Ertunc Efe, turk 48-vjeçar që jeton në lagjen “Yakacik” të Stambollit, argumenton se retorika e fundit kundër refugjatëve nuk buron thelbësisht nga ksenofobia, por përkundrazi është rezultat i problemeve të fundit ekonomike në Turqi dhe ndarjeve kulturore midis sirianëve dhe turqit. “Çështja është se Turqia nuk ka kapacitetin për të përballuar një barrë kaq të madhe dhe kjo ka qenë më e qartë me rënien e fundit ekonomike”, i tha Efe “Al Jazeeras”
Mes krizës ekonomike dhe atmosferës zgjedhore, tensionet midis turqve dhe refugjatëve rriten, ndërsa Ankaraja po ndryshon ngadalë politikat.
Me Qeverinë turke që po merret me një nga krizat më serioze ekonomike me të cilat është përballur vendi për dekada, një tjetër problem shqetësues po ngre kokën; rritja e ndjenjës kundër refugjatëve në vend.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas Qeverisë turke, rreth 3.7 milionë refugjatë sirianë nga gjithsej 5.5 milionë të huaj jetojnë në Turqi.
Një total prej 200.950 sirianë janë bërë qytetarë të Turqisë pasi kanë qenë refugjatë në vend që nga fillimi i luftës në Siri në vitin 2011.
Tensione në ngritje
Presidenca turke thotë se rreth 320.000 persona të nacionaliteteve të tjera, shumica nga Afganistani, janë gjithashtu nën mbrojtjen ndërkombëtare në Turqi, duke vendosur numrin total të refugjatëve në më shumë se katër milionë, apo popullsia më e madhe e refugjatëve në botë në një vend.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka folur me krenari për suksesin e vendit tij në mikpritjen e refugjatëve, shpesh duke sulmuar vendet e zhvilluara që nuk po bëjnë mjaftueshëm për t’i ndihmuar njerëzit në nevojë që ikin nga zonat e krizës.
“Vendet si ne, që janë fqinj me zonat e krizës, bartin barrën e vërtetë për çështjen e migrimit dhe refugjatëve, jo shoqëritë e zhvilluara që kanë zë të lartë”, tha ai në qershor, duke shtuar se Ankaraja nuk ka refuzuar askënd dhe ka një histori të gjatë të mirëseardhjes së njerëzve që kërkojnë strehim.
Sidoqoftë, raportet në rritje të dhunës, abuzimit dhe krimit në mes të komuniteteve siriane dhe turke në qytete të ndryshme në të gjithë vendin, e kanë bërë të vështirë të injorojnë tensionet e rritura.
Së fundmi, një video e një siriani 17-vjeçar që konfrontohet nga një grup i turqve është bërë viral, me një adoleshent që i thotë turmës se ai ka qenë i detyruar të lërë shkollën për shkak të abuzimit direkt drejt tij, për nacionalitetin e tij.
Një studim i bërë në korrik nga ORC, një kompani sondazhesh me bazë në Ankara, sugjeron se pothuajse 54 për qind e turqve besojnë se lagja e tyre ka një problem refugjatësh. Në rajonin e Marmarasë, ku ndodhet qyteti më i madh i vendit dhe qendra ekonomike e Stambollit, ajo shkon deri në më shumë se 60 për qind.
“Barrë e madhe”
Ertunc Efe, turk 48-vjeçar që jeton në lagjen “Yakacik” të Stambollit, argumenton se retorika e fundit kundër refugjatëve nuk buron thelbësisht nga ksenofobia, por përkundrazi është rezultat i problemeve të fundit ekonomike në Turqi dhe ndarjeve kulturore midis sirianëve dhe turqit.
“Çështja është se Turqia nuk ka kapacitetin për të përballuar një barrë kaq të madhe dhe kjo ka qenë më e qartë me rënien e fundit ekonomike”, i tha Efe “Al Jazeeras”.
“Ata rrisin papunësinë në punët me pagë të ulët, duke punuar me pagë më të ulët se paga minimale dhe pa sigurime shoqërore”, tha Efe, duke shtuar se ai kishte parë personalisht një situatë të tillë kohët e fundit në një dyqan lavazhi.
Rastet e refugjatëve sirianë që punojnë në kushtet që Efe iu referohet, janë konfirmuar nga autoritetet në të kaluarën, duke përfshirë ministrin e Brendshëm të Turqisë, Suleyman Soylu, në një deklaratë në maj.
“Ju i merrni sirianët të punojnë në fabrikën tuaj, abuzoni me ta, nuk paguani për sigurimet e tyre shoqërore”, tha Soylu, duke iu drejtuar pronarëve të bizneseve.
Taha Elgazi, aktivist sirian i të drejtave të njeriut që punon për çështjet e refugjatëve në Turqi, thotë se faji nuk mund t'u vihet refugjatëve.
“Qytetarët në Turqi mendojnë se sirianët ua vjedhin punët e tyre, por si është kjo përgjegjësi e tyre? Ata do të donin të punonin në kushte më të mira, por po abuzohen nga punëdhënësit e tyre”, tha ai për “Al Jazeeran”, duke theksuar se autoritetet shtetërore janë përgjegjëse për monitorimin e kushteve të punës.
