CNN-i analizon se aparati propagandistik i Pekinit tani është duke e intensifikuar fushatën njëvjeçare kundër asaj që e cilëson “spiunazh të SHBA-së”. Krejt kjo, sipas transmetuesit televiziv amerikan, ka ndodhur pas njoftimit të 7 tetorit nga drejtori i CIA-s, William Burns, i cili theksoi se Qendra e Misionit për Kinën do të angazhohet kundër asaj që e quajti “kërcënimi më i rëndësishëm gjeopolitik me të cilin jemi përballur në shekullin 21”.
“Le të zhvillojmë ‘luftë njerëzish’ kundër spiunëve, ashtu që ata të mos mund ta hedhin as edhe një hap të vetëm dhe të mos e kenë ndonjë vend për të fshehur!”.
Kjo ishte thirrja që një gazetë kineze e specializuar në çështje ushtarake e postoi në mediat sociale gjatë fundjavës, kur Pekini bëri thirrje për vigjilencë publike kundruall spiunazhit amerikan pas hapjes së një qendre të misionit të CIA-s dedikuar Kinës.
Si rrjedhojë e kësaj, një analizë e CNN-it specifikon se aparati propagandistik i Pekinit tani është duke e intensifikuar fushatën njëvjeçare kundër asaj që e cilëson “spiunazh të SHBA-së”. Krejt kjo, sipas transmetuesit televiziv amerikan, ka ndodhur pas njoftimit të 7 tetorit nga drejtori i CIA-s, William Burns, i cili theksoi se Qendra e Misionit për Kinë do të angazhohet kundër asaj që e quajti “kërcënimi më i rëndësishëm gjeopolitik, me të cilin jemi përballur në shekullin 21”.
“Luftë propagandistike në media sociale”
Një videoxhirim i transmetuar në transmetuesin shtetëror kinez CCTV pretendonte – pa cituar ndonjë burim – se CIA po rekrutonte agjentë kinezishtfolës, të cilët e kuptojnë jo vetëm gjuhën mandarine, por edhe dialektet e ndryshme, si kantonezen, shangaishten, hakkan dhe hokkienen.
Xhirimi, i transmetuar të shtunën, është shpërndarë gjerësisht nga redaksitë e lajmeve nëpër mediat sociale dhe është bërë menjëherë viral. Në Weibo, një version tejet i censuruar kinez i Twitterit, një hashtag i ndërlidhur u bë temë qendrore e debateve të shtunën dhe që atëherë ka gjeneruar më shumë se 280 milionë shikime.
Nacionalistët madje e vërshuan llogarinë zyrtare në Weibo të Ambasadës amerikane në Kinë, duke postuar komente përçmuese që i shpalosin në hollësi zotësitë e tyre në dialektet e kinezishtes dhe që kërkonin të rekrutoheshin, ka raportuar CNN.
“Çfarë duhet të bëjmë kur CIA është duke i rekrutuar haptas agjentët kinezishtfolës?”, ka pyetur Junzhengping, një llogari kjo në Weibo e udhëhequr nga e përditshmja ushtarake “People’s Liberaton”, njëherësh zëdhënëse e ushtrisë kineze. “Forca të huaja armiqësore kanë punuar bukur fort dhe (ne) kurrë nuk duhet ta lëmë mënjanë punën tonë të zellshme në rrafshin e sigurisë kombëtare”, thuhej në një postim të tij të dielën, në të cilin shërbimi amerikan i Inteligjencës akuzohej për “masa më të liga dhe të papërballueshme”.
“Por asnjë dhelpër dinake nuk mund ta mund një gjuetar të shkathtë. Për ta mbrojtur sigurinë tonë kombëtare, duhet jo vetëm që t’i besojmë popullit, por edhe të bazohemi në popull”, shtohej tutje, raporton CNN.
Javën e shkuar, Ministria e Jashtme kineze ka vënë në cak veprimin e CIA-s, të cilin e quajti si “një simptomë tipike të mentalitetit të Luftës së Ftohtë”.
“Agjencia relevante e SHBA-së duhet t’i shohë zhvillimin e Kinës dhe marrëdhëniet Kinë-SHBA në mënyrë objektive dhe racionale, dhe të ndalojë së bëri gjëra të dëmshme për sa u përket besimit të dyanshëm dhe bashkëpunimit midis Kinës e SHBA-së, si dhe sovranitetit, sigurisë dhe interesave zhvillimore të Kinës”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Ministrisë, Zhao Lijian, gjatë konferencës për shtyp të 8 tetorit.
