Botë

Palestinezët preferojnë vdekjen para urisë

Hanadi Gamal Saed El Jamara, 38-vjeçare, ka thënë se gjumi është e vetmja gjë që i shpërqendron fëmijët e saj nga uria. Këto ditë nëna e shtatë fëmijëve e ka gjetur veten duke kërkuar ushqim në rrugët e Rafah, në Gazën Jugore. Ajo përpiqet që t’i ushqejë fëmijët të paktën një herë në ditë, ndërsa kujdeset për burrin e saj, të diagnostikuar me kancer dhe diabet.

“Fëmijët janë të dobët, kanë gjithmonë diarre, fytyrat e tyre janë zverdhur”, ka thënë për CNN-in më 9 janar, El Jamara, familja e së cilës u zhvendos nga Gaza veriore. “Vajza ime 17-vjeçare më thotë se ndjen marramendje, burri im nuk po ha”.

Ndërsa Gaza po shkon drejt urisë në shkallë të plotë, civilët e zhvendosur dhe punonjësit e shëndetësisë kanë thënë se rrinë të uritur në mënyrë që fëmijët e tyre të hanë atë pak ushqim që është në dispozicion. Nëse palestinezët gjejnë ujë, me gjasë uji është i papijshëm. Kur mbërrijnë kamionët me ndihma, njerëzit ngjiten mbi njëri-tjetrin për të marrë ndihma. Fëmijët që jetojnë në rrugë, qajnë dhe luftojnë për bukë bajate. Të tjerët thuhet se ecin për orë të tëra në të ftohtë duke kërkuar ushqim, në mes të rrezikut nga sulmet izraelite.

Edhe para luftës, dy në tre njerëz në Gazë janë mbështetur në ndihma për ushqim, ka thënë Arif Husain, kryeekonomist në Programin Botëror të Ushqimit (WFP). Palestinezët kanë përjetuar 17 vjet bllokadë të pjesshme nga Izraeli dhe Egjipti.

Bombardimet dhe rrethimi nga Izraeli që nga 7 tetori, kanë zvogëluar në mënyrë drastike furnizimet e Gazës, duke lënë popullsinë prej gati 2.2 milionëve të ekspozuar ndaj niveleve të larta të pasigurisë ushqimore, sipas Klasifikimit të Fazës së Sigurisë Ushqimore dhe të Ushqyerjes së Integruar (IPC), i cili vlerëson pasigurinë globale ushqimore dhe kequshqyerjen. Martin Griffithsi, shefi i ndihmës emergjente të OKB-së, ka thënë se “shumica e madhe” e palestinezëve është karakterizuar si e rrezikuar nga uria, nga agjencitë e OKB-së.

“Izraeli po shkatërron sistemin ushqimor të Gazës dhe po përdor mungesën e ushqimit si armë kundër popullit palestinez”, kanë paralajmëruar ekspertët e OKB-së për të drejtat e njeriut.

Për më shumë se 100 ditë, palestinezët në Gazë kanë përjetuar shpërngulje masive dhe janë përballë me lagje të kthyera në hi dhe rrënoja, familje të tëra të zhdukura nga lufta, rritje të sëmundjeve vdekjeprurëse dhe sistem shëndetësor të shkatërruar nga bombardimet. Tani, uria dhe etja janë kërcënimet kryesore.

“Ne jemi duke vdekur ngadalë”, ka thënë El Jamara. “Mendoj se është më mirë të vdesim nga bombat, të paktën do të jemi martirë. Por tani po vdesim nga uria dhe etja”.

Image

Njerëzit në veri të Gazës “hanë bar” për të mbijetuar

Mohammed Hamouda, fiziterapeut i zhvendosur në Rafah dhe baba i tre fëmijëve, kujton ditën kur kolegu i tij Odeh Al-Hawi, u vra duke u përpjekur të merrte ujë për familjen e tij.

“Al-Hawi ishte duke pritur në radhë në një stacion uji në kampin e refugjatëve në Jabalya, në Gazën veriore, kur ai dhe dhjetëra të tjerë u goditën nga bombardimet izraelite”, ka thënë Hamouda. “Fatkeqësisht, shumë të afërm dhe miq të mi janë në Rripin verior të Gazës, duke vuajtur shumë. Ata hanë bar dhe po pinë ujë të ndotur”.

