Kryeministri i Sllovakisë ka dhënë dorëheqje shkaku i shpërndarjes sekrete të vaksinave ruse “Sputnik V”, teksa Brukseli po dështon që ta mbajë të bashkuar BE-në
Koronavirusi po godet përsëri teksa qeveritë nëpër Bashkimin Evropian po dështojnë të sigurojnë vaksina. Pak nga shtetet evropiane do të mund ta arrijnë cakun e vendosur nga Brukseli për vaksinimin e 70 përqindëshit të popullsisë së rritur deri në fundin e verës.
Revista amerikane “Foreign Policy”, në një analizë të sajën, ka vlerësuar se duke dashur që ta shfrytëzojnë dështimin e BE-së në sigurimin e vaksinave, Rusia dhe Kina janë përfshirë në gjithë këtë muhabet me diplomacitë e vaksinave. Kjo strategji është duke funksionuar si është më së miri në Evropën Qendrore dhe në atë Lindore.
“Disa vende në rajon, përfshirë Republikën Çeke dhe Sllovakinë, që mezi u kanë bërë ballë niveleve më të larta të infeksioneve me koronavirus, teksa programet e vaksinimit janë të gjitha të bllokuara për shkak të problemeve me sistemin e përbashkët të prokurimit të BE-së, disa udhëheqës të dëshpëruar kanë shfrytëzuar mundësinë për të importuar vaksinat ruse ‘Sputnik V’ dhe të ‘Sinopharmit’ kinez. Këto dy vaksina ende nuk janë miratuar për përdorim nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve”, ka vlerësuar “Foreign Policy”.
Vonesa fillestare e Rusisë në kërkimin e miratimit nga EMA-ja, sipas gazetës, ka nxitur probleme të shumta në disa qeveri evropiane. Gjatë javës, kryeministri sllovak, Igor Matoviq, u bë udhëheqësi i parë botëror që ka dhënë dorëheqje sherri i mënyrës së menaxhimit me pandeminë.
Ai ka organizuar shpërndarjen e fshehtë të dozave “Sputnik V” në fillim të marsit, duke shkelur rregullat e vendosura për vendet e BE-së dhe duke i kundërshtuar kritikat e anëtarëve të qeverisë së tij.
“Në atë kohë, ministri i Jashtëm i atëhershëm Ivan Korcok e cilësoi vaksinën ruse si një ‘mjet të luftës hibride’. Marrëveshja klandestine shkaktoi krizën politike njëmujore që kishte në cak shtatë ministra, përfshirë Matoviqin që zyrtarisht dha dorëheqje të martën”, ka shkruar “FP”.
Institucionet e brishta demokratike dhe ekonomitë në zhvillim, sipas analizës, e kanë bërë Evropën Qendrore dhe atë Lindore prej kohësh një hallkë të dobët në zinxhirin e BE-së. Megjithëse vendet e vogla të rajonit janë larg shteteve të fuqishme, anëtarësimet e tyre në BE dhe NATO i bëjnë këto shtete objektiva lehtë të arritshme të operacioneve të ndikimit nga Rusia dhe Kina. Disponueshmëria e vaksinave “Sputnik V” dhe “Sinopharm” ka vënë në zgrip qeveritë e brishta, por të tjerat kanë shkelur radhët e BE-së për t’i importuar ato. Nëse Brukseli nuk mund të rikthejë programin e vaksinimit në shtegun e duhur, më shumë shtete anëtare mund të pajisen me vaksinat ruse dhe kineze. Bashkë me rastet e reja, ngrihet edhe presioni publik.
“Me fondin e rimëkëmbjes prej 1.8 biliardësh euro (2.1 trilionë dollarë), BE-ja synoi planin e përbashkët të prokurimit të vaksinave për të ilustruar forcën e saj pas përgjigjes së pasigurt të bllokut ndaj valës së parë të koronavirusit në pranverën e kaluar. Në vend të kësaj, fushata e ngadaltë e vaksinimit kërcënon t’i ekspozojë dobësitë e bllokut evropian”, thuhet në analizën e “Foreign Policy”.