Propaganda që shtrihet deri te fëmijët

Propaganda njëjavore në lajme – dhe dezinformimet lidhur me të – e kanë vënë Pekinin në pozitë që ta përsërisë narrativen e saj të zakonshme se siguria kombëtare e Kinës ndodhet nën kërcënim të rëndë dhe konstant të Shteteve të Bashkuara, dhe se spiunët amerikanë përbëjnë rrezik shumë më të madh për jetët e qytetarëve të thjeshtë kinezë sesa që ata mund të mendojnë.
Nën presidencën e Xi Jinpingut, qeveria kineze ka ndërmarrë një seri fushatash viteve të fundit për t’ia kujtuar publikut kërcënimin e supozuar dhe për t’i trimëruar ata që të veprojnë, ka shkruar CNN.
Më 2015, Kina ka hapur madje një linjë kombëtare telefonike ashtu që qytetarët të raportojnë rreth spiunëve të dyshuar dhe aktiviteteve të spiunazhit. Më 15 të prillit të 2016-s, vendi ka shënuar Ditën e parë të përvitshme të Arsimimit mbi Sigurinë Kombëtare me një mal propagandash, përfshirë një poster të tipit të stripave që është vendosur kudo përreth Pekinit, duke i paralajmëruar gratë e reja shërbyese civile kundër lidhjeve të dashurisë me të huajt e pashëm – ashtu që të mos bien pas një James Bondi potencial.
Më 2017, qeveria komunale në Pekin ka nisur t’u ofrojë shpërblime prej më shumë se gjysmë milioni jenësh (78,000 dollarë) gjithsecilit që ndihmon në ekspozimin e një spiuni.
Dhe në vitin e dytë të Ditës së Arsimit për Sigurinë Kombëtare, një shtëpi botuese online ka botuar libra për fëmijë që ua mësojnë më të vegjëlve mbrojtjen e sigurisë kombëtare, nëpërmjet lojërave si “gjeje spiunin”.
“The Global Times”, një tabloid nacionalist i financuar prej shtetit, ka shkruar se librat ishin pjesë e përpjekjes për mobilizimin e fëmijëve nisur prej shkollave fillore deri në kolegje në “një forcë madhore të kundërspiunazhit”.
Në të njëjtën kohë, ka raportuar CNN, një njoftim jozyrtar ka qarkulluar gjithandej nëpër media sociale, duke i listuar tetë “tiparet” e dukshme të spiunëve potencialë – duke i numëruar korrespondentët e huaj, misionarët dhe stafin e OJQ-ve si të dyshuar të mundshëm. Por fushatat e kapjes së spiunëve nuk kanë ndaluar me mbjelljen e dyshimit për të huajt që jetojnë në Kinë. CNN ka bërë të ditur se këto fushata janë përdorur gjithashtu për t’i vënë në shënjestër kritikët qeveritarë, aktivistët e shoqërisë civile, avokatët, gazetarët, feministët dhe pjesëtarët e tjerë të spikatur të publikut kinez.
Derisa Xi po i jep formë të re nacionalizmit dhe po ndërmerr masa të gjera të shtypjes ndaj “vlerave perëndimore”, si demokracia, liria e shtypit dhe pavarësia e gjyqësorit, zërat e ditur liberalë – që dikur ishin tejet të përhapur në mediat sociale kineze pas hapjes ekonomike të vendit – janë heshtur me të madhe nga ultranacionalistët e zjarrtë.
“Në media sociale, komentuesit liberalë rëndom akuzohen nga nacionalistët se janë tradhtarë të vendit të tyre dhe etiketohen si ‘500k që ecin’ – duke nënkuptuar se ata punojnë për spiunët e huaj dhe që ia vlejnë t’u ndahen shpërblime me para po qe se raportohen tek autoritetet”, ka shkruar CNN, në analizën e saj.
Llogaritë e tyre në mediat sociale vazhdimisht sulmohen nga trollët nacionalistë dhe i nënshtrohen censurës – dhe si rrjedhojë, në fund, shlyhen nga platformat.
Vala e fundit e propagandës pritet që ta thellojë edhe më tepër “gjahun politik të shtrigave”.
Duke e pasur parasysh definicionin skajshmërisht të gjerë dhe të paqartë të Pekinit për “sigurinë kombëtare”, CNN-i analizon se kushdo që cilësohet si “jopatriot” përballet me rrezikun për t’u cenuar dhe për t’u raportuar si “një spiun”. \ Analizë e CNN-it