Botë

Kryeredaktori i ‘La Stampa-s’: Italia mori mësimin e rëndë, të tjerët të mësojnë nga ne

Foto: Reuters

Kryeredaktori i gazetës italiane “La Stampa”, Maurizio Molinari, ka publikuar një shkrim përmes së cilit tregon mësimin e rëndë që i ka dhënë koronavirusi Italisë, dhe si duhet të mësojnë vendet e tjera.

Italia është vendi më i goditur në Evropë nga koronavirusi, duke shënuar vetëm ditën e sotme 627 viktima, duke e çuar kështu numrin e përgjithshëm të viktimave në 4,032, derisa numri i të infektuarve ka shkuar në 47,021 persona, transmeton KOHA.

“Javën e kaluar, Italia u bë vendi i parë në Evropë për të shkuar në mbyllje të plotë për të mbrojtur qytetarët e saj nga sulmi i pandemisë. Më parë, një skenar i tillë ishte vetëm një hipotezë akademike nga ekspertët e sigurisë kombëtare. Ajo çfarë po bën tani Italia mund të bëhet model për vendet e tjera që rrezikohen nga armiku i njëjtë: koronavirusi”, shkruan Molinari.

Në shkrimin e publikuar në “The Guardian”, tutje ai shton se Italia vazhdon të jetë e sulmuar, siç shihet nga rritja e numrit të të infektuarve dhe të vdekurve, dhe lufta ndaj virusit është përplot me të panjohura, por ekzistojnë tri aspekte të urgjencës aktuale që përmbajnë mësime të qarta.

“Shqetësimi i parë është siguria kombëtare. Pandemia e zuri Italinë në befasi, pothuajse si një shkallë e gjerë e sulmit terrorist. Në shkollat e luftës, të mësojnë se gjithmonë duhet ta përgatitni veten të luftoni në konfliktin e radhës. Tani e dimë se kjo mund të shkaktohet jo nga një armik i armatosur, por nga një virus. Si pasojë, spitalet, objektet mjekësore, pajisjet shëndetësore, mjekët dhe infermierët janë ekuivalentë me vijën e frontit. Ata duhet të konsiderohen llogore për t’u mbrojtur, konsoliduar dhe fuqizuar. Atëherë, duhet të investojmë në shëndetësi ashtu siç bëjmë në siguri – kjo nënkupton rishikimin e buxhetit kombëtar për ta dedikuar në burimet e strategjisë në hulumtime, zhvillime dhe trajnime të sektorit të shëndetësisë dhe gjithashtu blerjen e materialeve të destinuara për të bërë furnizime thelbësore”, shkruan ai.

Sipas tij, kjo kërkon që demokracitë individuale, si dhe aleancat e BE-së dhe NATO-s, të pajisen urgjentisht me një politikë efektive, të strukturuar mirë dhe të financuar edhe më mirë në biosiguri.

“Sepse sekreti për t’iu rezistuar me sukses sulmeve pandemike qëndron te logjistika: sa më shumë spitale, shtretër, specialistë, infermierë, makineri dhe ilaçe, aq më shumë mbrohet jeta jonë kolektive. Dhe më pas duhen përpjekje të koordinuara: në Evropë për shembull, Spanja, Franca dhe Gjermania po mësojnë nga përvoja italiane, duke adaptuar zgjidhje të ngjashme. Vendet e tjera më larg po mësojnë gjithashtu nga Italia dhe po mbyllen para se të shfaqet numri i lartë i rasteve”, shkruan Molinari.

Molinari shton se mësimi i dytë me rëndësi vendimtare që vjen nga përvoja e Italisë nga kjo pandemi është bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve zyrtare.

“Nëse qeveria e Giuseppe Contes ka mbyllur jetën publike, ka detyruar miliona njerëz ‘de facto’ të karantinohen dhe u përball me kostot ekonomike që rrezikojnë recesionin, e bëri sepse kjo është receta e vetme efektive për të frenuar - dhe përfundimisht të mposhtet - virusi. Por, kjo që të jetë e suksesshme, është e nevojshme që secili qytetar të luajë rolin e vet me përgjegjësi”, shkruan ai.