Joshja e vaksinës
Vaksinat ruse dhe kineze janë bërë përherë e më tërheqëse, teksa Hungaria që nxitoi me miratimin emergjent të dy vaksinave, e përshpejtoi ndjeshëm fushatën e vaksinimit.
Në analizën e revistës amerikane thuhet, gjithashtu, se kryeministri autoritar i Hungarisë, Viktor Orban, ka kohë që ka shprehur interesim për Moskën dhe Pekinin. Për këtë arsye shpesh ka sfiduar politikat e BE-së dhe të NATO-s. Deri më 28 mars, kur niveli mesatar i vaksinimit në BE ishte afro 16 për qind, Hungaria veçse kishte vaksinuar më shumë se 27 për qind të popullsisë.
“Ky sukses ka ndihmuar në nxitjen e kaosit në Republikën Çeke, që muajt e parë të vitit 2021 i kaloi me shkallë të lartë të rasteve të reja se çdo shtet tjetër evropian. Presidenti populist, Milos Zeman, që prej kohësh ka përdorur postin ceremonial për t’i shtyrë çështjet e jashtme çeke kah Rusia dhe Kina, mori mbi vete barrën që nga qeveritë e Rusisë dhe Kinës të kërkonte vaksina për shtetin e tij. Rezistenca nga ministri i Shëndetësisë, Jan Blatny, ka vonuar shpërndarjen e vaksinave, por Zemani po lëkund qeverinë e dobët të pakicës me thirrjet për kokën e Blatnyt”, thuhet në analizën e “Foreign Policy”.
Vaksinat ruse dhe kineze kanë joshur edhe shtetet e tjera të BE-së. Vetëm një muaj pasi që agjencia e barnave e Kroacisë njoftoi se nuk kishte në plan që ta përdorte vaksinën “Sputnik V” pa miratimin e EMA-s, Qeveria ka nisur bisedimet me Moskën për importin e vaksinave. Fushata e vaksinimit në Kroaci është bërë më urgjente nga përparimi në këtë fushë i Serbisë fqinje.

“Në këtë shtet ballkanik përdorimi i ‘Sputnik V’ dhe ‘Sinopharm’, si dhe i vaksinave ‘Pfizer’ dhe ‘AstraZeneca’, ka mundësuar që ajo të ketë një prej mesatareve më të larta të vaksinimit në kontinentin evropian. Duke marrë rolin kryesor në betejën për vaksinat, Beogradi u ka ofruar vaksinave qytetarëve nga shtetet e tjera ballkanike, që janë jashtë kufijve të BE-së”, ka shkruar “Foreign Policy”.
Refuzimi ndaj Rusisë
Ndjenjat e përhapura kundër Rusisë në Poloni nënkuptojnë se “Sputnik V” nuk ka shumë gjasa që të importohet në këtë shtet, por presidenti polak, Andrzej Duda, veçse ka zhvilluar bisedime me presidentin kinez, Xi Jinping, lidhur me vaksinën “Sinopharm”, duke shkaktuar konfuzion kur ministri i Shëndetësisë deklaroi se vaksina kineze ishte jashtë limiteve të shtetit.
Me Poloninë që pëson ngritje të madhe të rasteve në muajin mars, vendosmëria e qeverisë së djathtë për t’iu përmbajtur udhëzimeve të EMA-s ende nuk është testuar fort.
BE-ja vazhdon të kërkojë kujdes kur bëhet fjalë për vaksinat ruse dhe kineze.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shprehur skepticizëm pse Moska dhe Pekini kanë eksportuar vaksinat e tyre në të gjithë botën, teksa kanë lënë pas dore popullsitë e tyre.
“Dhe megjithëse ‘Sputnik V’ ka 92 për qind efikasitet në prova, një zyrtar i EMA-s ka thënë se Rusia nuk i ka ofruar të dhëna rregullatorit, duke e krahasuar përdorimin e vaksinës me ‘ruletën ruse’”, shkruan “FP”.
Zyrtarët shëndetësorë, gjithashtu, kanë ngritur shqetësime pse Rusia dhe Kina janë shfaqur kaq joentuziaste për të siguruar miratimin për përdorim nga EMA-ja. Rusia ka paraqitur një kërkesë paraprake në fillim të marsit, ndërkaq Kina nuk ka bërë asnjë përpjekje.
