“Fëmijët mbesin të vegjël vetëm për një moment, dhe unë dua ta kujtoj fëmijën tim në mënyra të tjera sesa thjesht në foto”, ka shkruar Kaikkonen në Twitter, duke shtuar se siguria e Finlandës “do të jetë në duar të mira”
Mes krizës më të madhe rajonale të sigurisë në dekada, teksa Finlanda pret të anëtarësohet në NATO, ministri i Mbrojtjes ka zgjedhur të kërkojë gati dy muaj leje prindërore nga puna e tij.
Dhe finlandezëve duket se kjo nuk po u bën përshtypje. Po ashtu, edhe fqinjët e tyre nordikë janë mësuar me politikat sociale të orientuara nga familja dhe ekuilibrin punë-jetë.
Ministri i Mbrojtjes, Antti Kaikkonen, një 48-vjeçar, baba i dy fëmijëve, bën një argument nxitës për marrjen e pushimit prindëror duke filluar nga 6 janari për t’ia kushtuar kryesisht djalit të tij 6 muajsh.
“Fëmijët mbesin të vegjël vetëm për një moment, dhe unë dua ta kujtoj fëmijën tim në mënyra të tjera sesa thjesht në foto”, ka shkruar Kaikkonen në Twitter, duke shtuar se siguria e Finlandës “do të jetë në duar të mira”.
Ai më vonë i ka thënë agjencisë finlandeze të lajmeve STT se “megjithëse detyrat ministrore janë shumë të rëndësishme për mua, duhet të jemi në gjendje ta vendosim familjen në radhë të parë në një moment”.
Pesë vendet nordike – Danimarka, Finlanda, Islanda, Norvegjia, Suedia – e kanë bërë barazinë gjinore prioritet kryesor në politikat e tyre, dhe kjo përfshin inkurajimin e baballarëve që të kalojnë më shumë kohë me fëmijët e tyre.
Në Suedi, të dy prindërit së bashku marrin 480 ditë leje prindërore për fëmijë, ku secili prind mund të përdorë gjysmën - 240 - të atyre ditëve, të cilat janë gjithashtu të transferueshme. Në rastin e lindjeve të shumëfishta, jepen 180 ditë shtesë për çdo fëmijë më shumë.
Në shtator, Finlanda ka lansuar një sistem të lejes prindërore neutrale nga gjinia, duke i lejuar të dy prindërit të marrin 160 ditë pushim të paguar secili dhe të transferojnë një sasi të caktuar ditësh mes njëri-tjetrit.
Politikanët kryesorë meshkuj në shtetet nordike kanë shfrytëzuar të drejtat e tyre për lejen e babait në një masë të caktuar, por kjo ende nuk është praktikë e zakonshme.
Në Danimarkë, ministri i Financave, Nicolai Wammen, ka filluar lejen dymujore të atësisë në fund të vitit 2020, duke thënë se djali i tij “e ka parë më shpesh babanë në TV”.
Në Finlandë, ish-kryeministri Paavo Lipponen, pionier në kombinimin e politikës dhe atësisë, mori lejen e babait në vitin 1998, megjithëse për një periudhë shumë më të shkurtër. Lipponen, tani 81 vjeç, mori mjaft mbështetje në mediat ndërkombëtare për marrëveshjet e tij familjare.
Përtej luftës në Ukrainë dhe zhurmave nga Rusia fqinje, veprimi i ministrit finlandez të Mbrojtjes vjen gjithashtu në një kohë të ndjeshme politikisht: Finlanda përballet me zgjedhje të përgjithshme në fillim të prillit dhe pranimi i saj në NATO është në harresë kryesisht për shkak të rezistencës nga Turqia, anëtare e Aleancës – e cila pretendon Finlanda dhe kandidatja fqinje e NATO-s, Suedia, se duhet së pari t’i adresojë shqetësimet e saj lidhur me aktivitetet e dyshuara të militantëve kurdë në të dy vendet.
Parlamentet e Turqisë dhe Hungarisë ende nuk i kanë ratifikuar kërkesat e Finlandës dhe Suedisë. 28 shtetet e tjera të NATO-s tashmë e kanë bërë këtë.
Gazeta kryesore e Finlandës “Helsingin Sanomat” ka raportuar në një editorial se vendi ka të ngjarë të bashkohet me NATO-n vetëm pasi qeveria e re të ketë marrë detyrën dhe la një shënim pozitiv për largimin e Kaikkonenit, duke thënë se në këtë mënyrë erdhi edhe me “një mesazh për shoqërinë”.
“Vëzhguesit jashtë Finlandës jo vetëm që mund të habiten, por edhe të simpatizojnë faktin që ministri i mbrojtjes mund të marrë lejen e atësisë që tani. Të paktën kjo tregon se nuk ka panik në Finlandë”, thuhet në Helsingin Sanomat.
Përktheu: Blerta Haxhiu