Botë

Netanyahu përplaset me aleatin Biden, zotohet për furi sulmesh në Gaza

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka kërkuar Izraelit – për të parën herë që nga fillimi i luftimeve dhjetë ditë më parë – që “qysh sot ta qetësojë theksueshëm situatën drejt shtegut të një armëpushimi”. Por, vetëm pak minuta më vonë, kryeministri izrealit ka theksuar se do ta vazhdojë operacionin deri në rikthimin “e qetësisë dhe sigurisë” për qytetarët e Izraelit, megjithëse theksoi se “e çmon lart Bidenin”

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar të mërkurën për ta vazhduar furishëm ofensivën e vet ushtarake në Rripin e Gazës, duke iu kundërvënë thirrjeve nga presidenti amerikan, Joe Biden, për ndaljen e dhunës që ka lënë me qindra të vdekur.

Komentet e ashpra të Netanyahut shënojnë përplasjen e parë publike midis dy aleatëve të afërt që nga fillimi i luftimeve javën e shkuar dhe mund t’i ndërlikojnë përpjekjet ndërkombëtare për arritjen e një armëpushimi për krizën më të rëndë ndër vite.

Gjatë së mërkurës, Izraeli ka vërshuar caqet në Gaza me sulmet ajrore, përderisa militantët palestinezë kanë bombarduar Izraelin me raketa tërë ditës. Në një shenjë tjetër të përshkallëzimit të mëtutjeshëm të situatës, militantët në Liban kanë nisur një breshëri raketash drejt Izraelit Verior.

Pas vizitës në selinë e përgjithshme ushtarake, Netanyahu ka thënë se “e vlerëson lart presidentin amerikan”, porse Izraeli do ta vazhdojë operacionin deri në rikthimin “e qetësisë dhe sigurisë” për qytetarët e Izraelit. Ai është shprehur i vendosur “që ta vazhdojë operacionin derisa synimi të përmbushet”.

Një deklaratë të tillë ai e ka bërë pak kohë pasi Bideni i ka thënë Netanyahut se pret “qysh sot qetësim domethënës të situatës drejt shtegut të një armëpushimi”.

Duke iu përgjigjur thirrjes së Bidenit, zëdhënësi i “Hamasit”, Hazem Qassam, ka thënë se ata që duan ta rikthejnë paqen duhet “ta bindin Izraelin t’i japë fund agresionit në Jerusalem dhe po ashtu bombardimeve në Gaza”. “Vetëm atëherë kur kjo gjë të ndodhë mund të ketë hapësirë për marrëveshje të rikthimit të paqes”, ka shtuar ai.

Më herët gjatë krizës së fundit, Bideni i është shmangur ushtrimit të presionit të drejtpërdrejtë dhe publik ndaj Izraelit për arritjen e armëpushimit me “Hamasin”. Por, është përballur me presion të shtuar për të intervenuar me ashpër, derisa përpjekjet e tjera diplomatike veçse janë intensifikuar.

Negociatorët egjiptianë janë angazhuar gjithashtu në ndaljen e luftimeve, ndërsa një diplomat egjiptian ka thënë se zyrtarët më të lartë janë në pritje të përgjigjes së Izraelit për ofertën e armëpushimit. Diplomati ka folur nën kushtin e anonimitetit, bazuar në rregullat e kërkuara. Ndërkaq, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, ka thënë se do të udhëtojë drejt rajonit të enjten, me qëllim të bisedimeve me palët izraelite dhe palestineze.

Nga ana tjetër, Franca ka bërë thirrje për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së rreth dhunës. Deri më tani, SHBA-ja ka bllokuar disa herë përpjekjet në KS të OKB-së për hartimin e deklaratave të përbashkëta në thirrje të përfundimit të dhunës.

Me gjithë përpjekjet diplomatike, në terren nuk janë shfaqur shenja të uljes së intensitetit të luftimeve. Sulmet e ushtrisë izraelite deri më tani kanë lënë të vrarë të paktën 227 palestinezë, përfshirë dhjetëra fëmijë. Ndërsa raketat e “Hamasit” kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 12 izraelitëve. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, së paku nëntë persona janë raportuar të vrarë në Rripin e Gazës.

Vala e fundit e luftimeve midis Izraelit dhe “Hamasit” ka nisur më 10 maj, kur grupi militant ka shkrepur raketa drejt Jerusalemit pas disa ditësh përleshje midis protestuesve palestinezë dhe policisë izraelite në xhaminë “al-Aqsa”, vatër kjo e përplasjeve të shpeshta ndërmjet hebraikëve dhe myslimanëve. Që atëherë, Izraeli ka ndërmarrë me qindra sulme ajrore mbi caqet e grupit.

Luftimet e fundit, më të rëndat që nga viti 2014, kanë nxitur protesta përreth botës, ndërsa kanë frymëzuar palestinezët në Izrael dhe në territoret e okupuara për grevë të përgjithshme.

Image