të shprehjes. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një artikull i publikuar nga gazetarja Amanda Hess ekspozoi ngacmimet e pandërprera dhe të ulëta me të cilat u përballen shumë gra vetëm pse ato kishin postuar në Twitter apo në forume të tjera online.
Gjatë viteve pasuese, Twitteri kishte mësuar pasojat e udhëheqjes se një platforme të madhe sociale të pamonitoruar. “Qëndrimi i Musk rreth fjalës së lirë, për t’i lënë njerëzit të shprehin çfarë të dëshirojnë në Twitter – do të ishte diçka e keqe”, tha Paul Barrett, zëvendësdrejtor i Qendrës për Biznes dhe të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Nju-Jorkut. “Nëse një faqe si Twitteri nuk moderohet, atëherë për një periudhe të shkurtër kohore ajo do të shndërrohej në një vend plehrash”.
Barret vuri në dukje se Google mori këtë mësim përmes eksperiencës së hidhur, kur në vitin 2015 kompanitë e mëdha si “Toyota” dhe “Anheuser-Busch” tërhoqën reklamat e tyre pasi që ato shfaqeshin para videove të krijuara nga terroristët të postuara në YouTube.
Pasi u bë e qartë se sa e pashëndetshme ishte bërë gjuha e përdorur në Twitter, bashkëthemeluesi dhe ish-CEO i Twitter, Jack Dorsey, kaloi vite duke u përpjekur të përmirësonte atë që ai e quajti "shëndetin" e gjuhës në këtë platformë.
Kompania Twitter kishte përdorur që herët butonin “raporto abuzimin” pasi që pjesëtarja e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Stella Creasy, kishte marrë një numër të kërcënimeve për vdekje dhe përdhunim në këtë platformë. Abuzimi online erdhi si pasojë e një postimi pozitiv në përkrahje të aktivistes feministe, Caroline Criado-Perez, e cila kishte avokuar për novelisten Jane Austen që ajo të paraqitet në një bankënotë. Personi që kishte ngacmuar Creasyin online u dërgua në burg për 18 javë.
Zotimi i madh

Twitter ka vazhduar të krijojë rregulla dhe ka investuar në staf dhe teknologji që zbulon kërcënime të dhunshme, ngacmime dhe dezinformata që shkelin politikat e tij. Pasi dolën prova se Rusia përdori platformat e saj për t'u përpjekur të ndërhynte në zgjedhjet presidenciale të 2016-s në SHBA, kompanitë e mediave sociale gjithashtu shtuan përpjekjet e tyre kundër dezinformatave politike.
Pyetja kryesore tani është se deri në çfarë pike Musk, i cili e përshkruan veten si një "absolutist i fjalës së lirë", dëshiron t'i rikthejë këto sisteme, dhe nëse përdoruesit dhe reklamuesit do të vazhdojnë ta përdorin platformën nëse ai e bën këtë.
Madje edhe tani, amerikanët thonë se ka më shumë gjasa të ngacmohen në media sociale sesa në çdo forum tjetër online, ku gratë, njerëzit me ngjyrë dhe komuniteti LGBT po raportojnë një numër të madh të abuzimeve të tilla. Afërsisht 80% të përdoruesve besojnë se kompanitë ende nuk po bëjnë punë të mirë për trajtimin e këtyre ngacmimeve, sipas një sondazhi të Qendrës Kërkimore Pew të kryer në SHBA vitin e kaluar.
Musk ka kritikuar përjashtimin e përhershëm të presidentit Donald Trump nga Twitteri vitin e kaluar, për mesazhe të cilat sipas kompanisë kishin ndihmuar në nxitjen e kryengritjes së 6 janarit në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara, vitin e kaluar. “Shumë njerëz do të jenë super të pakënaqur me teknologjinë e lartë të Bregut Perëndimor”, shkroi Musk në Twitter disa ditë pasi Trump u përjashtua nga Facebooku dhe Twitteri.
Aleatët e Trumpit
Aleatët e Trumpit, përfshirë djalin e tij, Donald Trump Jr., i kanë kërkuar Muskut që ta blejë kompaninë. “Nëse Elon Musk mund të dërgojë privatisht njerëz në hapësirë, jam i sigurt se ai mund të krijojë një rrjet social që nuk është i njëanshëm”, tha Trump Jr. në mbishkrimin e një videoje të postuar në Instagram prillin e kaluar.
Kirsten Martin, profesoreshë e etikës teknologjike në Universitetin e Notre Dames, tha se Twitteri ka punuar vazhdimisht për të qenë një kompani "përgjegjëse" e mediave sociale përmes sistemit të saj të moderimit. Fakti që Musk dëshiron ta ndryshojë këtë, sugjeron se ai është fokusuar në “mediat sociale të papërgjegjshme”.
Twitteri nuk pranoi të komentonte për këtë histori dhe përfaqësuesi i Elon Muskut nuk iu përgjigj asnjë mesazhi për koment.
Aplikacionet e reja të mediave sociale, duke përfshirë aplikacionin “Truth Social” të Trumpit, nuk kanë arritur as t’i afrohen suksesit të Facebookut apo Twitterit. Kjo ndodh pjesërisht, sepse politikanët republikanë tërheqin tashmë audiencë të madhe në platformat ekzistuese. Është gjithashtu pjesërisht për shkak të vërshimeve të postimeve të rreme ose të dhunshme.
Për shembull, vitin e kaluar faqja e rrjetit social të krahut të djathtë, “Parler”, pothuajse u fshi nga interneti kur u bë e qartë se protestuesit e kishin përdorur aplikacionin për të promovuar mesazhe të dhunshme dhe për të organizuar rrethimin e Kapitolit të SHBA-së me 6 janar. Apple dhe Google e hoqën aplikacionin nga dyqanet e tyre online, ndërsa Amazon ndaloi ofrimin e shërbimeve “web-hosting” për këtë faqe.
Censura e Muskut
Vetë Musk bllokon rregullisht përdoruesit e mediave sociale të cilët e kanë kritikuar atë dhe ndonjëherë ngacmon gazetarët që kanë shkruar artikuj kritikë për të ose kompaninë e tij “Tesla”. Ai rregullisht u përgjigjet në Twitter gazetarëve që shkruajnë për kompaninë, ndonjëherë duke e quajtur punën e tyre "të rreme" ose "mashtruese".
Për shkak të replikave të famshme të Muskut ndaj gazetarëve, një numër i madh i fansave të tij mësojnë llogaritë e gazetarëve në Twitter dhe i ngacmojnë ata për orë apo ditë të tëra.
“Unë ua bëj bllok njerëzve vetëm kur dua t’i fyej drejtpërsëdrejti”, shkroi Musk në Twitter në vitin 2020, duke iu përgjigjur një postimi të një gazetari.
Evan Greer, një aktivist politik i “Fight for the Future”, ka thënë se mungesa e përvojës së Muskut për të moderuar një platformë të mediave sociale do të jetë problem nëse ai merr me sukses kompaninë.
“Nëse duam ta mbrojmë fjalën e lirë në internet, nuk mund të jetojmë në një vend ku njeriu më i pasur në botë mundet thjesht ta blejë platformën prej së cilës varen miliona njerëz dhe pastaj t’i ndryshojë rregullat e platformës sipas dëshirës së tij”, ka shtuar Greer.
Përktheu: Marigona Avdimetaj