“Nuk kam ide pse këto dy shtete nuk kërkuan miratim më herët”, ka thënë Petr Smejkal, epidemiolog në Institutin e Mjekësisë Klinike dhe Eksperimentale të Pragës dhe këshilltar i kryeministrit çek, Andrej Babis, duke shtuar se kishte paralajmëruar kryeministrin që të mos përdorte ndonjërën prej këtyre vaksinave pa dritën jeshile të BE-së.
Siç theksojnë shërbimet e sigurisë në Evropën Qendrore dhe Lindore, anëtarësimi në BE dhe në NATO i bëjnë vendet në rajon objektiva të vlefshëm teksa diplomacia e vaksinave e Rusisë dhe Kinës mund të ketë ndikuar tashmë në të dy forumet.
“Në mars, BE-ja bëri përpjekje për t’i shtyrë përpara sanksionet e reja ndaj Moskës dhe Pekinit, teksa përballet me pengesat hungareze. Me rritjen e mundësisë për mosmarrëveshje, një rishikim strategjik i marrëdhënieve BE-Rusi i planifikuar për një samit të liderëve të bllokut javën e kaluar u tërhoq nga agjenda në minutën e fundit”, ka shkruar “Foreign Policy”.
Analistët kanë tërhequr vërejtjen se nëse BE-ja do të qëndrojë këmbëngulëse ndaj Rusisë, do të ketë nevojë për unitet përbrenda. Në mënyrë të ngjashme, diplomacia e vaksinave të Rusisë dhe Kinës paraqet një sfidë ndaj unitetit të NATO-s teksa anëtarët e saj nuk u nënshtrohen politikave të tjera, qe shqetësim i ngritur nga ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas. “Zgjidhjet tona shumëpalëshe duhet të kenë sukses, nëse nuk duam të humbasim terrenin tonë ndaj atyre që argumentojnë se regjimet autoritare janë më të mira për t’u përballur me një krizë si kjo”, tha Maas më 9 mars, duke e quajtur solidaritetin evropian si bazë për partneritetin trans-atlantik.
Shpërndarja individuale
Teksa Brukseli me shpejtësi merr përsipër prokurimin e vaksinave, po u kërkon vendeve anëtare të BE-së ta mbajnë drejtimin. EMA ka aprovuar një opsion të katërt, vaksinën me një dozë “Johnson & Johnson” dhe vendet anëtare kanë krijuar tani sistemet e tyre individuale të shpërndarjes.
“Zyrtarët e BE-së paralajmërojnë se skenari alternativ - lënia e programit të përbashkët të prokurimit dhe mbështetja te vaksinat ruse dhe kineze - do të shihte shtete më të vogla të shtyheshin mënjanë nga rivalët më të mëdhenj me xhepa të thellë”, vlerëson “Foreign Policy”.
Në të njëjtën kohë, Rusia dhe Kina mund të kenë mbivlerësuar dorën e tyre – këto shtete mund të minojnë agjendën duke mos zbatuar premtimet. Moska pretendon se ka porosi për 2.4 miliardë doza të “Sputnik V” nga 50 vende, por kapaciteti i saj i kufizuar i prodhimit mund të zhgënjejë të njëjtat shtete që shpresonte t’i mahniste. Rusia është në bisedime me partnerët e mundshëm të prodhimit, duke përfshirë Gjermaninë dhe Indinë, por diskutimet varen nga perceptimet në lidhje me cilësinë e prodhimit brenda Rusisë, që është shqetësimi kryesor i EMA-së.
Në planin afatshkurtër, diplomacia e vaksinave mund të ketë shënuar fitore për Rusinë dhe Kinën në Evropën Qendrore dhe Lindore. Ama, në planin afatgjatë, shkalla e dëmtimit të pozitës së BE-së si një fuqi globale - dhe besimi i vendeve anëtare në bashkëpunimin evropian - do të varet jo nga Moska ose Pekini, por nga aftësia e Brukselit për ta përshpejtuar programin e saj të vaksinimit.