Ndryshimet e politikave
Elgazi shtoi se refugjatët ishin të pranishëm edhe kur ekonomia turke ishte në gjendje më të mirë, duke mohuar çdo korrelacion midis dy çështjeve.
Firat Faruk, 27 vjeç, turk që jeton në lagjen Mecidiyekoy të Stambollit, pajtohet se sirianët që ikin nga lufta në vendin e tyre duhet të ishin ndihmuar, por tani beson se ata duhet të kthehen në shtëpi kur të munden.
“Ata duhet të kthehen kur të përfundojë situata e sigurisë që i shkaktoi ata të vinin këtu dhe duket se është kështu pasi shumë kanë vizituar vendin e tyre dhe janë kthyer në të kaluarën”, tha Faruk për “Al-Jazeera”.
Qeveria ka ndryshuar kohët e fundit qasjen e saj ndaj vizitave të përkohshme në Siri, të cilat kryesisht ndodhën gjatë Bajramit, festat myslimane që festohen dy herë në vit.
Në dy Bajramet e fundit, në maj dhe korrik të këtij viti, Ankaraja nuk i lejoi refugjatët sirianë të vizitonin Sirinë dhe njoftoi se kushdo që do të largohej nga Turqia nuk do të lejohej të kthehej.
Më vete, në qershor, ministri i Brendshëm Soylu, njoftoi një prag të ri qëndrimi për të huajt në provincat turke, duke ulur kufirin për joshtetasit nga 25 në 20 për qind për lagje, dhe për këtë arsye duke rritur numrin e lagjeve të mbyllura për ta nga 781 në 1.169 në 54 provinca.
Gjithashtu, janë futur rregullore të reja që detyrojnë taksistët të kontrollojnë dokumentet e lejes së udhëtimit ndërkrahinor të pasagjerëve të huaj kur i transportojnë jashtë një krahine, dhe të njëjtat dokumente duhet të sigurohen për të huajt që të mund të blejnë bileta autobusi për të udhëtuar ndërmjet qyteteve të ndryshme turke.
Në maj, presidenti Erdogan njoftoi një projekt në Sirinë veriore me qëllim kthimin "vullnetar" të një milion sirianëve, gjë që krijoi frikë në mesin e disa prej refugjatëve, veçanërisht pasi konflikti në Siri nuk ka përfunduar, dhe Qeveria e presidentit Bashar al-Assad është ende në pushtet.
Shumë, përfshirë Elgazin, e lidhin ndryshimin e politikave me zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare në qershor të vitit 2023, pasi çështja e refugjatëve, si dhe kriza ekonomike e Turqisë kryesojnë agjendën politike në vend.
Elgazi thotë se Qeveria po përshtat politikat e saj nën presionin e publikut dhe opozitës, duke shtuar se proceset administrative me të cilat duhet të përballen refugjatët sirianë kryhen qëllimisht në një mënyrë të ngadaltë dhe problematike.
“Shumë të ashtuquajturat kthime vullnetare ndodhin për këtë arsye. Procedurat administrative janë më të vështira në shumë fusha të jetës për refugjatët tani, nga regjistrimi në shkolla te marrja e kartave të reja të mbrojtjes, nga hapja e bizneseve te punësimi i njerëzve”, tha Elgazi.
Presioni i opozitës
Zyrtarët e partisë opozitare kanë shfrytëzuar kundërshtimin në rritje ndaj refugjatëve në shoqërinë turke për të sulmuar Qeverinë përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm, me disa që thonë se do t'i kthejnë refugjatët kur të vijnë në pushtet.
Më herët në korrik, Kemal Kilicdaroglu, kreu kryesor i opozitës nga Partia Popullore Republikane, tha se 700.000 foshnje siriane që kanë lindur në Turqi duhet të kthehen në vendin e tyre.
“Po, pasuria më e madhe e çdo kombi janë foshnjat e tij. Këto foshnja janë pasuria e një Sirie të shkatërruar. Që Siria të qëndrojë përsëri, fëmijët e saj duhet të kthehen në atdheun e tyre”, tha ai duke folur me zëvendësit e tij. Në maj, Meral Aksener, aleate e Kilicdaroglu dhe udhëheqëse e qendrës së djathtë të Iyi Parti, tha se ajo dëshironte të “shtrëngonte duart” me presidentin sirian, Bashar al-Assad, për të dërguar refugjatët sirianë në vendin e tyre.
Gjithashtu në maj, një film i shkurtër i financuar nga Umit Ozdag, udhëheqësi i Partisë së Fitores, parti e vogël e së djathtës ekstreme dhe zëri më i ashpër kundër refugjatëve në politikën turke, u bë viral në mediat sociale.
Filmi tregonte një Turqi distopike, e rrezikshme për turqit dhe e qeverisur nga sirianë, ku të folurit në turqisht është e ndaluar. Ozdag ka bërë pretendime të pabaza se numri i refugjatëve në Turqi është dyfishi i numrit zyrtar.
Elgazi thotë se partitë opozitare i kanë përdorur refugjatët si atu kundër Qeverisë.
“Rritja e ideve konservatore të krahut të djathtë kundër refugjatëve dhe emigrantëve në mbarë botën janë të pranishme edhe në Turqi”, tha Elgazi. “Ajo është rritur më tej nga rënia ekonomike dhe zgjedhjet e ardhshme në vend”.
Përktheu: Forca Jashari