Bllokada e Izraelit dhe kufizimet e dërgesave të ndihmave nënkuptojnë se rezervat janë jashtëzakonisht të ulëta, duke rritur çmimet dhe duke e bërë ushqimin të paarritshëm për të gjithë njerëzit e Gazës. Mungesat janë më të mëdha në pjesën e rripit verior, sipas OKB-së, ku Izraeli e përqendroi ofensivën e tij ushtarake në ditët e para të luftës. Ndërprerjet e komunikimit shtypin përpjekjet për të raportuar urinë dhe etjen në rajon.

“Njerëzit therën një gomar për t’ia ngrënë mishin”, ka thënë Hamouda, bazuar në fjalët që ia thanë miqtë e tij në Jabalya në fillim të këtij muaji.

Disa vende perëndimore kanë pezulluar fondet për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt (UNRWA) gjatë ditët e fundit për shkak të akuzave nga Izraeli, se disa nga punonjësit e agjencisë morën pjesë në sulmet e 7 tetorit. OKB-ja pushoi disa punonjës pas akuzave. Ministri i Jashtëm i Jordanisë u kërkoi atyre vendeve që pezulluan fondet të rishqyrtojnë vendimin, duke thënë se UNRWA ishte “linjë shpëtimi” për më shumë se 2 milionë palestinezë në Gaza dhe se agjencia nuk duhet “të dënohet kolektivisht” mbi akuzat kundër një numri të vogël nga 13 mijë anëtarët e saj.

Mungesa e ujit të pijshëm

Gihan El Baz, përkund një vogëlushe në prehër, duke u përpjekur t’i ngushëllojë fëmijët dhe nipërit e saj, të cilët ka thënë se zgjohen çdo ditë “duke ulëritur” për ushqim.

“Në strehimore nuk ka ushqim të mjaftueshëm, dielli perëndon dhe ne nuk kemi ngrënë as drekë”, ka thënë El Bazi, e cili jeton me 10 të afërm brenda një tende të konsumuar nga moti në Rafah. Ajo kujdeset për bashkëshortin e saj, për të cilin thotë se ka rënë dhe ka thyer krahun teksa iu morën mendtë nga lodhja. “Nuk ka pije, ujë të pastër, banjë të pastër, fëmija qan për një biskotë dhe ne nuk mund të gjejmë asgjë për t'i dhënë asaj”.

Prindërit e zhvendosur në Rafah thonë se stresi nga paaftësia për të mbrojtur fëmijët e tyre nga bombardimet komplikohet nga paaftësia për të siguruar ushqim të mjaftueshëm. Qasja e kufizuar në energji elektrike e bën të pamundur ruajtjen e mallrave në frigorifer. Kushtet e jetesës janë të parehatshme dhe josanitare.

“Njerëzit janë të detyruar të presin pemë për dru zjarri për ngrohje dhe përgatitjen e ushqimit. Tymi është kudo dhe mizat po përhapen dhe po transmetojnë sëmundje”, ka thënë Hazem Saeed Al-Naizi, drejtor i një jetimoreje në qytetin e Gazës, i cili u largua nga jugu me 40 persona nën kujdesin e tij – shumica e të cilëve janë fëmijë dhe foshnja me aftësi të kufizuara.

Hamouda, punonjësi shëndetësor i zhvendosur, i ushqente fëmijët e tij – gjashtë, katër dhe dy vjeç – me përzierje frutash dhe perimesh, biskota, lëngje të freskëta, mish dhe ushqim deti. Këtë vit, familja e tij mezi ka ngrënë një vakt në ditë, duke jetuar me bukë të thatë dhe mish të konservuar ose fasule.

“Fëmijët janë duke u bërë të dhunshëm ndaj njëri-tjetrit për të marrë ushqim dhe ujë”, ka thënë Hamouda, i cili punon në Spitalin Abu Youssef Al-Najjar dhe është vullnetar në një strehë aty pranë. “Nuk mund t'i ndal lotët kur flas për këto gjëra, sepse është shumë e dhimbshme të shohësh fëmijët e tu dhe fëmijët e tjerë të uritur”.

