Ata po ikin jo vetëm nga tmerri i luftës, i cili çoi në qindra e mijëra në Evropë në valën masive të vitit 2015, por edhe nga mjerimi i pasojave të luftës. Shpresa u ka humbur për një të ardhme në shtëpi mes varfërisë së tmerrshme, korrupsionit të shfrenuar dhe infrastrukturës së shkatërruar, si dhe armiqësive të vazhdueshme, shtypjes së qeverisë dhe sulmeve hakmarrëse nga grupe të shumta të armatosura.
Kishte ecur për 60 orë, nëpër lagështi e errësirë të pyjeve të Polonisë, duke u përpjekur të arrinte në Gjermani, kur 29-vjeçarja siriania kurde e përdrodhi gjurin. Ama, kjo nuk ishte pengesa e parë në udhëtimin e Bushras.
Në fillim, përgjatë rrugës, mikja e saj kishte humbur vetëdijen në një sulm paniku kur rojat e kufijve polakë i kishin ndjekur ato. Ato ishin fshehur në kanale e prapa lisave ndërkohë që mikja e saj përpiqej të rregullonte frymëmarrjen, por nuk kishte shkuar asgjë mirë. Ato u dorëzuan te rojat, më pas ikën prapë nga ata dhe kaluan kufirin në Bjellorusi.
Ato u kthyen shpejt në të njëjtin shteg, të lagura e duke u zvarritur. Pasi përdrodhi gjurin e saj, Bushra kishte rezistuar. Për më shumë se dy ditë, ajo tërhoqi zvarrë këmbën e saj nëpër shi e në temperaturat e ftohta të pyjeve. Më në fund, ato kishin arritur në një fshat polak, ku një makinë i mori ato përgjatë kufirit në Gjermani – për një jetë ku ajo shpreson se do të jetë e lirë.
“Durova dhimbjen e papërballueshme. Të ikësh nga diçka ndonjëherë është gjëja më e lehtë”, ka thënë Bushra në qendrën e qytetit gjerman, Giessen, ku kishte aplikuar për azil si refugjate. “Nuk ka të ardhme për ne në Siri”.
Bushra, e cila kërkoi që mbiemri i saj të mos publikohej për sigurinë e saj, është fytyra e re e emigrantes së re siriane. Shumë sirianë po i lënë shtëpitë e tyre, edhe pse lufta civile 10-vjeçare ka ndaluar dhe konfliktet janë ngrirë me vite.
Ata po ikin jo vetëm nga tmerri i luftës, i cili çoi në qindra e mijëra në Evropë në valën masive të vitit 2015, por edhe nga mjerimi i pasojave të luftës. Shpresa u ka humbur për një të ardhme në shtëpi mes varfërisë së tmerrshme, korrupsionit të shfrenuar dhe infrastrukturës së shkatërruar, si dhe armiqësive të vazhdueshme, shtypjes së qeverisë dhe sulmeve hakmarrëse nga grupe të shumta të armatosura.
Shumë aplikime
Më shumë se 78,000 sirianë kanë aplikuar për azil në Bashkimin Evropian deri më tash këtë vit, një rritje prej 70% nga viti i kaluar, sipas regjistrimeve të BE-së. Pas afganëve, sirianët janë populli më i madh kombëtar që kanë aplikuar për azil me 500,000 aplikantë deri më tani.
Nga nëntë veta prej 10 sirianëve jetojnë në varfëri. Afro 12 milionë kanë nevojë për ndihma humanitare, një rritje prej 20% nga viti i kaluar. Qeveria nuk është në gjendje të sigurojë nevojat thelbësore, kurse rreth 7 milionë janë zhvendosur brenda shtetit.
Rrugët, telekomunikacioni, spitalet dhe shkollat kanë qenë të shkatërruara nga lufta, ndërsa sanksionet e zgjeruara ekonomike po bëjnë rindërtimin të pamundur.
Pandemia e koronavirusit komplikoi krizën më të keqe ekonomike që nga fillimi i luftës në vitin 2011. Monedha e Sirisë është në kolaps, dhe paga minimale është e mjaftueshme vetëm për të blerë pesë paundë mish në muaj, në rast se ka mish diku. Prodhimi i krimit dhe drogës janë në rritje, teksa milicitë, të mbështetura nga fuqitë e huaja, operojnë si kontrabandë dhe kontrollojnë të gjitha fshatrat dhe qytetet.
Shifrat janë shumë më poshtë se në vitin 2015, mirëpo sirianët e dëshpëruar po përpiqen të dalin jashtë. Grupet e rrjeteve sociale janë të përkushtuara për t’i ndihmuar ata të gjejnë një rrugë. Përdoruesit pyesin se ku mund të aplikojnë për viza të punës ose për bursë. Të tjerët kërkojnë këshilla për mënyrat më të fundit të migrimit, koston e kontrabandistëve , dhe se sa e rrezikshme do të ishte përdorimi i identiteteve të rreme për të dalë nga Siria dhe për të hyrë në vende të tjera.