Në Itali, për një ditë vdiqën 627 persona nga koronavirusi

Tutje ai shkruan se meqenëse jemi në demokraci, ekziston një kufi kushtetues i detyrimeve që mund t’u imponohen qytetarëve, pra rëndësia qëndron tek përgjegjësia personale.

“Pandemia transformon secilën rrugë, secilin bllok të banesave, secilën shtëpi në një pjesë të llogorit kolektiv. Është vitale për të gjithë që të kuptojnë rëndësinë e kufizimeve që pranojnë dhe që të marrin pjesë me vetëdije në zbatimin e tyre, në mënyrë që rezultati të jetë ai që dëshirohet: mposhtja e virusit dhe kthimi në normalitet”, thotë Molinari.

Ai thotë se është edhe elementi i tretë nga përvoja italiane.

“Reflektohet nga njerëzit në dritaret dhe ballkonet e tyre, të cilët të shtunën e kaluar në mesditë kolektivisht duartrokitën mjekët dhe infermierët që janë figurat kyçe në luftën ndaj virusit. Njerëzit gjithashtu po luajnë ose po këndojnë himnin kombëtar nga shtëpitë e tyre, e gjithashtu ‘O Sole Mio’ dhe këngë të tjera të dashura, si mënyrë për bashkim kundër pandemisë në një shfaqje të patriotizmit spontan që në fund të fundit e bën kombin më të bashkuar”, thotë ai.

Por, sipas tij, kjo është vetëm maja e “ajsbergut” të asaj se çfarë po ndodh në gjithë Italinë: nga ëmbëltoret e Torinos po sjellin ëmbëlsira në spitale për pacientët dhe mjekët tek romakët e rinj që aranzhojnë takime në mbrëmje përmes laptopit; nga milanezët që nuk po kërkojnë rimbursim të biletave të tyre të papërdorura të teatrit, te pronarët e restoranteve që po punojnë me dërgesat në shtëpi; nga teknikët që po përdorin printerët 3D për të ndihmuar mjekët në spitalet e largëta që po mobilizohen ta mbështesin Lombardinë, rajonin më të prekur; nga punonjësit e sigurimeve që ndihmojnë familjet të gjejnë dyqane ushqimore deri te përfaqësuesit e të gjitha besimeve që po e përdorin internetin për t’i udhëhequr besimtarët.

“Në ‘La Stampa’ e kemi gjetur veten në vijën e parë të frontit në këtë krizë, si shumë gazeta të tjera me zyrat e tyre në zonat më të goditura nga virusi. Pesë ditë më parë, një punonjës në zyrën tonë në Torino, në veri të Italisë, rezultoi pozitiv me virus. Që atëherë, kemi zbatuar protokolle të rrepta sigurie për t’u siguruar që gazeta mund të jetë online në secilin moment dhe në kioske çdo ditë. Stafi ynë dhe gazetarët mblidhemi dhe koordinohemi përmes platformave online. Si çdo italian, ne ballafaqohemi me rreziqe të përditshme por duhet të vazhdojmë të informojmë lexuesit tanë. Sepse kur demokracia është e sulmuar, madje edhe nga një virus, informimi i pavarur dhe i lirë ka një vlerë strategjike: të gjithë ata që qëndrojnë në shtëpi mbështeten në gazetat si e jona për t’u informuar se çfarë po ndodh”, thotë Molinari.

Ai shton se Italia po i përshtatet emergjencës duke u siguruar që pasioni për jetën të mbizotërojë ndaj frikës nga virusi, dhe duke hedhur poshtë imazhin e një populli anarkik që nuk ka dëshirë të respektojë ligjet dhe rregulloret: e vërteta është se kur jeta është në rrezik, edhe më rebeli nga qytetarët bëhet patriot.

“Kjo është shenjë e energjisë së kombit tonë dhe garancia më e mirë që të jemi në gjendje të ngrihemi sërish kur kriza e koronavirusit të mposhtet. Edhe nëse sfida është shumë larg përfundimit”, përfundon Molinari.