Të gjithë 350,000 fëmijët nën moshën pesë vjeç në Gaza janë të cenueshëm ndaj kequshqyerjes, ka raportuar UNICEF-i muajin e kaluar.

Image

Rritja e rrezikut për vdekje

“Shkalla dhe shpejtësia” e urisë në Gazë, fëmijët e mbijetuar do t’i çojë në rreziqe shëndetësore për tërë jetën”, ka thënë Rebecca Inglis, mjeke e kujdesit intensiv në Britani që viziton rregullisht Gazën për të ligjëruar për studentët e mjekësisë.

“1000 ditët e para të jetës së një fëmije janë ‘absolutisht kritike’ për rritjen fizike dhe zhvillimin njohës”, ka thënë Inglisi. “Fëmijët e kequshqyer kanë rrezik 11-fish më të lartë të vdekjes në krahasim me fëmijët e ushqyer mirë. Mungesat e vitaminave dhe mineraleve e çojnë trupin në ‘gjendje emergjente’ ku humb aftësinë për të prodhuar energji, për të shtuar peshë ose për të ruajtur funksionet e veshkave dhe të mëlçisë”, ka shtuar Inglisi.

Fëmijët e kequshqyer janë në rrezik më të madh për të vdekur nga sëmundje si diarreja dhe pneumonia, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Rastet e diarresë tek fëmijët nën moshën pesëvjeçare janë rritur me rreth 2000% që nga 7 tetori, sipas UNICEF-it.

“Trupi i fëmijëve është i dehidratuar... lëkura e tyre është e dehidratuar”, ka thënë Hamouda, duke shtuar se fëmijët e tij kanë simptoma të diarresë, të ftohtit dhe gripit.

“Nën stres të rëndë, gratë shtatzëna kanë më shumë gjasa të abortojnë ose të lindin para kohe”, kanë thënë punonjësit e shëndetësisë. Gaza është shtëpia e 50,000 shtatzënave, sipas Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA).

“Foshnjat që mbijetojnë në mitër kanë më shumë gjasa të lindin nën peshë dhe për këtë arsye janë në rrezik më të lartë të vdekjes”, ka thënë Inglis. Nënat e uritura dhe të dehidratuara nuk mund të sigurojnë mjaftueshëm qumësht gjiri për foshnjat e tyre.

Sfidat për shpërndarjen e ushqimit, ndihmat të bllokuara

Shadi Bleha, 20 vjeç, po përpiqet të ushqejë familjen gjashtëanëtarëshe. Dy herë në javë, ata marrin dy shishe me ujë, tre biskota dhe “ndonjëherë” dy kanaçe me ushqim nga UNRWA. “Nuk mjafton të plotësoj nevojat e familjes sime”, ka thënë Bleha, i strehuar në një tendë në Rafah.

Palestinezët në Gazën jugore kanë thënë gjithashtu se shpërndarja humanitare e rregulluar dobët do të thotë se disa civilë nuk marrin fare ndihmë, ndërsa ata që marrin mund ta shesin për përfitime.

Në raste të tjera, shitësit marrin ndihma nga tregtarët dhe i shesin në tregje me çmime të larta. Disa njerëz me makina udhëtojnë më larg për të marrë ujë, duke u kthyer në kampet e zhvendosjes për të rishitur ujin me çmim të lartë. Goditjet e intensifikuara nga forcat izraelite gjithashtu rrisin çmimet. Tre javë më parë, një qese 25-kilogramëshe me miell kushtonte rreth 19 euro në Khan Younis, sipas Al-Naizit, por pasi Forcat Mbrojtëse të Izraelit intensifikuan sulmet në qytetin jugor, thesi u bë rreth 32 euro.

Të tjerë thonë se marrin pako humanitare që janë të hapura, me sende që mungojnë. Hurmat, vaji i ullirit dhe vaji i gatimit që gjenden në pakot e ndihmave thuhet se shiten në tregun e zi për më shumë se dyfishin e vlerës së tyre.