Në të njëjtën kohë, fqinjët e Sirisë të cilët po përballen me krizat e tyre ekonomike, po bëjnë thirrje te refugjatët të kthehen në tokat e tyre. Në mesin e emigrantëve të rinj në BE, janë edhe sirianët që largohen nga Turqia apo Libani, ku kanë qenë refugjatë prej vitesh.
Bjellorusia hapi shkurtimisht kufirin e vet me Poloninë për emigrantët këtë verë. Kjo ka krijuar një përplasje me BE-në, e cila e akuzon presidentin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, për orkestrimin e migracionit të paligjshëm në shenjë hakmarrjeje për sanksionet evropiane kundër tij.
Bushra ishte një nga disa mijëra që arriti të kalonte nga Bjellorusia, ku 15 persona kishin vdekur duke u përpjekur t’ia dilnin mbanë në këtë udhëtim.
Ajo u largua nga Minsku i Irbilit, në fund të shtatorit.
Ishte fillimi i një udhëtimi të mundimshëm. Bushra ka treguar se si kishin mbijetuar me biskota dhe ujë për ditë të tëra dhe se si gjashtë prej tyre flinin ulur në dyshek të thatë. Mikja e saj e kishte thyer dhëmbin duke u dridhur nga i ftohti.
Pas sprovës së pyllit, ata u detyruan të fshiheshin në një kanal kur një patrullë policie me qenë nuhatës kishin ardhur për të kontrolluar makinën e tyre. Gjatë rrugës në autostradë, Bushra e kishte larguar shaminë e saj të kokës për të shmangur dyshimin në pikat kontrolluese. Ajo arriti në Giessen më 12 tetor.
“U habita me veten se si e përballova tërë këtë”, ka theksuar Bushra.
“Ia ka vlejtur e gjithë kjo, ka thënë ajo. “Kur humbet shpresën, shkon në një shteg më të rrezikshëm se ai që ke nisur”.
Vështirësitë në Siri
Jeta e Bushrës në Siri kishte qenë në trazira për vite. Ajo ishte në universitet në qytetin lindor të Deir el- Zour kur lufta shpërtheu në vitin 2011 dhe protestat antiqeveritare u përhapën në qytet. Ajo shpejt u transferua në një universitet tjetër më në veri. Pas pak kohe Deir el- Zour dhe pjesa tjetër e lindjes u zaptuan nga grupi i Shtetit Islamik.
Bushra dhe prindërit e saj ishin jashtë sundimit të Shtetit Islamik në verilindjen e kurdëve, por prapë jetonin me frikën e dhunës. Ajo mezi la shtëpinë për dy vjet.
Në fund, ajo kishte gjetur një punë me një grup ndërkombëtar ndihme. Që atëherë, ajo kurseu për largim, duke kontrolluar rrugët e Sirisë.
Verilindja e Sirisë, e pasur me naftë, e cila tashmë vuante nga neglizhenca për vite, u shkatërrua nga lufta. Thatësira shkatërroi jetesën e fermerëve. Kolapsi i monedhës i shkatërroi të ardhurat. Paga e babait të Bushras, që punonte si punonjës qeveritar, tani ka vlerën prej 15 dollarëve në muaj, që ishte zbritur nga 100 dollarë nga fillimi i luftës.
Për më tepër, rajoni nuk ishte i sigurt. Militantët e Shtetit Islamik u mundën në vitin 2019, mirëpo vazhduan të kërcënojnë sigurinë dhe administratën civile të udhëhequr nga kurdët.
Tetë kidnapime u raportuan këtë verë në një vend afër saj.
Shumë kërcënime u bënë në drejtim të Bushras, pasi ajo kishte ekspozuar një çështje korrupsioni, ku përfshiheshin zyrtarë të fuqishëm vendorë, duke i shkaktuar asaj frikë për jetën. Ajo refuzoi të jepte më shumë detaje për shkak se familja e saj qëndron në Siri.
Kërcënimi i përshpejtoi planet e saj për t’u larguar dhe i bindi prindërit e saj, të cilët ishin të shqetësuar se një grua beqare do të shkonte vetëm në një udhëtim të tillë.
Tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani këtë verë ka rritur shqetësimet e Bushras që SHBA-ja do t’i tërheqë edhe 900 trupat e vendosur në Siri në administratën e kurdëve në verilindje. Trupat organizojnë operacione antiterroriste me forcat lokale, si dhe prezenca e tyre i mban forcat rivale në gji.
“Nëse qëndroj në Siri, do të ndiqem nga siguria gjatë gjithë jetës sime”, ka thënë ajo.
Fitimi i azilit dhe qëndrimi në Gjermani, janë porta e lirisë për të.
Përktheu: Blerta Haxhiu