Botë

NATO, BE dhe G-7, më unikë se kurrë kundër Rusisë agresive

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë në Bruksel se me sulmin në Ukrainë, presidenti rus, Putin, e ka arritur të kundërtën nga ajo që ka synuar: Ka unifikuar NATO-n më shumë se kurrë më parë. E në samitin e Aleancës Veriatlantike, presidenti kroat, Milanoviq, ka folur për nevojën e integrimit të Kosovës, që të rrumbullakohet si shtet

Liderët perëndimorë, në katër samitet e mëdha që janë zhvilluar të enjten në Bruksel, e kanë përsëritur përkushtimin e tyre për ta ndihmuar popullin e Ukrainës dhe ushtrinë e këtij vendi në përballje me agresionin e Rusisë, për t’i vazhduar pastaj sanksionet dhe izolimin e mëtejmë të Moskës.

Këto porosi kanë dalë së pari nga samiti i jashtëzakonshëm i NATO-s, përcjellë nga samiti i G7-s, ku ka marrë pjesë edhe Japonia, derisa më vonë edhe në një takim të Këshillit Evropian me presidentin e SHBA-së, Joseph Biden, e në fund edhe në takimin e Këshillit Evropian, që vazhdon edhe të premten.

Presidenti amerikan Biden ka thënë në Bruksel se me sulmin në Ukrainë, Putini e ka arritur të kundërtën e asaj që e ka synuar, ka unifikuar NATO-n më shumë se kurrë më parë. Bideni i ka paralajmëruar një miliard dollarë shtesë për Ukrainën, që të përballet me krizën humanitare, krahas ndihmës ushtarake që po vazhdon.

Liderëve të NATO-s, me një fjalim emocional, u është drejtuar edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, i cili ka kërkuar më shumë ndihmë, sidomos në armatim.

“Na jepni vetëm një për qind të aeroplanëve tuaj, tankeve tuaja”, ka kërkuar ai.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se “aleatët po e furnizojnë Ukrainën me armë, me të cilët rrëzohen aeroplanët, shkatërrohen tanket dhe u premtua më shumë ndihmë”. Ka shtuar se “për arsye operative, nuk do të flasë në mënyrë specifike se sa dhe cilat armë po i dërgohen Ukrainës”.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s e ka ritheksuar drojën se Rusia mund të përdorë armët biologjike. Ai ka thënë se kritikat që Moska i përmend kundër SHBA-së e Ukrainës, për kinse “prodhim të armëve biologjike” mund të jenë pretekst për Rusinë që vetë t’i përdorë ato.

Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s e edhe liderët e tjerë kanë thënë se “Rusia do të paguajë çmim të lartë, nëse përdor armë biologjike dhe kimike”, pa specifikuar se cili do të ishte reagimi i NATO-s.

Është konfirmuar se NATO-ja tashmë ka aktivizuar sistemin për reagim ndaj armëve kimike, biologjike dhe bërthamore.

Në takimet në BE është folur edhe për sanksionet e reja ndaj Rusisë dhe për zvogëlimin e varshmërisë nga nafta dhe gazi rus.

I është dërguar vërejtje edhe Kinës, që të mos e ndihmojë Rusinë në asnjë mënyrë, e sidomos jo në aspektin ushtarak.

Në takimin BE-SHBA është përsëritur edhe përkushtimi për bashkëpunimin trans-atlantik, përfshirë edhe vazhdimin e punës së përbashkët në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka thënë pas samitit të NATO-s se ai në fjalimin e tij ka qenë i vetmi që e ka përmendur edhe Kosovën, edhe Serbinë.

“Është përmendur rajoni, Moldavia dhe Gjeorgjia, Bosnjë-Hercegovina, e cila në qenka e rrezikuar, por askush nuk e përmendi Serbinë dhe Kosovën. Serbia është një shtet, i cili nuk është krahu lindor, është praktikisht në Evropën Qendrore. Ajo pas pak ditësh i ka zgjedhjet dhe e kam përshtypjen se për një kohë të gjatë është në një krizë të identitetit dhe vështirë po e kuptojnë se ata për Rusinë janë vetëm një fusnotë. Për neve, NATO-n dhe BE-në, e posaçërisht pasi Serbia është duke negociuar anëtarësimin në BE dhe është partnere e NATO-s, të jetë vend stabil dhe të ketë perspektivë të qartë perëndimore, t’i ofrohet ajo në mënyrë më të qartë në këto rrethana. Dhe, nëse ata e kuptojnë mirë, e nëse jo, jo. Por, ky është një rast, i cili kurrsesi nuk duhet të humbet, e ata vetë të vendosin”, ka thënë Milanoviq.

“Kosova, e cila për fat të keq ende nuk është njohur nga katër shtetet e NATO-s, për arsye të cilat qëmoti janë të pakuptimta, të vjetërsuara nëse fare kanë qenë ndonjëherë valide. Kam bërë ftesë në njërën anë për një dialog më serioz me Serbinë, që këtu nuk ka qenë për askënd në fokus, por në anën tjetër paralelisht ta integrojmë më në fund dhe të rrumbullakohet si shtet”, ka thënë presidenti i Kroacisë.