Më 21 janar, Koordinatori i Aktiviteteve Qeveritare të Izraelit në Territore (COGAT), ka thënë se 260 kamionë humanitarë u “inspektuan dhe u transferuan në Gaza”, duke shënuar numrin më të lartë që nga fillimi i luftës. Por agjencitë e ndihmës thonë se kjo nuk mjafton. Ushtria izraelite në janar u dha qasje vetëm një të katërtave të misioneve humanitare të planifikuara nga agjencitë humanitare në Gaza, sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) më 21 janar.

WFP-ja ka bërë thirrje për rrugë të reja të hyrjes së ndihmave, më shumë kamionë për të kaluar nëpër kontrollet e përditshme kufitare, më pak pengesa për lëvizjen e punëtorëve humanitarë dhe garanci për sigurinë e tyre. Më 5 janar, agjencia raportoi se gjashtë furra buke në Deir al-Balah dhe Rafah kishin rifilluar punën, por tri mbetën jashtë përdorimit. “Buka është ushqimi më i kërkuar, veçanërisht pasi shumë familjeve u mungojnë mjetet bazë për gatim”, ka thënë agjencia.

Ndërkohë, ofensiva ushtarake e Izraelit ka rrafshuar të paktën 22% të tokës bujqësore të Gazës, sipas OCHA-së. Blegtoria është e uritur dhe prodhimet e freskëta janë të vështira për t'u gjetur.

Juliette Touma, drejtoreshë e komunikimit për UNRWA-në, ka thënë se nevojat e civilëve të zhvendosur në Gaza tejkalojnë sasinë e ndihmës së lejuar nga autoritetet. “Ne thjesht nuk kemi mjaftueshëm dhe nuk mund të vazhdojmë të plotësojmë nevojat dërrmuese të njerëzve në terren”, ka thënë Touma. “Kjo e bën dhënien e ndihmës humanitare jashtëzakonisht sfiduese”.

Si UNRWA ashtu edhe WFP kanë thënë se ndërsa nuk mund të verifikonin raportet e individëve që rishitnin ndihmat për çmime më të larta, kjo është plotësisht e mundur duke pasur parasysh shkallën e nevojës dhe urisë në Gazë.

“Është kaos absolut dhe njerëzit janë absolutisht të dëshpëruar dhe të uritur”, shtoi Touma. “Ora po troket me të vërtetë sa i përket urisë”.

WFP-ja ka thënë se shpërndarjet e ndihmave bazohen në listat e verifikuara të përfituesve dhe vëzhgohen nga monitoruesit e ushqimit, të cilët “ në vazhdimësi raportojnë se ushqimi u dërgohet listave të synuara”.

“Ndonjëherë familjet marrin vendim personal për të shitur ushqimin e WFP-së në këmbim të sendeve të tjera shtëpiake për të cilat mund të kenë nevojë. Për të qenë të qartë, çdo ushqim i shpërndarë nga WFP-ja nuk është për shitje”, ka thënë agjencia në një deklaratë.

Lufta ka shkaktuar gjithashtu humbje në shkallë të gjerë të punësimit në Gaza, duke e zbrazur më tej fuqinë blerëse të banorëve ndërsa çmimet rriten.

Hamouda tani shpenzon rreth 232 euro në javë për të blerë ushqime dhe furnizime për familjen e tij – krahasuar me rreth 47 deri në 65 euro para luftës. Në një faturë shihet se furnizimet mujore për jetimët nën kujdesin e Al-Naizit u blenë nga një kompani për 6307 euro - duke përfshirë 2000 euro për ushqimet për foshnjat. Para luftës, e njëjta sasi kushtonte 1555 euro.

“Ne jetojmë në një vend të ngjashëm me xhunglën ku lufta, vrasja, lakmia e tregtarëve, padrejtësia e institucioneve në shpërndarjen e ndihmave dhe mungesa e qeverisë çojnë në këtë kaos vdekjeprurës”, ka thënë Al-Naizi.

Përktheu Latra Gashi